Flash News

KRYESORE

Analiza e InSight Crime: Mafia shqiptare ‘e bën gjak’ Ekuadorin

Analiza e InSight Crime: Mafia shqiptare ‘e bën gjak’ Ekuadorin

nga Alessandro FORD/ InSight Crime

Vrasja e shtetasit shqiptar, Adriatik Tresa brenda shtëpisë së tij luksoze në Ekuador ka zbuluar detaje të aktiviteteve të tij kriminale, duke dhënë një pamje se si përfaqësuesit e dhunshëm të mafias shqiptare operojnë në vendin andean.

Tresa, një shtetas shqiptar i cili ishte vendosur në Ekuador, po hetohej për trafik droge në kohën e vdekjes në nëntor 2020. Vrasja e tij erdhi muaj pasi ai kishte kaluar një vit në një burg në Ekuador me akuza të armwmbajtjes pa leje, një rast që në fund të fundit kurrë nuk shkoi në gjyq. Tresa gjithashtu u akuzua për pastrim parash, dhe dyshohet se figuronte në vrasjet e një shtetasi tjetër shqiptar dhe të një gazetari ekuadoras.

Tresa mbërriti në Ekuador në 2011 ndërsa sindikatat e krimit shqipfolës filluan të bëjnë krime në vend. Që nga ajo kohë, emisarët e këtyre grupeve kanë ndërmjetësuar gjithnjë e më shumë marrëveshje kokaine midis furnitorëve kolumbianë dhe sindikatave të ndryshme europiane, si dhe kanë negociuar dërgesat e tyre për t'u shpërndarë nga filialet shqipfolëse në të gjithë Europën.

Përcjellja e tyre në Ekuador vjen mes një tendence më të gjerë në të cilën portet e vendit po përdoren për të transportuar sasi masive të kokainës në Europë.

Por grupet shqiptare në Ekuador kanë sjellë me vete markën e tyre të dhunës, përfshirë vrasjet me kontratë.

Tresa duket se ka qenë viktimë e njërës prej tyre. Më 20 nëntor, tre burra të veshur si oficerë policie hynë në kompleksin e tij të mbrojtur me siguri të lartë, duke pretenduar se kishin një urdhër kërkimi. Ata e qëlluan atë gjashtë herë me një pushkë, sipas El Universo.

Fillimet e mafias shqiptare në Ekuador

Rënia e komunizmit shqiptar në fillim të viteve 1990, ashtu si ajo e homologut sovjetik, çoi në dy zhvillime të rëndësishme: roli i ri i tregtisë ndërkufitare dhe fuqizimi dramatik i krimit të organizuar.

Shtetasit e parë shqiptarë që u përfshinë në trafikun e drogës erdhën përmes Kolumbisë rreth dy dekada më parë. Në 2001, tre u arrestuan gjatë "Operacionit Udhëtimi", një hetim dy-vjeçar, shumëkombësh i trafikut detar kolumbian i udhëhequr nga  DEA, sipas një raporti nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional. Në të njëjtin vit, autoritetet në Shqipëri arrestuan gjashtë anëtarë të grupit të parë të njohur të trafikimit në vend, i cili kishte lidhje me kartelin 'Medellín'. 

Në atë kohë, grupet mafioze italiane, veçanërisht ‘Ndrangheta' me bazë në Kalabri, tashmë po vendosnin kontrollin e trafikut trans-Atlantik të kokainës, duke i lënë shqiptarët të veprojnë si ndërmjetës të izoluar.

Ekuadori shpejt u shfaq si një vend tërheqës për shqiptarët dhe sindikatat e tjera europiane. Kishte kufij porozë, institucione të dobëta policore dhe gjyqësore dhe një ekonomi të dollarizuar të bazuar në para, e cila ofronte mundësi të lehta të pastrimit të parave. Ai gjithashtu zotëronte një numër portesh të Paqësorit nga të cilët mund të kalonte drogë në bordin e anijeve që drejtoheshin për në Europë.

Në vitin 2008 ose 2009, shtetasi shqiptar Arbër Çekaj themeloi një kompani tregtare të bananeve në Ekuador, të cilën ai e përdori për të fshehur drogë në ngarkesa, sipas një hetimi të përbashkët nga Plani V i Ekuadorit dhe Projekti i Raportimit të Korrupsionit dhe Korrupsionit të Organizuar të Bosnjës (OCCRP).

