Flash News

Kosova

Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë/ Policia: Procesi zgjedhor kaloi i qetë, pa incidente madhore

Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë/ Policia: Procesi zgjedhor kaloi i

Procesi zgjedhor në Kosovë është zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe pa incidente serioze, sipas një njoftimi zyrtar të Policisë së Kosovës. Institucioni i rendit ka deklaruar se plani operacional për sigurimin e zgjedhjeve u realizua me sukses në të gjithë territorin e vendit.

“Plani operacional i paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, i cili kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor, u realizua me sukses në tërë territorin e Republikës së Kosovës,” thuhet në deklaratën e Policisë.

Sipas raportimeve, gjatë ditës së votimit janë evidentuar disa raste të veprave penale, por asnjë prej tyre nuk ka ndikuar në procesin zgjedhor. Konkretisht, Policia e Kosovës ka iniciuar gjashtë raste, përfshirë katër raste të natyrës penale nga kapitulli XVIII i Kodit Penal “Veprat Penale Kundër të Drejtave të Votimit”, si dhe dy raste të tjera që lidhen me “Sulm ndaj personit zyrtar & Kanosje”.

Në lidhje me këto raste, janë shoqëruar shtatë persona, nga të cilët katër janë dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit, ndërsa tre të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

“Policia e Kosovës ka trajtuar çdo informacion që ka pasur të bëjë me procesin zgjedhor dhe ka ndërmarrë të gjitha masat për të garantuar sigurinë dhe integritetin e zgjedhjeve,” thuhet më tej në njoftim.

Policia vlerëson se suksesi i këtij operacioni ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit ndërinstitucional, angazhimit të zyrtarëve policorë dhe kulturës së lartë qytetare të treguar gjatë procesit zgjedhor.

Të fundit