Flash News

KRYESORE

Krimet e diktaturës/ 50 delegatë ndërkombëtarë të PEMC vizitojnë Shqipërinë në nëntor

Krimet e diktaturës/ 50 delegatë ndërkombëtarë të

Nga data 3 deri më 6 nëntor një delegacion i Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane (PEMC) do të vizitojë Shqipërinë. Vizita organizohet në kuadër të mbledhjes së 9-të Vjetore të Këshillit të Anëtarëve, në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë, që është anëtar i kësaj platforme prej vitit 2016.

Takimi do t’u mundësojë 50 përfaqësuesve ndërkombëtarë, aktorë të ndryshëm që punojnë në fushën e ballafaqimit me të shkuarën, të vizitojnë vende të ndryshme të kujtesës në Tiranë, Shkodër dhe Lezhë. Kjo Platformë ka si qëllim kryesor rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për historinë evropiane dhe krimet e kryera nga regjimet totalitare, inkurajimin e një diskutimi të gjerë evropian për shkaqet dhe pasojat e sundimeve totalitare, si dhe për vlerat e përbashkëta evropiane, me qëllim promovimin e dinjitetit njerëzor dhe të drejtat e njeriut. Fokusi i diskutimeve gjatë takimit në Shqipëri, përveç zgjedhjes së bordit dhe presidentit të ri të PEMC, do të jetë edhe Rezoluta e re e Parlamentit Europian mbi rëndësinë e një kujtese të përbashkët evropiane.

Kjo rezolutë u votua më 19 shtator 2019. Në të PE sugjeron të zhvillohet një punë më e thellur rreth edukimit dhe ndërgjegjësimit të brezit të ri në rishikimin e kurrikulave shkollore përmes analizës së shkaqeve dhe pasojave që sollën regjimet diktatoriale, në nderimin e viktimave dhe mbi të gjitha në transparencën mbi krimet ndaj njerëzimit kryer nga regjimet naziste, fashiste, komuniste dhe sisteme të tjera diktatoriale.

Në kuadër të kësaj IDMC ka organizuar aktivitete të ndryshme si mëposhtë:

Vizitë studimore në vendet  e kujtesës në Shkodër;

Prezantim i ekspozitës “Totalitarizimi në Europë” te Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës në prani të medias lokale;

Vizitë studimore në vendet e kujtesës në Lezhë;

Vizitë studimore te Muzeu “Shtëpia e Gjetheve” në Tiranë;

Vizitë në Parlamentin shqiptar në kuadër të rezolutës së re të Parlamentit Europian mbi rëndësinë e një kujtese të përbashkët europiane;

Tryezë të rrumbullakët “Politika e Kujtesës në Shqipëri dhe Europë”;

Ballafaqimi me të shkuarën në Shqipëri, veçanërisht roli i fonacionit gjerman Konrad Adenauer dhe IDMC

PEMC është një organizatë ndërkombëtare e themeluar në Pragë, më 14 tetor të vitit 2011 me rekomandim të Parlamentit Europian dhe Këshillit të Bashkimit Europian. Themelimi i saj u mbështet nga njëzet vende anëtare të BE. Momentalisht, Platforma ka rreth 60 anëtarë nga 20 vende të ndryshme të botës (14 vende të BE si Suedia, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Gjermania, Hollanda, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Sllovenia, Rumania, Bullgaria, Franca), si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Shqipëria, Ukraina, Moldavia dhe Islanda. Nga Shqipëria janë anëtare 4 organizata, konkretisht IDMC, ISKK, IIPP dhe Memo.

Të fundit