Flash News

KRYESORE

Kryebashkiaku falënderon forcat zjarrfikëse: Jeni heronjtë e vërtetë të qytetit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falënderoi trupën e zjarrfikëseve të kryeqytetit, të cilët rrezikuan jetën e tyre për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve dhe i quajti ata heronjtë e vërtetë.

“Doja që t’ua thosha personalisht, t’ju shtrëngoja dorën dhe t’ju falënderoja se jeni heronjtë e vërtetë të këtij qyteti! Na keni ndihmuar edhe në disa nga zonat më të prekura nga tërmeti, siç ishte Durrësi dhe Thumana. E gjithë përgatitja për të qenë në gatishmëri, ndonjëherë edhe me mjetet jo perfekte, por me shpirtin, zemrën dhe mendjen e fokusuar, ia ka vlejtur. Përkulem me respekt, ju falënderoj me gjithë zemër dhe ju konsideroj të gjithë motra dhe vëllezër të një qyteti, të një shërbimi, të një kauze dhe misioni”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi faktin se kontributi i tyre ishte dyfish i vlefshëm, pasi nuk i shërbyen vetëm qytetarëve të Tiranës, por edhe atyre në zonat më të prekura nga tërmeti, siç ishte Thumana dhe Durrësi.

Veliaj theksoi se për trupat e zjarrfikëseve të Tiranës ka ende punë, për të shmangur çdo rrezik që mund t’i kanoset qytetarëve. “Ka ende vende të rrezikshme. Në fakt, i vetmi fatalitet që patëm në Tiranë ishte nga një parapetë që u shemb nga tarraca e një pallati. Sa kohë që kemi ende pallate ku kërkohet të çmontohet oxhaku, të largohet parapeta, të ulet një parvaz, apo të hiqet edhe tulla e fundit, misioni ynë nuk ka mbaruar”, tha ai.

Ai informoi se Bashkia e Tiranës dhe në mënyrë të veçantë forcat zjarrfikëse të qytetit do të jenë në gatishmëri të plotë deri në festat e fundvitit.  Kryebashkiaku bëri të ditur se do të vijojë edhe shembja e tre godinave të amortizuara në Qytetin Studenti, të cilat për shkak të tërmetit janë kthyer në rrezik për jetën e banorëve në atë zonë. Ndërsa, sa i përket strehimit të banorëve që i kishin zaptuar ato, ai tha se ata do të trajtohen njësoj si qytetarët e tjerë të prekur nga tërmeti.

Të fundit