Flash News

KRYESORE

Diella, ministrja 'fantazmë' e Ramës: inovacion apo eksperiment politik?

Diella, ministrja 'fantazmë' e Ramës: inovacion apo

Në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, të mbajtur në shtator, kryeministri Edi Rama shpalli emrat e kabinetit të ri qeveritar. Mes figurave surprizë që kryesocialisti katapultoi nga poste më të ulëta drejt roleve kyçe – dhe anasjelltas – ishte edhe Diella.

Asistentja virtuale e platformës e-Albania u prezantua nga Rama si pjesë e ekipit qeveritar “Rama 4”. Kryeministri, i cili gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit i është referuar shpesh Inteligjencës Artificiale si mjet për një “mbarëqeverisje” më efikase, e përfshiu Diellën në kabinet si ministre të Inteligjencës Artificiale për Prokurorimet Publike.

Prezantimi i Diellës, në dukje një shpikje e përdorur nga Rama si marketing politik dhe ndërkombëtar, u prit me polemika. Ajo u soll në tryezën e Asamblesë si një “aset” i kryeministrit, që do të luftonte korrupsionin, abuzimet dhe ndërhyrjen njerëzore në tendera dhe prokurime publike.

Por e vërteta mbi qëllimin e Diellës duket se është krejt ndryshe. Eksperimenti që Rama e prezantoi me shumë bujë gjatë shpalljes së kabinetit të ri qeveritar rezultoi të ishte më shumë sesa një “ministre e tenderave”.

Në programin qeverisës 2025–2029, Diellës i janë besuar një sërë sektorësh, duke nisur nga administrata publike dhe prokurimet – që përbëjnë edhe qëllimin primar për të cilin u përfshi në kabinet – e deri te qytetarët, shëndetësia, bujqësia dhe bizneset.

Në mandatin e ri katërvjeçar, Rama synon transformimin e e-Albania 2.0 sipas modelit “life events”, duke ofruar shërbime të personalizuara në varësi të rrethanave të jetës së çdo qytetari. Në këtë kuadër, Diella pritet të shndërrohet “në asistenten personale të çdo qytetari dhe biznesi, duke i udhëhequr hap pas hapi në marrjen e shërbimeve elektronike dhe në plotësimin e aplikimeve në e-Albania”.

Sipas planit qeveritar, edhe shërbimet publike në nivel vendor do të ofrohen përmes Diellës.

Ky hap i ndërmarrë nga qeveria Rama ka ngjallur debate jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Edhe pse Diella është parë nga disa si inovacion teknologjik, ajo ka ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin në luftën kundër korrupsionit në tendera.

Inteligjenca Artificiale parashikohet të përdoret edhe në shëndetësi, ku qeveria ka në plan krijimin e Dosjes Elektronike Shëndetësore për çdo qytetar, pa dhënë ende detaje mbi mënyrën e funksionimit, sigurinë e të dhënave apo përgjegjësitë institucionale.

Një ministre multifunksionale, e përsosur në letër, por që në praktikë ka ngjallur polemika dhe dyshime mbi qasjen reale ndaj korrupsionit. Deri më tani, qeveria nuk ka bërë publik asnjë manual funksionimi, bazë ligjore apo plan teknik që të shpjegojë se si do të përdoret Diella në prokurime, administratë apo në Kuvend.

Absurdi arriti kulmin kur kryeministri deklaroi me bujë se “Diella është shtatzënë dhe pret 83 fëmijë”.

“Secili do të jetë për çdo anëtar të Parlamentit tonë. Ata do të jenë asistentë për deputetët në seancat parlamentare, do të mbajnë shënim për çdo gjë që ndodh dhe do t’u sugjerojnë se si të reagojnë. Për shembull, nëse shkon për kafe dhe harron të kthehesh në sallë, ky ‘fëmijë’ do të tregojë se çfarë është thënë dhe kë duhet të kundërsulmosh”, deklaroi Rama.

Edhe më e paqartë mbetet çështja e përgjegjësisë ligjore: kush do të mbajë përgjegjësi nëse një algoritëm gabon, manipulon të dhëna apo ndikon drejtpërdrejt në vendimmarrjen politike?

Pyetja që mbetet pa përgjigje është nëse Diella dhe 83 “fëmijët” e saj do të sjellin një revolucion në mënyrën se si qeveriset vendi, apo thjesht një tjetër fasadë digjitale për të legjitimuar kontrollin politik në një formë të re. Në këtë fazë, Diella duket më shumë si një projekt eksperimental politik sesa një reformë reale në shërbim të qytetarit.

Të fundit