Flash News

KRYESORE

Kreu 17 grabitje brenda tre muajve në banesa e dyqane, arrestohet 33-vjeçari në Korçë

Kreu 17 grabitje brenda tre muajve në banesa e dyqane, arrestohet

Policia e Korçës ka bërë të mundur vënien në pranga të një 33-vjeçari, i identifikuar si Erjon Berberi, pasi dyshohet si autor i 17 vjedhjeve të ndodhura në qytet.

Mësohet se, po ashtu gjatë operacionit “Pikturat”, policia ka mundur të sekuestrojë në cilësinë e provës materiale piktura me vlerë dhe sende të tjera të vjedhura. Ndërkaq, Berberi do të përballet me veprën penale vjedhja të kryer më shumë se një herë.

Njoftimi i plotë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e disa vjedhjeve të ndodhura tre muajt e fundit në qytetin e Korçës, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, në bazë edhe të informacioneve të siguruara në rrugë policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pikturat”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

  • Erjon Berberi 33 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për vjedhje).

Shtetasi i mësipërm, ka qenë nën ndjekjen dhe monitorimin e Policisë kur u kap në flagrancë në lagjen nr. 1, duke vjedhur në banesën e shtetasit V. T.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore të kryera, kqyrja e pamjeve filmike dhe provave të grumbulluara, u dokumentuan edhe 16 vjedhje të tjera, ngjarje të ndodhura tre muajt e fundit në Korçë, ku janë vjedhur piktura me vlerë, sasi lekësh, orendi e pajisje shtëpiake, autor i të cilave dyshohet të jetë shtetasi E. B., konkretisht:

– Në lagjen nr. 3, është vjedhur banesa e shtetases V. M.

– Në lagjen nr. 10, është vjedhur banesa e shtetasit J. Ç.

– Në lagjen nr. 12, janë tentuar të vidhen 4 banesa; është vjedhur banesa e shtetasit M. K., dhe dyqani i shtetasit K. B.

– Në lagjen nr. 17, është vjedhur lokali i shtetasit A. Xh.

– Në lagjen nr. 18, është vjedhur lokali i shtetasit Sh. G., banesa e shtetasve L. G; Ll. P; dhe A. Ç; është tentuar të vidhet banesa e shtetasit Dh. G; dhe është vjedhur dyqani i shtetasit I. C.

– Në lagjen nr. 1, është tentuar të vidhet një objekt kulti.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan piktura me vlerë dhe sende të tjera të vjedhura.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Vjedhja, e kryer më shumë se një herë”.

Të fundit