Në maj 2011, drejtori i aktiviteteve të DEA në Ande, Jay Bergman, i tha Reuters se Ekuadori ishte duke u bërë një tenxhere e shkrirjes së sindikatave të huaja të trafikut të drogës, duke thënë "ne kemi raste të krimit të organizuar shqiptar, ukrainas, italian, kinez, të gjitha në Ekuador, të gjithë marrin produktin e tyre për shpërndarje në vendet përkatëse.”

Tresa u shfaq për herë të parë në Ekuador rreth vitit 2011. Gazetari investigativ shqiptar Artan Hoxha thotë se Tresa ishte nga fshati Baldushk, në periferi të Tiranës. Ndërsa Tresa nuk kishte rekord penal në Shqipëri, ai ishte dënuar në Britani: një raport i Bashkimit Europian i vitit 2010 mbi rregulloret e vizave me Shqipërinë përmend arrestimin pa datë të një udhëheqësi kriminal shqiptar të quajtur Adriatik Tresa dhe konfiskimin e pasurisë. Sapo mbërriti në Ekuador, Tresa e prezantoi veten si pronarin e një farmacie dhe nje dyqani të përpunimit të drurit, sipas raporteve të shtypit shqiptar. Ai gjithashtu u vendos në një kompleks luksoz në Daule, pak jashtë qytetit-port Guayaquil.

Tresa u shfaq për herë të parë në radarin e autoriteteve në Ekuador kur u arrestua në lidhje me vrasjen e gazetarit Fausto Guido Valdiviezo Moscoso në 2013. Ministri i atëhershëm i Brendshëm, José Serrano pretendoi në një konferencë shtypi se anëtarët e një bande trafiku droge dhe pastrimi parash fshiheshin pas vrasjes.

Grupet shqiptare të krimit të organizuar bënë ndërhyrje të mëdha në Ekuador në 2014 dhe 2015, i tha OCCRP Mario Pazmiño, ish-drejtori i inteligjencës për ushtrinë e Ekuadorit. Kjo u theksua nga arrestimi në Ekuador i trafikantit shqiptar të drogës, të arratisur dhe të akuzuar në vitin 2014, Dritan Rexhepi, së bashku me kapjen e 278 kilogramë kokainë.

Në vitin 2015, eksportuesi Arbër Çekaj u akuzua në mungesë për trafikimin e 37 kilogramëve kokainë në një dërgesë banane të lidhur me Shqipërinë, megjithatë, pa probleme, ai bëri disa vizita të tjera në Ekuador dhe eksportoi 137 dërgesa të tjera në të njëjtën rrugë.

Kokaina kalon te grupet shqiptare

Në 2016, ndërsa prodhimi kolumbian i kokainës u rrit në qiell, trafikimi drejt vendeve europiane u rrit. 'Ndrangheta' e Italisë, ndërsa vazhdonte të mbizotëronte shpërndarjen evropiane të kokainës, nuk mund të menaxhonte vetëm këto sasi të mëdha dhe furnizuesit kolumbianë filluan të kërkonin partnerë shtesë, duke përfshirë grupet shqiptare të pozicionuara mirë.

Kërkimet nga një hetim i mëparshëm i 'InSight Crime' mbi trafikun e kokainës nga Ekuadori zbuluan se sindikatat e Ballkanit kishin kokainë me burim në zonen e Sucumbíos, e cila kufizohet me Kolumbinë. Një aleancë midis grupit të krimit kolumbian La Constru dhe ish-anëtarëve të Forcave Revolucionare të Armatosura të Kolumbisë (Fuerzas Armadas Revolucionarias de Colombia - FARC) kontrolloi kontrabandën e drogës në Sucumbíos nga departamenti kufitar kolumbian i Putumayo, me La Constru duke akuzuar trafikantë ndërkombëtarë në varësi të pikave të dorëzimit. Një ish-udhëheqës i FARC në Putumayo u raportua gjithashtu se furnizonte trafikantë nga Ballkani me katër deri në gjashtë tonë kokainë çdo muaj.

