Flash News

KRYESORE

Arrestimi i Ervin Muços/ Si e mohoi Rama ndërhyrjen në sistemin TIMS? SHBA shprehu shqetësimin

Arrestimi i Ervin Muços/ Si e mohoi Rama ndërhyrjen në sistemin

Drejtori i Teknologjisë së Informacionit (IT) në Policinë e Shtetit, Ervin Muço, u vu në “arrest shtëpie”, pasi dyshohet të ketë ndërhyrë verën e shkuar në sistemin TIMS, i cili regjistron hyrje-daljet e qytetarëve nga kufijtë e vendit.

Arrestimi i Muços vjen pas ngritjes së Komisionit Hetimor për TIMS me kërkesë të opozitës. Sipas Prokurorisë së Tiranës, nga hetimet e kryera, Muço dyshohet për “Hyrje të Paautorizuar Kompjuterike”.

“Në datë 2 gusht 2023, në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara, nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Muço. Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin”, thotë prokuroria.

Pas publikimit të skandalit për vjedhjen e të dhënave të TIMS, kryeministri Edi Rama nxitoi t’i japë ngjyrim politik, duke u shprehur se nuk kishte asnjë vjedhje të dhënash, por vetëm një problem teknik, që sipas tij, ishte keqpërdorur nga ata njerëz që kishin humbur aksesin në të dhënat e Policisë së Shtetit.

“Nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar. Është e gjitha një histori e nxjerrë dhe e manipuluar nga njerëz që kanë humbur pushtetin mbi ato të dhëna në Policinë e Shtetit. Sepse hetimi i brendshëm është kryer i plotë dhe s’ka asnjë shqetësim. Ajo ngjarja e rëndë nuk ka ndodhur sepse s’ka pasur asnjë mundësi të ndodhë sepse në përpjekje për të bërë back up-in s’ka pasur back up fare. Kështu që është një problem teknik i brendshëm”, deklaroi Rama asokohe.

Por, arrestimi i Ervin Muços konfirmoi se ka pasur ndërhyrje në sistemin TIMS, edhe pse Rama dhe Taulant Balla e mohuan një gjë të tillë.

Pak ditë pas raportimit për ndërhyrje në sistemin TIMS, pati një reagim nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I ngarkuari me Punë i Ambasadës Amerikane në Tiranë, H. Martin McDoëell, vuri në dukje shqetësimin për skandalin, gjatë një takimi me Ministrin e Brendshëm Taulant Balla.

McDoëell shprehu gatishmërinë e SHBA-së në hetimin e çështjes.

“I ngarkuari me Punë McDoëell vuri në dukje shqetësimet e SHBA në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit. Ai nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshi edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri. McDoëell i tha gjithashtu Ministrit Balla se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre”, thuhej në mesazhin e Ambasadës Amerikane.

Të fundit