Flash News

KRYESORE

Ekskluzive/ Prokuroria e Përgjithshme nxjerr shifrat: Shqipëria digjet çdo verë, por nga 2020-2024 u dënuan vetëm 5 piromanë

Ekskluzive/ Prokuroria e Përgjithshme nxjerr shifrat: Shqipëria digjet

Suela Gjidede

Teksa gjatë çdo sezoni veror lufta me flakët që përpijnë mijëra hektarë pyje është kthyer një rutinë e zakonshme,  të dhënat zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme hedhin dritë mbi një realitet mjaft shqetësues.

Në një përgjigje zyrtare për Politiko.al, Prokuroria e Përgjithshme ka publikuar shifrat e pesë viteve të fundit, nga viti 2020-2024, lidhur me numrin e dënimeve penale për zjarrvënie të (jo) qëllimshme.

Nga të dhënat që Politiko.al publikon rezulton se numri i procedimeve penale është rritur ndjeshëm, por dënimet konkrete mbeten të pakta, pasi humica e çështjeve përfundojnë të pushuara ose të pezulluara.

Statistika zyrtare: 2020–2024

Sipas të dhënave të siguruara nga Prokuroria e Përgjithshme, gjatë pesë viteve të fundit janë regjistruar dhjetëra procedime penale për zjarrvënie të qëllimshme dhe nga pakujdesia, por vetëm një pjesë e vogël ka përfunduar me dënim penal.

Kështu, në vitin 2020, nuk u regjistrua asnjë dënim për zjarrvënie të qëllimshme apo nga pakujdesia, pavarësisht 24 procedimeve penale të hapura.

Vetëm në vitin 2024, për nenin 206/b, u raportuan 5 dënime për ndjekjen penale të rasteve të pakujdesisë.

Ajo që bien ë sy nga grafiku i statistikave, është se numri i çështjeve të pushuara dhe pezulluara mbetet i lartë.

Vetëm për nenin 206/a në vitin 2022, u pushuan 23 çështje, ndërsa në vitin 2024 u pezulluan 9 dhe u pushuan 18, duke ngritur problematikën e  vështirësive në mbledhjen e provave, identifikimin e autorëve dhe ndërtimin e dosjeve të qëndrueshme për gjykim.

Neni 206/ a Shktërrimi me zjarr i pyjeve

Neni 206/b Shkatërrimi nga pakujd. me zjarr i pyjeve:

Çfarë dënimi parashikon Kodi Penal?

Neni 206/a parashikon deri në 15 vite burg për zjarrvënie të qëllimshme në sipërfaqe pyjore, kurse neni 206/b parashikon deri në 5 vite burg për zjarrvënie nga pakujdesia, por sic duket në praktikë, shumica e rasteve përfundojnë me masa alternative ose nuk arrijnë në gjykim fare.

Të dhënat e Prokurorisë së Përgjithshme tregojnë se institucionet kanë nisur të reagojnë më shumë ndaj fenomenit të zjarrvënieve, por rruga drejt ndëshkimit efektiv është ende e gjatë.

Pa hetime më të thelluara dhe pa vullnet për të çuar dosjet deri në fund, pyjet e Shqipërisë rrezikojnë të digjen çdo vit dhe piromanët të mbeten të lirë./ Politiko.al/

Të fundit