Nga 160 shqiptarët që hynë në Ekuador në vitin 2018, të paktën 20 ishin trafikantë të mundshëm të drogës, sipas një agjenti ekuadorian kundër narkotikëve të cituar nga Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional.

Ndërkohë, konfiskimet e kokainës në Shqipëri u rritën. Në 2018, autoritetet kapen ngarkesën më të madhe, ku më shumë se 600 kilogramë u zbuluan në një dërgesë bananesh nga Kolumbia. Muaj më vonë, njeriu që kishte organizuar dërgesën u arrestua: i njëjti eksportues i frutave, Arbër Çekaj, të cilin autoritetet e kishin dënuar vite më parë.

Megjithatë rënia e Çekajt bëri pak për të ndaluar rrjedhën e drograve. Në maj të vitit 2019, një grup i trafikut të kokainës u shpërbë në provincën bregdetare të Ekuadorit, El Oro. Grupi më vonë doli të ishte i udhëhequr nga shqiptarët. Katër muaj më vonë, në portin e Durrësit, 137 kilogramë kokainë u zbuluan në kontejnerët e transportit nga Ekuadori.

Kohët e fundit, në shtator 2020, EUROPOL njoftoi çmontimin e "Kompania Bello", një sindikatë transnacionale e shqipfolësve të krimit, udhëheqësi i së cilës ishte i vendosur në Ekuador. EUROPOL e shpalli atë si një nga organizatat më aktive të trafikut të kokainës në Europë dhe shpalli hetimin më të madh ndonjëherë për një grup shqiptar të drogës.

Pothuajse dy dekada pasi trafikantët e parë shqiptarë u shfaqën në skenë, sindikatat shqiptare tani kontrollojnë një pjesë të konsiderueshme të rrjeteve të kokainës me shumicë dhe pakicë të Europës, duke përdorur filialet e bandave në rrugë për të dërguar drogë në Hollandë, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Gjermani, dhe vende të tjera. Anëtarët e saj gjithashtu kanë bashkëpunuar si të barabartë me italianien ‘Ndrangheta.

Vrasjet mafioze në Guayaquil

Në vitet e fundit, ndërsa fuqia dhe ndikimi i saj në Ekuador u rrit, mafia shqiptare la një gjurmë gjaku rreth qytetit-port të Guayaquil-it.

Në maj të vitit 2017, Ilir Hidri, një prej shqiptarëve të arrestuar me të arratisurin e INTERPOL-it Dritan Rexhepi, u qëllua në shpinë nga dy persona në një motor. Në nëntor 2017, Remzi Azemi, një shtetas shqiptaro-kosovar i cili ishte nipi i Hidrit, u plagos kur një person i armatosur gjuajti katër plumba përmes dritares së hapur të makinës së tij të blinduar.

Raportet e shtypit shqiptar pretenduan se Adriatik Tresa ishte një mik i ngushtë i Hidrit, ndërsa mediat shqiptare dhe ekuadoriane, kanë raportuar se ai ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e Hidrit dhe u arrestua pasi arma u gjet në banesën e tij. Bashkëpunëtori i dyshuar i Tresës në vrasje ishte Azemi, i cili u raportua se ishte nën hetim për të shtënat ndaj xhaxhait të tij.

Sipas OCCRP, Azemi u akuzua më vonë në vrasjen e marsit 2018 të Fadil Kaçanic, një i dënuar trafikant droge shqiptaro-malazez i cili thuhet të ketë qenë një i afërm i tij. Kaçanic dhe gruaja e tij ekuadoriane dolën nga shtëpia të shoqëruar nga oficerë të rremë policie duke pretenduar se kishin një urdhër, në një krim që bëri jehonë se çfarë do të ndodhte më vonë me Tresan. Të dy, burri dhe gruaja, u gjetën të ekzekutuar në periferi të Guayaquil-it.

Sa i përket Tresës, vrasja e tij ndodhi brenda një konteksti që policia dyshon se ai do ta kishte të njohur: me vrasje rekord që tronditën Guayaquil-in në vitin 2020 ndërsa kokaina kalon nëpër të.

Sidoqoftë, sindikatat shqiptare do të gjejnë lehtësisht dikë për ta zëvendësuar atë në Ekuador.

*Përktheu për Politiko.al: Donalta Lami

Të fundit