Flash News

KRYESORE

Gjekmarkaj tallet me ‘ministrat e inceneratorëve’: “Në lëndinën barëbutë, hedhin valle tre hajdutë” (fjala e plotë)

Gjekmarkaj tallet me ‘ministrat e inceneratorëve’:

Nuk e di kush do të jenë përfituesit e parë të kësaj marrëveshjeje me Spanjën, vështirë ta thuash, se Ymer Agë Ulqinin e fali Mbreti?!

Të jetë Gugallja që vrapoi si Sorkadhja apo Zoto që ndihet Zot, se nuk e njeh më qeni të zonë?

Do jenë  dy ministrat që do të arratisen, apo Agaçi që lë pa pergjigje shefen e prokurimeve publike per inceneratoret në këtë histori tragjike, turpi, babëzie e korrupsioni, këtë armik agresiv e vrases të çdo perspektive shqiptare?

Sigurisht në këtë sallë ka edhe njerez të ndershëm, por nëse nuk reagojmë sot kundër një orteku korruptiv, qe rrezikon të na shtypë të gjithve moralisht dhe të na rrënojë si shtet, një ditë  së afërmi nga shoqëria do përfundojmë të konsideruar, me apo pa faj, të gjithë hajdutë!

Ne e kemi në krah vjedhjen e shekullit. Ne ja ndiejmë fuqinë marramendëse të poshtërsisë. Ne e shohim edhe lepurin që vrapon, siç di ai, me një bark prej llastiku që nuk mbushet kurrë, frikësuar nga vëmendja e opinionit public, i cili çmeritet pa sadisfaksionin e drejtësisë.

Po nëse nuk ja dalim të ndalim hajdutët e inceneratorëve secili prej nesh rri kot në këtë sallë, thjesht vegjeton dhe shndërrohet në kandidat për hajdut.

Ne të gjithë bashkë duhet të bëjmë diçka që era e ndyrë e korrupsionit, qelbësira e kësaj lëngate, të mos mbulojë çdo aromë të këtij vendi.

430 milion euro u morën nga paratë e shqiptarëve, të një populli të tërë ku shumë pensione i ka ende edhe nën 100 mijë lek të vjetra, i cili udhëton krah për krah me varfërinë për të pasuruar nja 10 a 20 shqiptarë të tjerë me pushtet, ose miq zemre të pushtetit.

Nga natyra pushteti është sentimentalist, selektiv, represiv dhe për të respektuar sevdatë e veta, zgjedh, shtyp e merr tek shumica për t’i dhënë para pakicës.  

Këta janë Robin Hudët e Rilindjes, që ndryshe nga ai i legjendave angleze, jua marrin të varfërve për t'ja dhënë Zotos që s’ka Zot dhe Gugalles që gugat, të cilët kanë huazuar veç emrin.

Me gjasë paraja ngjan me letren higjenike, për të cilën ka gjithmonë një urgjencë, kur duhet -duhet.

Këta miliona euro, shumë milona euro u duhen klientëve të qeverisë e atyre që i mbështesin atërisht brenda saj se jeta ka halle. Lek i bardhë në ditë të zezë për derte e andralla, pushime e punë të mbara, fëmijët po rriten, trashigimia u bën derman në këtë botë me njerëz nopran. 

Ndaj firmosin teksa mullari me euro bëhet mal e meqenëse nuk shkon mali te Qeveria shkon Qeveria te mali, sepse paraja vërtetë nuk u jep lumturinë, por ju qeteson nervat.

Besoj këtu janë disa njerëz të qetë që ta ka ënda t’i shikosh.

Tre inceneratorë, dy në leter që nuk ekzistojnë, ai i Fierit dhe i Tiranës, dhe një me pushime lindjeje, ai i Elbasanit, të cilit kryemjeku i Atdheut i ka dhënë raport që të mos bëjë punë muaj e vite. Por, 430 milion euro ama u janë marrë shqiptarve.

