Flash News

KRYESORE

Dhjetëra të plagosur, fëmijë të goditur, jetë të humbura… dhe tani kujtohet shteti!

Dhjetëra të plagosur, fëmijë të goditur, jetë

Pas një vargu aksidentesh, plagosjesh e humbjesh jete, Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, ka njoftuar sot ndalimin e monopatinave elektrike në rrugët e vendit.

Vendimi hyn në fuqi që nga e hëna, ndërsa Policia e Shtetit do të bllokojë çdo monopatinë që qarkullon në rrugë.

“Sot i kam kërkuar Policisë së Shtetit që përkohësisht të mos lejojnë qarkullimin e monopatinave elektrike në rrugë.

Gjithashtu dua të informoj të gjithë ata që e shohin monopatinën elektrike si mënyrën biznesi për dhënien me qira ditore, duhet ta kenë të qartë që të mos investojnë në këtë aktivitet.

Lejimi gjithmonë pas përfundimit të këtij procesi do të jetë i vlefshëm vetëm për përdorim vetjak të këtyre mjeteve,” tha ministrja Koçiu në një postim në Facebook.

Sipas saj, ministria do të hartojë rregulla të reja për korsitë, moshën minimale të përdoruesve, masat mbrojtëse si kaska dhe ndriçimi, si edhe kufijtë e shpejtësisë së lejuar.

Dhjetëra të plagosur, fëmijë të goditur, jetë

Monopatinat – mjet argëtimi që u kthye në burim rreziku

Në pamje të parë ishin të padëmshme, një mjet ekologjik dhe praktik për të lëvizur në qytet.

Por në Shqipëri, ku çdo rregull zbatohet pasi ndodh tragjedia, monopatinat u shndërruan në burim aksidentesh.

Vetëm gjatë vitit të fundit, në Spitalin e Traumës janë raportuar mbi 550 raste aksidentesh me monopatina, ndërsa në vitin 2023 ishin rreth 214 — pra më shumë se dyfishim brenda një viti.

Në disa prej këtyre rasteve, përplasjet kanë qenë fatale.

Një 17-vjeçar u përplas nga një automjet në Tiranë dhe përfundoi në spital me dëmtime të rënda.

Dhjetëra të plagosur, fëmijë të goditur, jetë

Në një tjetër rast, një i mitur me monopatinë përplasi një këmbësor 49-vjeçar, duke i plagosur të dy.

Në bulevardin kryesor të Tiranës, një makinë goditi tre fëmijë që lëviznin me monopatinë, ngjarje që tronditi opinionin publik.

Sipas Policisë Rrugore, 35% e aksidenteve me monopatina ndodhin për shkak të mungesës së kaskës mbrojtëse, ndërsa vetëm në vitin e fundit janë vendosur mbi 7,500 gjoba administrative për drejtues pa masa sigurie.

“Vdis që të të reagoj”, fytyra e një shteti që zgjohet vonë

Vendimi i Koçiut për monopatinat është vetëm një pasqyrë e një modeli më të thellë institucional: rregullat merren gjithmonë pasi dikush e pëson, kurrë më parë.

Kështu, edhe këtë herë, ndërhyrja nuk erdhi për të shpëtuar jetë, por për një fasadë nga ana e ministes së sapo emëruar për të thënë që është prezente dhe gjasme po punon për të ruajtur qytetarët./ POLITIKO.AL

Të fundit