Flash News

KRYESORE

Kriza/ Meta kërkon marrëveshje: Të dyja palët të bëjnë hapa pas. Zgjedhjet demokratike të panegociueshme

Kriza/ Meta kërkon marrëveshje: Të dyja palët të

Presidenti i Republikës, Ilir Meta kërkon nga mazhoranca dhe opozita që të bëjnë hapa pas për të bërë të mundur zgjidhjen e krizës politike. Sipas Metës, zgjedhjet demokratike janë të panegociueshme edhe si kriter bazë për çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

“Jemi në një situatë ku të dyja palët duhet të bëjnë hapa pas dhe të gjejmë rrugën e duhur për të shkuar drejt zgjedhjeve demokratike, sepse kjo është e panegociueshme si kriter bazë për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Besoj është bërë e qartë edhe nga përfaqësues ndërkombëtar, sidomos nga drejtues të fraksionit kryesor në Bundestagut të CDU/CSU që, zgjedhjet pa opozitën janë zgjedhje problematike, përsa i takon aspektit demokratik dhe Shqipëria, ka nevojë për stabilitet demokratik.

Në këtë drejtim unë, shpresoj në një reflektim të të dy palëve dhe në një përgjegjshmëri të lartë. Për fat të mirë, protesta e fundit e opozitës, ishte tërësisht paqësore dhe shpresoj që, kjo të ketë ndikimet e saja në përshpejtimin e një zgjidhje”, tha Meta në emisionin “Debat Plus” në Tv Dukagjini.

Presidenti ripërsëriti qëndrimin se opozita “ka bërë një veprim tepër të nxituar dhe të papranueshëm siç ishte ai i djegieve të mandateve”, duke shtuar se edhe mazhoranca “ka bërë një veprim të nxituar për shpejtimin për zëvendësimin e këtyre mandateve.”

“Ka patur dhe ka një kohë relativisht të gjatë gati 30 ditë, për të shqyrtuar mandatin e çdo deputeti, kohë që mund të ishte shfrytëzuar për të evituar një situatë edhe më të përshkallëzuar se, kjo që paraqitet sot”, është shprehur Meta.

Sipas Metës, rruga për zgjidhjen e krizës është një marrëveshje midis palëve.

“Rruga e zgjidhjes nuk është rruga përjashtuese, as e mazhoranës për opozitën dhe as opozitës për mazhorancën, duhet një marrëveshje që rivendos vendin në normalitet të plotë kushtetues, institucional dhe demokratik”, thotë ai.

I pyetur nëse kjo marrëveshje mund të përfshijë shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit dhe ndoshta organizimin e tyre së bashku me zgjedhje të parakohshme parlamentare, Meta u përgjigj: “Rendi kushtetues i Republikës se Shqipërisë, bazohet mbi pluralizmin politik dhe pluralizmi politik, garantohet vetëm nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Rendi kushtetues i Republikës së Shqipërisë dhe garantimi i tij është çështja më e rëndësishme që të gjithë bashkë duhet të sigurojmë.”

Të fundit