Flash News

KRYESORE

Kreu i SPAK çel garën për drejtorin e BKH-së: Fituesi do t’i nënshtrohet një trajnimi të gjatë nga SHBA

Kreu i SPAK çel garën për drejtorin e BKH-së: Fituesi do

Prokuroria e Posaçme ka hapur garën për kandidatët që duan të aplikojnë si Drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Njoftimi është bërë publik nga kreu i SPAK, Arben Kraja, që sipas tij shënon hapin e parë të projektit për krijimin e një skuadre të madhe hetuesish të policisë gjyqësore që do të punojnë ngushtësisht me Prokurorët e Posaçëm.

“Kam kënaqësinë t’ju lajmëroj  për shpalljen e Njoftimit për Pozicionin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky njoftim shënon hapin e parë të projektit për krijimin e një skuadre të madhe hetuesish të policisë gjyqësore që do të punojnë ngushtësisht me Prokurorët e Posaçëm.

Në duam të zgjedhim një person që ka integritet, përvojë profesionale dhe një sërë aftësish si lider për të drejtuar dhe frymëzuar një grup prej rreth 60 hetuesish. Unë do të doja që t’iu bëja thirrje të gjithë personave të interesuar, femra dhe meshkuj, që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Ligjin për SPAK-un, që të aplikojnë për këtë pozicion pune. Në mënyrë që SPAK-u të jetë i suksesshëm, ne kemi nevojë për  Drejtorin më të aftë dhe më të motivuar në drejtimin e BKH-së.

Të gjithë aplikantët do të ftohen të marrin pjesë në një proces rigoroz dhe sfidues përzgjedhjeje, që përfshin aplikimin elektronik, testimin e aftësive fizike, provimin me shkrim, intervistimin e strukturuar dhe verifikimin e thelluar të pasurisë dhe integritetit. Procesi do të jetë tërësisht transparent dhe do të monitorohet nga Komisioni Ndërkombëtar. Kandidati fitues do t’i nënshtrohet  një programi të gjatë trajnimi që do të sigurohet nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara, me trajnerë të specializuar nga Byroja Federale e Hetimit (FBI)”, thuhet në njoftim.

Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit mbikëqyret nga një komision i përbërë prej tre prokurorësh të Prokurorisë së Posaçme, njëri prej të cilëve është drejtuesi i saj dhe dy të tjerët zgjidhen çdo vit me short. Aplikimi mbyllet më 30 janar të këtij viti.

Të fundit