Flash News

KRYESORE

Dubai, “parajsa” e trafikantëve: Cilët janë tre shqiptarët që komandojnë trafikun e d*ogës

Dubai, “parajsa” e trafikantëve: Cilët janë tre

Dubai është kthyer në strehë luksoze për trafikantët e drogës të kërkuar nga drejtësia italiane.

Sipas një artikulli të publikuar nga Il Messaggero, tre prej emrave që hetuesit i konsiderojnë ndër më të fuqishmit në trafikun e drogës në Romë janë identifikuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, por vijojnë të presin ekstradimin, ndërsa mbeten në liri.

Në qendër të vëmendjes janë shqiptarët Dorian Petoku, i njohur si “Dori”, dhe Altin Sinomati, i quajtur “Aldo”. Sipas medias italiane, ata dyshohet se kanë bërë kanë bërë një hap përpara në botën e krimit, duke marrë në dorë import-eksportin e kokainës mes Evropës dhe Amerikës së Jugut, duke shfrytëzuar ekonominë globale dhe teknologjitë e komunikimit të enkriptuar.

Lidhjet me nëntokën romake

Artikulli rikujton lidhjet e tyre me figurën e Fabrizio Piscitelli, i njohur si “Diabolik”, i vrarë në vitin 2019 në parkun Acquedotti në Romë. Emrat e përmendur kanë dalë në hetime për disa nga krimet më të rënda të nëntokës romake, me lidhje me Camorra-n dhe 'Ndrangheta-n.

Sipas “Il Messaggero”, autoritetet italiane – karabinierët, Guardia di Finanza dhe policia – i kanë ndjekur prej vitesh. Çështja është ngritur edhe në nivel politik nga deputetja Stefania Ascari (M5S), anëtare e Komisionit Antimafia, e cila ka kërkuar sqarime për statusin e tyre në Emirate.

Arratisja dhe pritja e ekstradimit

Petoku ishte dënuar në kuadër të operacionit “Grande Raccordo Criminale” dhe kishte vuajtur dënimin deri në nëntor 2023. Më pas, gjatë një periudhe trajtimi në një komunitet në Nola, ai u zhduk dhe u arratis në Dubai, ku u identifikua dhe u arrestua në korrik 2024. Megjithatë, ekstradimi i tij drejt Italisë ende nuk është finalizuar.

Sipas raportimit, atij i është sekuestruar pasaporta dhe i janë vendosur masa të lehta kufizuese, por ai mbetet i lirë. Edhe Sinomati dyshohet se ka porositur vrasjen e Shehaj Selavdit në vitin 2020 në Torvaianica, për të cilën prokurorët pretendojnë se janë paguar 150 mijë euro për ekzekutimin.

Në mars 2025 ndaj tij u lëshua një urdhër arresti, ndërsa më pas u lokalizua në Dubai nga Njësia Hetimore e Karabinierëve. Megjithatë, edhe në këtë rast, procedurat e ekstradimit nuk janë përmbyllur.

Dyshimet për vijimin e aktivitetit kriminal

Sipas hetuesve të cituar nga “Il Messaggero”, nga Emiratet, përmes dark web-it dhe telefonave të enkriptuar, grupi vijon të ushtrojë ndikim mbi rrugët e kokainës në Itali, Gjermani dhe Holandë.

Artikulli thekson gjithashtu një tjetër aspekt: dyshimet se paratë e pista po investohen në qytete të Italisë qendrore dhe veriore, veçanërisht në Firence, përmes rrjeteve të personave “fasadë” dhe të ashtuquajturave banka kineze “hije”. Bare, restorante dhe aktivitete tregtare përmenden si kanale të mundshme të pastrimit të parave.

Sipas deputetes Ascari, mosfinalizimi i ekstradimeve rrezikon të dobësojë luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, ndërsa i ka bërë thirrje qeverisë italiane të ndërmarrë hapa të mëtejshëm diplomatikë për të sjellë të kërkuarit përpara drejtësisë.

Të fundit