Flash News

KRYESORE

Kriza në ‘Vetëvendosje’, a do arrijë Shpend Ahmeti t’ja marrë partinë Albin Kurtit?

Visar Ymeri dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje në një moment aspak të favorshëm për ish-kryetarin e kësaj partie, Albin Kurti, i cili ndodhej në proces gjykimi për gazin e hedhur në Kuvendin e Kosovës.

Ymeri tha se ishte detyruar për këtë vendim nga kriza ku ndodhet partia, por më shumë se një dorëheqje për të ndihmuar ‘Vetëvendosjen’, kjo lëvizje e ish-kryetarit po interpretohet si goditje ndaj Kurtit dhe favorizim i rivalit të tij në parti, Shpend Ahmeti.

Brenda ‘Vetëvendosjes’ janë tashmë dy grupe që po luftojnë për kreun e partisë, Albin Kurti me mbështetësit e tij dhe Shpend Ahmeti që ka në krah Visar Ymerin dhe Dardan Molliqajn, ky i fundit po udhëheq edhe fushatën kundër Kurtit brenda partisë.

Deri më tani është vetëm Albin Kurti ai që ka shpallur kandidaturën për zgjedhjet e pritshme të muajit shkurt, për kryetarin e partisë. Nga Ahmeti nuk ka ende asnjë reagim. Ndoshta kryetari i Prishtinës është duke analizuar mbështetjen që ka brenda ‘Vetëvendosjes’, pasi brenda lëvizjes së kthyer në parti hija e themeluesit të saj, Albin Kurti, vijon të jetë shumë e rëndë.

Jo më kot, disa portale në Kosovë kanë filluar të publikojnë listën e deputetëve të ‘VV’, që mbështesin Shpend Ahmetin.

Sipas ‘Gazetës Blic’, janë të paktën 11 deputetë, përveç Visar Ymerit dhe Dardan Molliqajt, që janë të gatshëm të largohen nga Lëvizja Vetëvendosje dhe të krijojnë një parti të re. Mes emrave përfliten disa kundërshtarë të hershëm të Kurtit, Dardan Sejdiu, Aida Dërguti, Dukagjin Gorani apo Faton Topalli.

Ky numër është shumë i lartë dhe nëse rezulton i vërtetë do e shkatërronte ‘Vetëvendosjen’, e cila ka 32 deputetë në Kuvend.

Kriza midis Kurtit dhe Ahmetit ra në sy gjatë fushatës së fundit elektorale për kryetarët e komunave, kur ish-kryetari nuk u shfaq asnjëherë në krah të kandidatit që kërkonte një mandat të dytë në Prishtinë.

Tashmë, ‘Vetëvendosje’ është në një udhëkryq të rëndësishëm dhe lëvizja e parë e vendimtare i takon Shpend Ahmetit, nëse do të pranojë të sfidojë Albin Kurtin për postin e kryetarit, apo do të zgjedhë rrugën tjetër, atë të përçarjes së partisë më të madhe opozitare në Kosovë.

Të fundit