Flash News

KRYESORE

Kryeprokurori, LSI kritika Ramës dhe ambasadorëve: Ligjet janë bërë copë-copë nga kryeministri dhe suflerët e tij; përmbysje me çdo mjet

Kryeprokurori, LSI kritika Ramës dhe ambasadorëve: Ligjet janë

Lëvizja Socialiste për Integrim ka drejtuar sot kritika të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ambasadorëve të akredituar në Tiranë, për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm.

Kreu i grupit parlamentar, Petrit Vasili thekson se kryeministri nuk ka asnjë të drejtë as Kushtetuese dhe as ligjore, pasi zgjedhja e kryeprokurorit mund të bëhet vetëm me 84 vota.

“Ka konsensus të plotë me opozitën dhe që nga sot le të kthehemi në Kuvendin e Shqipërisë dhe të rregullojmë ligjet e bëra copë-copë nga ai dhe suflerët e tij, që nuk flasin shqip”, shprehet Vasili duke iu referuar edhe ambasadorëve që i kanë dhënë mbështetje Ramës për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm.

Sipas Vasilit, ndaj këtij veprimi, që ai e quan banditizëm, ka vetëm një përgjigje, përmbysje pa asnjë hezitim me çdo mjet e mënyrë.

Edhe zv/kryetari i LSI, Luan Rama ka publikuar një koment me titull “Reforma në drejtësi, ambasadorët dhe shoqëria civile”, ku ironizon paradoksin se shoqëria civile e cila protestonte përpara Kuvendit, së bashku me ambasadorin amerikan, Donald Lu, sot po bëhet pengesë për formimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë duke mos dorëzuar kandidatura. Komentin, Rama e ka shoqëruar me dy foto të ambasadorit amerikan në protestë.

Reagimi i Petrit Vasilit:

Kryeministri do qe te vjedhe kryeprokurorin, shteti ligjor ne rrezik.

Ky kryeministri flet dhe thote: s'e paska qartësisht të drejtën ta zgjedhe prokurorin e përkohshëm.

Kush ia dha kete te drejte narkotrafikanteve? Ky nuk ka asnje te drejte as Kushtetuese as Ligjore.

Kuvendi i Shqiperise, sherbimi i tij juridik shpjegon qarte dhe me shkrim se duhen 84 vota.

Ku i ka kryeministri 84 vota?

Apo shpjegimet qe nuk i pelqejne nuk i mban mend, i mohon, i refuzon?

Ka konsensus te plote me opoziten dhe qe nga sot le te kthehemi ne Kuvendin e Shqiperise dhe te rregullojme ligjet e bera cope-cope nga ai dhe sufleret e tij, qe nuk flasin shqip.

Ndryshe, ne se e zgjedh vete kryeprokurorin, ky kryeminister shnderrohet perfundimisht ne bandit politik dhe mazhoranca e tij ne nje shumice kriminale antiligj dhe antishtet.

Ndaj ketij banditizmi ka vetem nje pergjigje: permbysje pa asnje hezitim me cdo mjet e menyre.

Shteti ligjor ne rrezik, kjo eshte emergjence kombetare!

Komenti i Luan Ramës:

Reforma në drejtësi, ambasadorët

dhe shoqëria civile !...

Do të duhej të ishin ngritur me kohë institucionet e reformës në drejtësi, e ndër to, do të duhej të ishte ngitur e të kishte nisur punë edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Mirëpo, siç është thënë edhe sot në mbledhjen e grupit kuvendar të Partisë Socialiste, Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është ngritur ende, sepse shoqëria civile, që në shqip do të duhej thënë shoqëria qytetare, nuk ka zgjedhur ende kandidaturat që ajo duhet të përcaktojë për në këtë organ të lartë, pa të cilin nuk mund të funksionojë organi i Prokurorisë!

Thënë ndryshe e më shqip, shoqëria civile është bërē pengesë për ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë! Ngjan si paradoks, nëse sjellim në vëmendje presionin e madh, pozitiv e të drejtë të protestave të shoqërisë civile para Kuvendit e me praninë edhe të disa ambasadorëve në meskorrikun e vitit 2016, pikërisht që politika e më së pari Kuvendi të miratonin reformën në drejtësi, ndërkohë që protestuesit e djeshëm na rezulton të jenë bllokuesit e sotëm!

Mosngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka çuar edhe në krijimin e problemit të Prokurorit të Përgjithshëm.

Sepse në bazë të Kushtetutës, ndryshuar me konsensusin e plotë të 140 deputetëve në kapëcyell të 22-23 korrikut 2016 dhe nën duartrokitjet e përqafimet diplomatike nga llozhat e sallës së Kuvendit, vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka tagrin kushtetues të shprehet e të vendosë për Prokurorin e Përgjithshëm!

Kësisoj, nuk është e vështirë të kuptohet përgjegjësia e shoqërisë civile në këtë rast, e cila duke u bërë pengesë për krijimin e KLP, i ka krijuar terrenin e nevojshëm maxhorancës ta kthejë në tepsinë e vet edhe Prokurorin e Përgjithshëm, përmes zgjedhjes së një të përkohëshmi! Duke mos e konsideruar të qëllimtë këtë rastësi, e përballë këtij realiteti papërgjegjshmërie e mungese serioziteti në angazhimet për jetësimin e reformës në drejtësi, çka në fakt e ka kompromentuar e korruptuar që në nisje reformën në drejtësi, lipset ndihma e ambasadorëve, siç kanë bërë në fakt sa herë që të mandatuarit e këtij vendi nuk kanë ushtruar përgjegjësitë e tyre! Pra, pas negociatave pafund me përfaqësuesit politikë para miratimit të reformës në drejtësi, le të negociojnë tani me shoqërinë civile që të zgjidhet problemi i KLP! Se larg qoftë, nga meraku për reformën në drejtësi mund të ndodhë që tepsimaxhoranca të bëjë protestë para shoqërisë civile! Ndoshta nuk do të ishte keq në këtë rast edhe një opinion nga EURALIUS dhe OPDAT!...

Të fundit