Flash News

KRYESORE

Fjalët e fundit të Kadaresë dhe misioni i shenjtë që i la botuesit të tij, Bujar Hudhri rrëfen në 'Pasvon'

Fjalët e fundit të Kadaresë dhe misioni i shenjtë që i

Botuesi i njohur Bujar Hudhri, në një intervistë në podkastin 'Pasvon' i drejtuar nga Alfred Lela, ka zbardhur detaje të panjohura nga marrëdhënia e tij e gjatë me shkrimtarin Ismail Kadare, duke përfshirë fjalët e fundit dhe një "mision të shenjtë" që i la pas.

Ndër të tjera, Hudhri foli për nismën e tij më të re, dërgimin e librit shqip në Amerikë, një projekt i lindur pikërisht nga shqetësimi për rënien e lexuesve në Shqipëri si pasojë e emigracionit.

Përballë realitetit të një Shqipërie që po "zbrazet" nga lexuesit për shkak të emigracionit masiv, botuesi Bujar Hudhri ka ndërmarrë një hap ambicioz: dërgimin e librit shqip aty ku ndodhet komuniteti.

Përmes kompanisë "Alb-Libris" me qendër në New Jersey, ai synon ta bëjë librin shqip më të aksesueshëm për diasporën në SHBA dhe Kanada.

Sipas tij, ky projekt është një domosdoshmëri për të mbajtur gjallë lidhjen e shqiptarëve me gjuhën dhe kulturën e tyre, duke e parë Amerikën e Veriut si të vetmin vend ku një nismë e tillë mund të ketë sukses, pasi atje shqiptarët nuk hezitojnë ta identifikojnë veten përmes një libri në gjuhën amtare.

Hudhri rrëfen se vetë Kadareja e kishte cilësuar këtë përpjekje si një "mision të shenjtë".

Inaugurimi i "Alb-Libris" u bë qëllimisht në ditëlindjen e shkrimtarit, si një homazh për të.

Në intervistë, botuesi ndau me emocion edhe kujtimet nga takimi i fundit me mikun dhe autorin e tij.

Vetëm pak ditë para se të ndërronte jetë, pas një takimi me miq në lokalin e preferuar, fjalët e fundit që Kadareja i tha Hudrit ishin "Bujar, shumë faleminderit".

Një lamtumirë e thjeshtë por domethënëse që ka mbetur thellë në kujtesën e botuesit.

Hudhri preku edhe disa çështje delikate, si pretendimi i tij për vonesën e ambulancës ditën kur Kadareja u nda nga jeta, duke sqaruar se shqetësimi i tij buronte nga ankthi i momentit dhe jo nga një akuzë direkte.

Sa i përket personalitetit të tij, Hudhri e përshkruan Kadarenë si një njeri serioz, të qetë dhe imponues në respekt, por që kishte një botë të pasur të brendshme dhe një marrëdhënie të veçantë me fëmijët, të cilët i shihte si "lexuesit e ardhshëm".

I pyetur për librin e preferuar të Kadaresë, botuesi veçoi romanin "Hija", një vepër e shkruar për të mos u botuar në atë kohë dhe e nxjerrë nga Shqipëria si dorëshkrim nën emrin e një autori gjerman, Siegfried Lenz, për të treguar se si do të shkruante Kadareja po të ishte i lirë.

Për Hudhrin, puna e tij me veprën e Kadaresë dhe tani me shpërndarjen e librit shqip në diasporë, është vijimësia e një misioni që synon të mbajë gjallë ndërgjegjen kombëtare përmes letërsisë.

Ndiq intervistën e plotë:

 

Të fundit