Flash News

OP-ED

Kriza në universitete: nga qendra të zhvillimit shkencor në qendra kursesh kualifikuese

Kriza në universitete: nga qendra të zhvillimit shkencor në

Mirela Karabina

 

Ministria e Arsimit po paraqet si “sukses” të Reformës në Arsimin e Lartë hapjen e disa kurseve 1 dhe 2 vjeçare kualifikuese pranë univerisiteteve. Nga Universiteti i Durrësit, i cili kishte numrin më të madh të regjistrimeve, Ministrja e Arsimit do të inkurajonte dhe orientonte universitetet, kryesisht rajonalë, që “të hapnin sa më shumë kurse të tilla dhe të ktheheshin në pika zhvillimi të rajonit të tyre që të kontribuonin për komunitetet”. Ajo që bën habi ështe se, edhe pse në fazën përmbyllëse të procesit të pranimit në universitete, në pohimet e saj, ministrja nuk përmendi rënien tronditëse të numrit të studentëve në auditore, por numrin në rritje të të regjistruarve në këto kurse; nuk përmendi mbylljen e 40 programeve universitare, por hapje kursesh kualifikimi.

Suksesi i këtij viti qenkërka hapja e kurseve profesionalë në institucionet e arsimit të lartë?!

Po mbylljen e programeve si ta quajmë?!

Pra, jo vetëm mungesë transparence, por përdorim si ”sukses” i dështimeve të njëpasnjëshme të Reformës në Arsimin e Lartë.

Kështu, Universitetet nga qendra të zhvillimit shkencor, po kthehen në qendra për mbijetesë me kurse dhe programe gjysmakë.

Një katrahurë!

Absolutisht, drejtimi i të rinjve drejt dyerve të institucioneve të dijes është gjëja më me vlerë që mund të ndodhë, por, t’i drejtosh tinëzarisht drejt askundit është përgjegjësi e madhe.

Si klasifikohet kjo diplomë dhe cila është vlera e saj në treg?

Cili është ndryshimi midis kësaj diplome kursi me diplomën tre vjeçare të ciklit të dytë të studimeve “Bachelor”, së cilës tregu i punës nuk i ofron shërbim?

Sigurisht, hapja e kurseve kualifikuese profesionale janë vlerë në shërbim të shoqërisë, por ato nuk mund të ngrihen për mbijetesë dhe në emergjencë financiare.

Hapja e kurseve të sforcuara shpreh qartë realitetin tronditës të institucioneve të Arsimit të Lartë, krizën, kaosin dhe përpëlitjet për mbijetesë: diploma të paqarta që mbivendosin njëra-tjetrën dhe me vlerë të diskutueshme për tregun.

Por, kjo është kosto për familjet shqiptare të cilat shpenzojnë një pjesë të mirë të të ardhurave të tyre për shkollimin e fëmijëve, dhe, në këmbim, marrin pasigurinë dhe shpërdorimin e investimit.

Por, asgjë nuk është rastësore, gjithçka e planifikuar nga ministria përgjegjëse për arsimin.

Kështu, mbajtja peng e universiteteve si rezultat i hyrjes në fuqi të ligjit të Arsimit të Lartë dhe aktet nënligjore të munguara kanë penalizuar funksionimin normal ligjor të tyre, duke i kthyer në mekanizma të Ministrisë së Arsimit.

Nëpërmjet centralizimit të procesit të pranimit në universitete, vetëm në duart e saj, Ministria e Arsimit ka drejtuar studentët në zgjedhje të detyruara për profesionin e tyre, dhe jo sipas meritë –preferencës.

Kështu, e paprecedentë, jemi në mesin e muajt nëntor dhe procesi i regjistrimit në universitete  sapo ka përfunduar, pra, 4 muaj proces aplikimi dhe regjistrimi (gusht-nëntor) .

Pse?

Sepse, ministria mban në kontroll shpërndarjen e studentëve në universitetet publike dhe jo publike dhe përcakton fatin e tyre.

Të gjendur në rrokupujë paligjshmërie, rënie të numrit të studentëve dhe buxhetit të shtetit të ulët, universitetet, për mbijetesë, rrisin tarifat e studentëve që të sigurojnë pagat; rrisin artificialisht kuotat e pranimit, dhe, së fundmi hapin dhe kurse kualifikimi.

Kaos dhe degradim i instuticioneve te dijes.

A mund të flasim për cilësi?!

Absolutisht jo!

Bojkoti që studentët po i bëjnë nga viti në vit auditoreve tona, duke ikur nga sytë këmbët për një shkollim më të mirë, është shuplaka dhe vula e zezë mbi reformën rrënuese të dijes, të harrimit të shkencës dhe të pengimit të zhvillimit.

Realiteti tronditës (INSTAT) se 30% e maturantëve aplikuan këtë vit për studime jashtë vendit dhe se ka rreth 10000 studentë më pak në auditore për vititn akademik 2018-2019 krahasuar me 2013-2014, dëshmon rënien ndjeshëm të cilësisë në universitete dhe pasigurinë për të ardhmen.

Univerisiteti është në emergjencë.

Ngritja e grupeve të punës me specialistë të arsimit dhe aktorë të fushës për vendosjen e ligjshmërisë në universitete me një ligj të arsimit të lartë funksional do rikthejë funksionimin normal dhe institucional të tyre.

Decentralizimi i procesit të aplikimit dhe regjistrimit në universitete (ashtu si ligji e kërkon) do drejtojë studentët në degët e dëshiruara dhe do të vendosë univerisitetet në një garë të ndershme cilësie mes tyre, duke konkuruar me programe universitare të vlefshme për tregun tonë dhe përtej.

Buxheti mbështetës do t’i kthejë dinjitetin e nëpërkëmbur në shndërrimin e tyre në qëndra të zhvillimit të dijes, cilësisë së stafeve akedemike dhe stimulimit të kërkimit shkencor.

Reformat janë të destinuara të dështojnë nëse ato nuk udhëhiqen nga parimi moral: gjithçka në shërbim të dijes, gjithçka në shërbim të studentëve.

Dhe, kësaj reforme i mungoi ky bosht.

Orientimi i këtyre institucioneve drejt kurseve kualifikuese është dëshmi tronditëse e krizës, kaosit dhe degradimit të planifikuar të tyre në emër të reformës…

 

 

Të fundit