Flash News

KRYESORE

Dekreti i Begajt, Zhllima për Politiko: Presidenti s’mund të bëhet noter i politikës

Dekreti i Begajt, Zhllima për Politiko: Presidenti s’mund të

Avokati Gylsen Zhllima ka komentuar vendimin e Presidentit Bajram Begaj për të dekretuar datën 9 nëntor si ditën e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës dhe në pesë bashki të tjera.

Në një prononcim për Politiko.al, Zhllima thekson se Kushtetuta parashikon qartë kompetencat e Gjykatës Kushtetuese për raste të shkarkimit apo shpërndarjes së organeve të qeverisjes vendore, duke mos përdorur termin “funksionar”, por duke mbrojtur institucionet vendore si pjesë e decentralizimit dhe autonomisë vendore.

“Gjykata Kushtetuese, sipas nenit 115, është organi i vetëm që shqyrton ankesën e një organi të qeverisjes vendore kundër vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin ose shpërndarjen e tij. Ajo kontrollon aktin si nga pikëpamja faktike, ashtu edhe nga interpretimi e zbatimi i ligjit”, shprehet Zhllima.

Ai nënvizon se çdo individ ka të drejtën e një procesi të rregullt ligjor, i cili nuk kufizohet vetëm në gjykatë, por edhe në procedurat disiplinore apo administrative. Respektimi i së drejtës për t’u dëgjuar dhe mbrojtur, sipas tij, janë elemente thelbësore të një shteti demokratik.

Duke iu referuar opinionit të Komisionit të Venecias, Zhllima kujton se Presidenti i Republikës duhet të ruajë një rol neutral, duke përfaqësuar unitetin e popullit dhe duke qëndruar jashtë politikës partiake.

“Presidenti nuk duhet të investohet politikisht. Ai nuk është pjesë e ekzekutivit dhe as e partive politike, por një arbitër kushtetues, i cili duhet të zgjidhë krizat institucionale dhe të garantojë Kushtetutën”, përfundon avokati.

Përgjigja e plotë

“Neni 115 i Kushtetutës rregullon procedurat e ankimit kushtetues në rastet e shkarkimit ose të shpërndarjes së organit të zgjedhur të njësisë qeverisëse vendore, por nuk përdor termin “funksionar”, ndonëse procedurat e kontrollit kushtetues sipas kësaj dispozite janë me natyrë individuale, pasi ky lloj gjykimi ka për objekt një akt administrativ me karakter individual, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e të cilit e shqyrton drejtpërdrejt Gjykata Kushtetuese.

Në rastin e parashikuar nga neni 115 i Kushtetutës, kushtetutëbërësi nuk ka përdorur termin “funksionar”, edhe pse ai mund të përkojë me organin, sepse qëllimi i këtij neni është mbrojtja e organeve të qeverisjes vendore, të cilat ngrihen dhe funksionojnë sipas parimeve të decentralizimit të pushtetit dhe të autonomisë vendore. Kjo normë kushtetuese përcakton shprehimisht juridiksionin e Gjykatës për të kontrolluar shkarkimin e këtyre organeve, e cila përbën një lloj të veçantë të kontrollit kushtetues.

Gjykata Kushtetuese, sipas nenit 115, pikat 2 e 3, të Kushtetutës, është organi i vetëm që shqyrton ankesën e organit të qeverisjes vendore, kundër vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin ose shpërndarjen e tij. Ajo e bën këtë shqyrtim si nga pikëpamja e faktit ashtu dhe nga pikëpamja e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material e procedural.

 E drejta e individit për një proces të rregullt ligjor, e parashikuar në nenin 42 të Kushtetutës, nuk është e kufizuar vetëm në procesin gjyqësor, por edhe në atë me karakter disiplinor administrativ. Në këtë kuptim, ajo ka theksuar se çdo organ i pushtetit publik, gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues e ligjor, është i detyruar të respektojë standardet e gjithëpranuara demokratike, të cilat kanë gjetur pasqyrimin e tyre në Kushtetutë. Njohja paraprake e personit, ndaj të cilit kërkohet të merret masa e shkarkimit, me materialet që e ngarkojnë atë me përgjegjësi, respektimi i të drejtës për t’u dëgjuar dhe mbrojtur, si me anën e dhënies së sqarimeve paraprake ashtu dhe gjatë shqyrtimit të çështjes, janë disa nga elementet bazë që garantojnë të drejtën kushtetuese të cilitdo për një proces të rregullt, si një e drejtë themelore.

Komisioni i Venecies është shprehur: “Kushtetuta i cakton Presidentit një pozicion neutral si “kreu i shtetit” dhe si organi që “përfaqëson unitetin e popullit”. Këto atribute nuk nënkuptojnë që autoriteti i Presidentit është mbi politikën. Ato më saktë nënkuptojnë që Presidenti duhet të mbetet jashtë politikës partiake, me qëllim që të sigurojë, ndër të tjera, një konkurrencë të ndershme midis palëve dhe funksionimin e rregullt të formës së qeverisjes dhe të veprimtarive të tjera të shtetit (...) një President, misioni kryesor i të cilit është përfaqësimi i unitetit të popullit, ka mandatin kushtetues për të kontribuar në funksionimin normal të shtetit”.

Presidenti nuk duhet të investohet politikisht, ai nuk duhet të shihet as si pjesë e drejtpërdrejtë e ekzekutivit dhe as si pjesë e drejtpërdrejtë e partive politike, por si një arbitër kushtetues, i cili vetëm në këtë pozicion mund të zgjidhë krizat institucionale dhe të bëhet garant i Kushtetutës.

 

Të fundit