Flash News

KRYESORE

Kriza politike/ Fatos Lubonja për rolin e Ilir Metës: Në krye të LSI-së do të kishte më shumë impakt

Kriza politike/ Fatos Lubonja për rolin e Ilir Metës: Në krye

Analisti Fatos Lubonja e konsideron 'të burgosur' politikisht Ilir Metën brenda zyrës së Presidencës. Gjatë intervistës në rubrikën 'Opinion' në News 24, Lubonja theksoi se në këtë situatë krize ku ndodhet politika, Meta do të kishte më shumë impakt në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

"Është një qëndrim i kujdesshëm, jo nxitës i dhunës, por një mbështetje e butë për opozitën. është pak si i burgosur në zyrën e Presidencës, por po e luan një rol. Në një situatë të tillë, ndoshta mund të kishte më shumë impakt nëse do të ishte në krye të LSI. Duke qenë në atë institucion, që është kështjella e fundit e pa kapur nga Rama, po e luan një rol pozitiv", tha Lubonja.

Sa i përket mundësisë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, Lubonja tha se kryeministri Edi Rama do të përpiqet të blejë njerëzit dhe deputetët për të vijuar sundimin.

"Më shumë mund të presësh një krizë të tijën personale dhe të largohet nga politika sesa një zgjidhje politike në kuptimin e një dialogu, të një marrëveshjeje për të shkuar në zgjedhje. Më e mundshmja, mesa e kemi njohur, përgjithësisht ai nuk e pranon dot idenë e humbjes në këtë lojë, por kërkon të gjejë të gjitha mënyrat dhe mjetet, kryesisht nëpërmjet blerjes së njerëzve, deputetëve, medias ,për të mbi-sunduar dhe për të qenë ai në qendër të pushtetit. Mendoj që është bërë e qartë që e keqja kryesore është pikërisht ai", u shpreh analisti.

Më tej, Lubonja shtoi: "Ka një ndjeshmëri ndaj fasadës, sepse kjo është fasadë demokratike dhe prapa saj është sistemi oligarkik që ka kontrolluar të gjithë shtetin. Edhe Enver Hoxha që nuk kishte nevojë për zgjedhje, i bënte një herë në katër vjet."

Të fundit