Flash News

KRYESORE

Gafat më ‘pikante’ të politikanëve shqiptarë gjatë vitit 2022

Gafat më ‘pikante’ të politikanëve shqiptarë

Politika shqiptare, sikurse çdo vit, bëhet virale për deklaratat pikante të deputetëve ose gafat që disa prej tyre i bëjnë nga foltorja e Kuvendit dhe jo vetëm.

Një të tillë, me ose padashje, e bëri edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro. Teksa po i raportonte kryeministrit, Edi Rama projektin e rrugës Kardhiq-Delvinë, Kumbaro tha se po të shtojmë dhe dy investimet që janë bërë me Tepelenën, Vlorën dhe Himarën tashmë shtëpitë e Gjirokastrës, Përmetit dhe Tepelenës janë me pamje nga deti.

“Është revolucion sa i përket hartës turistike. Itinerari ka qenë vetëm me një kah, Gjirokastër ose Sarandë. Ka një ofertë më të madhe që e kapin në harkun e gjysmë ore. Po të keni parasysh lidhjen e Përmetit me Ersekën dhe Korçën, lidhin detin me malësinë e Korçës. Po të shtojmë dhe dy investimet që janë bërë me Tepelenën dhe Vlorën dhe Himarën, praktikisht shtëpitë në Tepelenë, Gjirokastër e Përmet janë me pamje nga deti”, tha Kumbaro.

Deputeti demokrat Edmond Spaho bëri një lapsus teksa i renditi në sy kryeparlamentares Nikolla, ofendimet që Rama i drejtoi deputetëve të opozitës.

Spaho u ngatërrua dhe në vend të thoshte togfjalëshin “kam vrarë mendjen” tha nga foltorja e Kuvendit “kam vrarë veten”.

“Unë Nolin dhe Konicën nuk e kam lexuar aq sa Elisa. Gjithmonë kam vrarë veten kur dëgjoja sharjet e kryeministrit. Kam vrarë mendjen, po mirë lapsus. Kërkoj ndjesë ju që po qeshni. Kam vrarë mendjen sikur Edi Rama te kishte jetuar në atë kohë, si do ia kishin vënë emrin?”, u shpreh Spaho.

As kryeministri Edi Rama nuk i ka shpëtuar gafave. Kreu i qeverisë teksa prezantonte paketën e rezistencës sociale iu referua skemës së fermerëve duke thënë “vitin e ardhshëm” në vend të thoshte “vitin e kaluar”.

“Përmes aplikimeve të fermerëve, skema ka edhe një tjetër efekt pozitiv që siç ndodhi vitin e ardhshëm po konfirmohet dhe sivjet, po rrit në mënyrë të ndjeshme formalizimin dhe po ndihmon kësisoj që të zgjerohet i gjithë,” tha Rama ndër të tjera.

Një ‘incident’ i vogël ndodhi në takimet e kryetarit të PD-së Sali Berisha gjatë kohës kur zhvillonte Foltoren. Gjatë prezantimit të kandidatit të “Shtëpisë së Lirisë” në Vorë, Lulzim Vrana, përfaqësuesi bën një ngatërresë në prezantim. Ai u shpreh se “kandidati ynë është Lulzim Basha”.

“Së bashku në datën 6 mars të nxjerrim kandidatin tonë z. Lulzim Basha” është shprehur ai, por e ka kuptuar menjëherë gafën, duke vijuar: “z. Lulzim Vrana, kryetarin e bashkisë së Vorës”.

Në garën për 6 marsin (zgjedhjet e pjesshme vendore në disa bashki), kandidati i Bashës për kryetar bashkie, Luan Hoti, ra pre e gafës. Në një intervistë televizive, Hoti teksa po tentonte të nxirrte në pah vlerat e fushatës zgjedhore u ngatërrua duke bërë një deklaratë aspak të kuptueshme.

“Jo, besoj nuk do ta kem problem. Sepse babai dhe bashkëshorti i gruas sime, babai i fëmijëve dhe babai i tyre është i rënduar në një fushatë pozitiviste”, tha Hoti.

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, u bllokua teksa mori fjalën në foltoren e Kuvendit për të folur mbi pasojat e luftës ruse në Ukrainë në ekonominë globale, përfshirë edhe Shqipërinë. Krifca pati një moment ‘konfuziteti’ gjatë fjalimit dhe e rinisi atë për ta bërë më të qartë mendimin që donte të shprehte.

“E nderuar kryetare e seancës, të nderuar ministra. Është e rëndë të thuash që kjo luftë në fakt nuk vjen për shkak të…që….Edhe njëherë ndjesë. Është e rëndë në fakt të thuash që kjo krizë çmimesh me të cilën ne sot përballemi nuk vjen në fakt për efekt të luftës me të cilën po përballen dy, superfuqi botërore edhe të prodhimit bujqësor”, tha ministrja Krifca pasi përsëriti edhe njëherë hyrjen e fjalimit të saj.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, në konferencën e fundvitit me gazetarët, iu referua deputetin Enkelejd Alibeaj si ‘AliBasha’. Këtë nofkë përdor kryedemokrati Sali Berisha për t’iu drejtuar Alibeajt, ‘sindromë’ që siç duket e ka marrë edhe socialisti.

“Duhet të jetë alternativë e besueshme. Kemi po të njëjtin njerëz. Dy figurat kryesore që kanë marrë flamurin opozitar. Ndërkohë kemi një grupim tjetër që është i përçarë që formal legal që drejtohet AliBasha.. Alibeaj, jo, jo Alibeaj. Ndjesë”, tha Gjiknuri.

Të fundit