Flash News

KRYESORE

ANALIZA/ Mjerë ata që mendojnë se Bashkimi Europian do të mbrojë të drejtat themelore

ANALIZA/ Mjerë ata që mendojnë se Bashkimi Europian do të

nga Augustin Palokaj/ Jutarnji List

Illustrimi nga Mitch Blunt për POLITICO


Bashkimi Europian dhe ajo që shpesh emërtohet si demokraci perëndimore, bazohet në vlerat e lirisë, demokracisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Këto të drejta konsiderohen të garantuara në BE, sëpaku kështu duhet të jetë, për faktin se asnjë shtet nuk mund të pranohet si antar nëse nuk jep prova se është pikërisht kështu.


Dhe jo vetëm kaq. Bashkimi Europian është për respektimin e këtyre të drejtave gjithandej nëpër botë. Reagohet menjëherë sapo këto të drejta të shkelen. Nëse i pyesni edhe sot përfaqësuesit e Bashkimit Europian, asgjë nuk ka ndryshuar. Vlerat e njëjta kanë akoma vlerë. Megjithatë, nëse shihni në praktikë, ka gjithnjë e më pak raste në të cilat pasqyrohet shqetësimi i BE-së për respektimin e të drejtave themelore, lirive politike dhe lirisë së shprehjes.


Të qenit për respektimin e të drejtave themelore është një prej themeleve të politikës së përbashkët të Bashkimit Europian. Megjithatë, edhe ky prioritet po bëhet gjithnjë e më shumë viktimë e prioriteteve të tjera. Nëse “dialogu” apo “interesat” në raport me disa shtete, për të cilët dyshohet se po shkelin këto të drejta, është prioritet më i madh, atëherë harrohen të drejtat e njeriut ose e shumta ato reduktohen në deklarata të vakëta pa pasoja.


Të qenit për të drejtat e njeriut në botë, e aq më pak veprimtaria aktive në mbrojtje të këtyre të drejtave, për BE-në është bërë akoma më e vështirë në kushtet kur, për çdo veprim në politikën e jashtme të përbashkët, duhet marrë aprovimi i të gjithë shteteve antare. Gjendet përherë ndonjë shtet antar i cili ndonjë rregjimi duhet t’i shesë ndonjë sasi armësh, ndonjë avion, të furnizohet nga ai me gaz, apo të marrë nga këto rregjime ndonjë punë të madhe për ndonjë kompani vendore.

Kështu, BE-ja është e destinuar për një sjellje të ngjashme me atë që po shihet këtyre ditëve edhe në raportet me Rusinë. E pavendosur, e hutuar, e tani edhe e poshtëruar pas fiaskos me vizitën e Përfaqësuesit të lartë për politikën e jashtme se sigurinë Jozef Borell në Moskë. Ai, sëpaku kështu tha, shkoi në Moskë që të jepte atje “një mesazh të fortë të Bashkimit Europian” dhe u kthye në Bruksel ku, për shkak të sjelljes së tij, i kërkojnë madje edhe dorëheqjen.

Në vend që të jepte “një mesazh të ashpër”, ai lejoi që mikpritësi i tij  Sergej Lavrov, një prej diplomatëve më me eksperiencë në botë, t’i mbajë leksion për të drejtat e njeriut dhe hipokrizinë në BE, që Rusia, në kohën që ai bisedonte, të dëbojë diplomatë të BE-së. E ndollën madje deri aty saqë para gazetarëve në Moskë arriti të kritikojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ta mbyllë të gjithë vizitën me konstatimin se “BE-ja është partner i pasigurtë”. Tani në BE bashkëpuntorët e tij na thonë se ai “atë mesazhin e  ashpër e ka përcjellë gjatë takimit, dhe jo në konferencën për shtyp sepse kjo nuk është praktikë”.

Cilat na qenkan këto “mesazhe të ashpra” që mund të japë sot BE-ja? A do ta lërë të lirë Rusia Aleksej Navalnin sepse këtë gjë na e kërkoka “me urgjencë zëdhënësi i Komisionit Europian?”. A do të frikësohet Vladimir Putini për stabilitetin e qeverisë së tij sepse BE-ja ka lajmëruar se në lidhje me këtë temë “do të mbajë dy takime në nivel të lartë”. Nuk ka përse. Sepse, BE-ja nuk mund të arrijë unitet në asnjë deklaratë konkrete të përbashkët, e le më pastaj për ndonjë lloj konkret sanksionesh.

Në kohën kur në Rusi arrestohet dhe gjykohet Navalni si dhe arrestohen mijëra protestues që kërkojnë lirimin e tij, BE-ja me ditë të tëra diskuton nëse këto ngjarje duhet “t’i dënojë”, apo për ato të “shprehë keqardhje”. A do t’i bëhet thirrje Rusisë për “zhvillim të partneritetit strategjik” apo do të “paralajmërohet” se ky partneritet po shkatërrohet. Ky është vetëm një prej atyre shembujve të shumtë në të cilin BE-ja nuk ka unitet madje as kur gjykon shkeljen e ashpër të të drejtave të njeriut në ndonjë shtet, e le më pastaj për ndonjë sanksion konkret.

Mjerë ata që shpresojnë se BE-ja do t’u mbrojë të drejtat e tyre. Iku ajo kohë. Për hir të së vërtetës BE-ja do t’i kujtojë herë pas here. Do t’i cilësojë me emrin e saktë në ndonjë sallë të ndonjë prej institucioneve të saj në Bruksel. Madje do të miratojë edhe ndonjë çmim për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që do të mbajë emrin e ndonjë prej viktimave në botë. Do të vazhdojë të japë ‘çmimin Saharov’. Por, gjithsesi, nuk do të arrijë t’i mbrojë.

Jo vetëm skena e sotme politike, por as edhe shoqëria nuk është më aq e ndjeshme ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut. Nuk është fajtor Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme që nuk mund të reagojë mjaft “ashpër” kur ndokund nëpër botë ndodh ndonjë shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Nuk mund t’i përdorë ai sipas qejfit mjetet e  politikës së jashtme të përbashkët të BE-së në mënyrë që të vendosen sanksione kundër ndonjë rregjimi. Borelli mund të bëhet vetë viktimë e ndonjë kurthi edhe për faktin se ai është politikisht naiv në një shkallë të papranueshme, por kjo është kështu për shkak të interesave të ndryshme të shteteve antare.

Ja përshembull, në Gjermani nuk shohin ndonjë arsye përse respektimi i të drejtave të njeriut në Rusi të lidhet me realizimin e projektit Rryma e Veriut-2. Pikërisht tani kur flitet mbi masat e ashpra kundër Rusisë shtetet antare garojnë që të kenë marrëdhënie sa më të mira me Moskën, të realizojnë projekte të përbashkëta, të furnizohen me vaksinat ruse, të sigurojnë kontrata të mira për furnizim me gaz. Sepse kanë parasysh se edhe për qytetarët e tyre ka më shumë rëndësi furnizimi i sigurtë dhe me çmim të lirë të gazit, sesa të drejtat dhe fati i ndokujt. 

Mbrojtja e të drejtave të njeriut mund të bëhet vetëm nëse nuk kushton asgjë. 

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit