Flash News

KRYESORE

Kryeministri që nuk e pyesim dot; prej dy muaj e gjysmë Rama u shmanget gazetarëve shqiptarë

Kryeministri që nuk e pyesim dot; prej dy muaj e gjysmë Rama u

Në Parlamentin e Shqipërisë sot nuk ekziston opozita, ndërkohë që mazhoranca është goditur së fundmi nga disa skandale, kryesisht në manipulimin e votës në zgjedhje. Në kushtet e një krizë politike dhe institucionale, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të qëndrojë sa më larg gazetarëve shqiptarë, ndonëse daljet e tij të përditshme në ‘ERTV’ nuk mungojnë.

Rama ka nisur edhe një “fushatë pastrimi” në mediat italiane, të cilat po raportojnë me intensitet të lartë për protestat e opozitës dhe rritjen e trafikut të drogës. Megjithatë, numri një i Qeverisë po shmanget nga konferencat në Shqipëri, në një kohë kur interesi është i lartë për të mësuar qëndrimet e tij për shumë çështje të nxehta.

Hera e fundit kur kryeministri Rama doli përpara gazetarëve ka qenë më 31 dhjetor të 2018-ës, për konferencën e fundvitit, por që nga ajo ditë shumë zhvillime kanë ndodhur në skenën politike të vendit.

Më 21 janar, Rama pati një përballje të shpejtë me gazetarët e politikës, përpara Parlamentit, kur deputetët socialistë e votuan edhe në krye të Ministrisë së Jashtme. Aty Rama pranoi vetëm dy pyetje dhe që lidheshin me marrjen e detyrës së re.

Për gati dy muaj e gjysmë, Rama është shfaqur vetëm në një emisionin televiziv, në ‘Real Story’ në Vizion Plus, më 14 shkurt, duke shmangur studiot e tjera.

Opozita që ka djegur mandatet po i kërkon çdo ditë dorëheqjen nga posti i kryeministrit, ndërkohë që Rama po i kundërpërgjigjet duke nxjerr njerëzit e tij të bëjnë thirrje për dialog, por jo për negociata. Një tjetër vendim që ai ka marrë është shmangia e çdo përballje në emisione të deputetëve dhe ministrave të PS me ish-deputetët e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Aktualisht, propaganda e kryeministrit është përqëndruar vetëm në ‘ERTV’ dhe kasetat e gatshme që transmetohen nga televizionet shqiptare, ndërsa gazetarët e kanë të pamundur ta vënë atë përballë pyetjeve me interes publik.

Të fundit