Flash News

KRYESORE

Analiza/ Mëkat historik ta tërheqësh Kosovën nga qendra drejt periferisë

Analiza/ Mëkat historik ta tërheqësh Kosovën nga qendra

Ndue Ukaj

Kosova gjatë dekadave të fundit, ishte në qendër të politikës perëndimore, kurse tani disa politikanë aventurierë e diletantë, duan të bëjnë çështje të periferisë, pra të skajit.

Krejt kjo të kujton historinë tonë rrëqethëse: gjatë sundimit të gjatë e të egër osman, shqiptarët ishin në skaj të perandorisë dhe kur u kalb perandoria, ata mbetën më të shkretit në kontinent.

Të njëjtin fat ata përjetuan edhe gjatë sundimit komunist, meqë ishin në skaj të Jugosllavisë, pra të perandorisë së kuqe.

Vetëm në vitet e 1990-ta dhe atë në saje të mençurisë së pashembullt të Ibrahim Rugovës, por dhe të përkushtimit të shqiptarëve për të ndjekë ëndrrën e kthimit në gjirin e familjes europiane, Kosova u vendos në qendër të politikës perëndimore dhe rezultat i kësaj mençurie, sot jemi më mirë se shumë shekuj më parë.

Por kjo duket se i ka trullosë mendjerobërit dhe një tufë shkretanësh të keq ushqyer me ideologji e dokrra politike.

Ata që tani po tentojnë ta zhvendosin Kosovën nga qendra drejt skajit, në emër të disa dokrrave të brendshme e pseudo kauzave bajate, Kosovës po i bëjnë një shërbim fort të keq, për të cilin jam fort i bindur se do t’i dënojë historia.

Nejse, ne historikisht kemi treguar një budallallëk të tmerrshëm në raport me historinë dhe ky budallallëk, pas një stine të frytshme politike, është kthyer rrufeshëm dhe ka filluar të lulëzojë kudo.

Ligjërimi politik se çështja e dialogut nuk është prioritet i Kosovës është ligjërim i frikshëm - është gjuhë e dokrrave - që Kosovën nga qendra e shpie në periferi, ku ka qenë gjatë sundimit osman e ku ishte gjatë sistemit të kuq, për të cilat sisteme zaten ka plot shqiptarë që tregojnë nostalgji.

Po ashtu, kjo gjuhë politike tregon paqëndrueshmëri intelektuale e shpirtërore, të një klase politike të vobektë shpirtërisht dhe kulturalisht.

Kosova ka probleme të shumta, të trashëguara e aktuale, por nuk ka interes më të madh për të sesa t’i përmbyllë raportet problematike me Serbinë. Dhe këto raporte ne nuk jemi të zotët t’i përmbyllim vetë, kurse zvarritja dihet se i shkon për shtati vetëm Serbisë.

Prandaj, duke tentuar t’i bishtnohet dialogut me Serbinë, Prishtina po i bën një favor të jashtëzakonshëm Serbisë, e cila është duke punuar që të pastrojë njollat e së kaluarës dhe të kthehet si faktor i qëndrueshmërisë dhe stabilitetit në rajon.

 

Krejt kjo po ndodh për shkak të marrive tona të brendshme dhe pazotësisë për të qenë kreativë në politikë.

Ka mbetë vetëm edhe një marri të bëhet që të mbushet kupa: që Prishtina të dëgjojë Ankaranë dhe të tërheqë ambasadën nga Jerusalemi dhe kjo do të jetë një nga goditjet më të mëdha kundër  interesave gjeostrategjike e jetike të Kosovës. 

Të fundit