Ato u bënë pluhur as nishan, as kujtim as vegim. Një ministër është në burg nën hetim, dy të tjerë dridhen këtu jashtë si purteka. Falë insistimit të Opozitës dhe mbështetjes së faktorit më relevant ndërkombëtar komisionit për inceneratoret nuk ju mbyll goja dhe shqiptarët çfarë nuk po shohin.

Persona që çojnë supet, të tjerë që thonë, nuk e di, nuk e di, desh vdiqa me zunë pusi. Ndonjë  qan me denesje, dikujt i thahet gjuha e lyp ujë, nëmeni  ujë se plasa se me kanë zënë nën rrasa.

Një tjetër psherëtin:

“Kur dalin plakat në lëmë,

qaj nëno, qaj moj nënë..

O me çitjanet nëpër këmbë,

qaj nëno, qaj moj nënë..

Me çitjane nëpër këmbë

qaj nëno, qaj moj nënë.." !

Një tip, pak i tromaksur, djersit teksa qitapet me rrogën disa milionëshe,  Jorida, e cila tashmë ju duket si shtriga, ju ka vënë mbi tavolinë  dhe ai zvoglohet bëhet si gardelinë.

Një drejtoreshë e madhe vikat: Agaçi i di këto punë, se unë isha në gjumë. Ne jemi duart me gishta të gjatë, vikat e shkreta, duke parë që s’ka me ditë të lehta.

Sekretarët e përgjithshëm në Qeveri dhe në seli kanë rënë në zi.

Në Itali një gjeneral zihet rob, gjeneral Lisi keq punët bitisi, 30 dynym tokë kishte marrë i uruari në bregdetin e Vlores, dy pende qe e një mushk me reformën agrare të iniciuar nga Rilindja për dashamirët e saj.

Shqipëria pret me ankth rrëfimin e Kryeministrit para komisionit, qysh do justifikohet, qysh do mbrohet, qysh fajin do hedhë mbi samarët teksa fsheh gomarët. 430 milion euroi i hengri dheri apo i mori byrazeri?

Me mallëngjim presim rrëfimin e Ahmetajt dhe me kureshtje atë të Gjiknurit.

430 milion euro me të cilat mund të bëheshin të reja të gjitha spitalet e Shqipërisë, shkollat që u mbyllen kur këndej kaloi i ftohti, zgjerimi i rrugës Tiranë -Shkodër, rritje rrogash e pensionesh, që nuk lëvizin prej 9 vitesh, që i kishim e nuk i kemi se def i bëri korrupsioni.

Po pse vjedhin? Se janë budallenj e nuk e dinë çfarë bëjnë? Jo, aspak, janë të zgjuar se paraja është marifet e lezet.

Ajo të bën me krahë si pije energjetike. Ajo të bën të ndihesh i mençur, edhe kur je dudum e merhum, ajo të bën të bukur e me krahë si flutur, ajo të bën delikat e aristokrat, ajo të jep status social, ajo të fërkon barkun me havjar e verë qelibar, ajo gëzon fëmijet që maten me hijet, ndaj inceratoret janë të ëmbël e të dlirë se 20 vetave jua bëjnë jeten më të mire.

Po tre milion shqiptarëve të tjerë? Sigurisht më të zezë, më fyese, se nuk u vjedhin vetëm paranë, por edhe të drejtën, edhe shpresën, edhe votën e dinjitetin, edhe dëshirën për të jetuar në këtë vend. Inceneratorët nuk mund të djegin mundin dhe djersën e shqiptarëve, ata duhet të djegin mbetjen më ndotëse në këtë vend: Qeverinë dhe hirin e saj duhet ta vendosë SPAK-u në muzeun e dështimeve të veta.

Jeni kapur me presh  dhe vendi po shkon për lesh. Nga uria që keni po hani Shqipërinë dhe të ardhmen e saj, e bashkë me të vetveten. E keni filluar me thonjtë në komision.

Siç e do zakoni, ju përshëndes me këngën popullore:

në një stan atje në lug,

zonj' e stanit zinte bukë.

Në lëndinën barëbutë

hedhin valle tre hajdutë.

 

Të fundit