Flash News

KRYESORE

A është Kadia ‘tradhtar’ apo mesazheri i parë i një qeverie koalicioni pas 25 prillit? Kush është sponsori

A është Kadia ‘tradhtar’ apo mesazheri i parë i

Politiko.al

Biznesmeni që shërbeu kumbar që Rama të emëronte në detyrën e zv/ministrit të Financave, është gjerësisht i njohur si ndërmjetës mes dy palëve të mëdha politike. Ai ka akses si te socialistët, ashtu dhe te demokratët, sepse është sponsor bujar i të dyja palëve. Kadia, para se të kalonte në qeverinë e Ramës ishte drejtor i Fondacionit për Lirinë e Sipërmarrjes, mecenat i të cilit ishte biznesmeni Samir Mane.

Ndërkohë që figuronte në borderonë e kompanise me te madhe ne vend, Kadia bashkë me pedagogun Rezart Prifti, sipas burimeve të Politiko.al, po hulumtonin territorin politik për të krijuar një parti të re. Me këtë qëllim ata organizuan summer camps dhe aktivitete të ndryshme  me grupe të rinjsh. Kur skena politike u popullua me disa parti, të dala kryesisht nga e djathta, protagonistët e kuptuan se një parti më shumë ishte shumë dhe nuk shërbente më.

Besart Kadia ka kaluar te fondacioni i Samir Manes pas një përvoje si drejtor i Fondacionit për Liri Ekonomike themeluar nga Henri Çili, i cili njihet gjithashtu në qarqet mediatike si proponent i një qeverie me bazë të gjerë, PS-PD.

Pyetja që ngre krye është: a janë më inteligjentë dhe më patriotë se të tjerët, biznesmenët si Mane dhe te tjere si ai, që bëhen sponsorë të idesë së një ‘grand coalition’? Ata mund të jenë të dyja këto gjëra së bashku, por ajo që i udhëheq më shumë është interesi i pastër.

Në rastin e një qeverie të përzier mes dy forcave kryesore, për biznesmenët e fuqishëm do të thoshte edhe më shumë akses dhe më pak shpenzime. Ajo që është më e rëndësishme, ata do të shpëtonin nga sulmet e mundshme të forcës që është në opozitë, ciladoqoftë ajo, PS apo PD. Kështu biznesmenët ‘do të paguanin vetëm njëherë’ për akses te pushteti i cili përkthehet në territore ekonomike, tendera, PPP e me radhë.

Një qeveri e përbashkët zbut ose shuan konfliktin politik, i cili i lejon kompanitë e mëdha të punojnë të pangacmuara. Biznesmenët e mëdhenj durojnë një kosto të caktuar ekonomike për të kaluar në heshtje disa prej aferave dhe përfitimeve të tyre nga paratë publike. Një pjesë të madhe të medias ata e kanë bllokuar përmes reklamës dhe e vetmja bezdi mbetet një opozitë virtuoze dhe kryeneçe.

Kjo ‘shmangie e medias’ e ka detyruar shpesh opozitën që të kthehet në ‘redaksi’ duke publikuar dhe denoncuar shkelje. Megjithatë, disa vëzhgues vërejnë se, në mënyrë të çuditshme denoncimet e opozitës dalin shumë shpejt nga qarkullimi. Ata e lidhin këtë fakt me trafiqe financiare që biznesmenët e fuqishëm në Shqipëri ushtrojnë duke futur në ‘librin e llogarive’ edhe eksponentë apo lidershipin opozitar.

Një njohës i mirë i prapaskenave të Tiranës së biznesit i tha Politiko.al në kushtet e anonimatit se ‘oligarkët’ janë lodhur ‘psikologjikisht dhe financiarisht’ duke luajtur me dy porta. Për këtë ata janë të interesuar që të ketë një qeveri të përbashkët. Në këtë mënyrë do të shmangnin shantazhin politik, do të punonin të qetë dhe do të ulnin kostot e ‘doing bussines’.

Kalimi i Besart Kadisë nga Fondacioni i Henri Çilit te ai i Samir Manes dhe më pas katapultimi në ‘qeverinë Rama’ është shenjë e kësaj ‘kërkese’ të biznesit për qeveritë në Shqipëri.

Nëse, siç dyshohet, pas 25 prillit do të ketë një qeveri koalicioni PD-PS, Besart Kadia do të jetë ‘tradhtia’ e parë, e flijuar dhe falur’ në themelet e saj.

Të fundit