Flash News

KRYESORE

Marrëveshja e refugjatëve, Berisha për “La Stampa”: Rrezikojmë të rrisim ksenofobinë, Rama kërkon të shpëtojë lëkurën

Marrëveshja e refugjatëve, Berisha për “La Stampa”:

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për gazetën italiane “La Stampa” lidhur me marrëveshjen e nënshkruar mes Italisë dhe Shqipërisë, për të sjellë refugjatët e Lindjes së Mesme në vendin tonë.

Berisha tha për “La Stampa” se Rama lidhi marrëveshjen me Melonin për të shpëtuar lëkurën e tij.

“Ai është në vështirësi të mëdha, sepse duhet të shpëtojë lëkurën e tij. Ai është i implikuar në super skandale ndërkombëtare. Kjo është arsyeja e vetme që ka bërë marrëveshjen me Melonin. Por kjo qendër nuk do të fillojë gjithsesi”, ka thënë Berisha, teksa paralajmëroi se do ta kundërshtojnë me çdo mjet këtë marrëveshje.

Kryedemokrati tha se Rama e firmosi marrëveshjen për interesat e veta personale, si një njeri i shantazhuar nga bandat e krimit.

“Unë e respektoj kryeministrin Giorgia Meloni, ne kemi një miqësi shumë të vjetër me të djathtën italiane. Por më duhet t'u them italianëve dhe qeverisë suaj që e keni gabim dhe kjo marrëveshje për emigrantët është e kotë. Ju jeni duke u mashtruar nga ai që ju e quani aleat, por që po i bën të gjitha këto vetëm për përfitime personale. Është mbështetje e pamerituar për një njeri të shantazhueshëm, mik të organizatave kriminale”, deklaroi Berisha.

Kryedemokrati listoi skandalet e kryeministrit nga Porti i Durrësit, te karteli i drogës Sinaloa e deri tek ish-ministrat e Ramës që ndodhen pas hekurave.

“Rama ka premtuar se do të ndërtojë një Dubai City në portin e Durrësit. Ai dëshiron ta bëjë këtë së bashku me një biznesmen nga Emiratet, Al Alabbar, por a e dini se kush i mbledh paratë? Trafikantët shqiptarë dhe klanet e drogës me të cilët ai është mik: dy persona të rëndësishëm që besohet se janë drejtues të kartelit Sinaloa janë miq të Ramës, shohim video të tyre duke dalë nga zyra e tij. Më pas, është hetimi amerikan për skandalin McGonigal, ish-kreu i kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, të cilit Rama mësohet se i ka kërkuar të hetojë gjoja financimin rus të ish-kreut të PD-së, Lulzim Basha. Më pas, është figura e Taulant Ballës, ministër i Brendshëm i sapo emëruar nga Rama, i cili thuhet se ka lidhje me një bos të fuqishëm që ka qenë edhe në burg në Itali”, tha Berisha.

I pyetur nga “La Stampa” se pse PD po preston kundër marrëveshjes, Berisha tha: "Sepse është një operacion i mbajtur i fshehur nga kryeministri, i cili bie ndesh me të drejtat e njeriut të emigrantëve. Për më tepër, rrit në masë të madhe ksenofobinë në një komb që është mikpritës, por që nuk mund ta përballojë këtë barrë. Qendrat e refugjatëve kanë sjellë probleme të mëdha kudo, nga Greqia në Itali, në Spanjë, në Evropën Veriore. Ata tërheqin dhunën dhe problemi më i vogël këtu do të jetë më i vështirë për t'u menaxhuar, për ju dhe për ne. Për më tepër, ka një karakteristikë të Shqipërisë, që e bën gjithçka më shpërthyese."

Të fundit