Flash News

KRYESORE

Harta/ Ku dominojnë vrasjet, k*kaina dhe pastrimi i parave? Korrupsioni i bandave shqiptare 'paralizon' Amerikën e Jugut

Harta/ Ku dominojnë vrasjet, k*kaina dhe pastrimi i parave? Korrupsioni i

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar dje raportin e punës për vitin 2023, ku ka bërë edhe një analizë të aktivitetit, shtrirjes dhe veçorive tipike të grupeve kriminale shqiptare.

Nga hetimet e SPAK rezulton se grupet shqiptare janë poli-kriminale dhe kanë shtrirje edhe në tregjet ndërkombëtare kriminale kryesisht në Amerikën e Jugut, Bashkimin Evropian (BE) dhe Britaninë e Madhe. Prezenca e tyre në Shqipëri, dhe ndikimi në zonat ku ato veprojnë në komunitet vijon të mbetet i konsiderueshëm.

HARTA E TREGJEVE KRIMINALE

Analiza e tregjeve kriminale në Shqipëri tregon një realitet për tu shqetësuar, thekson SPAK në raport.

Nga hetimet e këtij viti, janë evidentuar grupe me aktivitet kriminal në Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Elbasan, Kurbin dhe Fushë-Krujë. Në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave.

Trafiku i narkotikëve është një problem i dukshëm në rrethet e Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Fierit dhe Kurbinit. Në disa qytete si, Durrësi, Shkodra, Laçi dhe Fushë-Kruja, është evidentuar korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë.

Vrasjet dhe vrasjet e mbetura në tentativë janë vënë re më shumë në qytete si, Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan. Këto vepra penale janë tregues i një tendence në rritje të dhunës dhe kriminalitetit në këto zona.

Në zonën e Fushë-Krujës, evidentohen gjithashtu raste të blerjes së armëve dhe lëndëve shpërthyese, por dhe makinave të vjedhura të cilat shërbejnë si mjete për kryerjen e vrasjeve.

Harta/ Ku dominojnë vrasjet, k*kaina dhe pastrimi i parave? Korrupsioni i

TREGJET KRIMINALE NDËRKOMBËTARE

Amerika e Jugut

Siç edhe u citua më lart, grupet kriminale janë të pozicionuara në Amerikën e Jugut ku më pas, përmes lidhjeve me grupet kriminale shqiptare të aktivizuara në tregjet kriminale të BE-së, Britanisë së Madhe dhe Ballkanit Perëndimor, ato arrijnë të eksportojnë sasi të konsiderueshme të narkotikëve dhe të një cilësie të lartë për grupet shqiptare, por dhe ato të kombësive të tjera. Këto grupe kriminale kanë arritur të pozicionohen mjaft mirë në disa shtete të Amerikës së Jugut dhe me sukses po konkurrojnë edhe organizatat kriminale vendase. Vihet re se, grupet kriminale shqiptare, kanë arritur të korruptojnë dhe të kenë akses në nivele të larta qeverisëse, të korruptojnë segmente të agjencive ligjzbatuese dhe të krijojnë mekanizma mbrojtës efektiv.

Bashkimi Evropian

Grupet kriminale shqiptare janë mjaft aktive në tregjet e trafikut të narkotikëve në BE, kryesisht në trafikun e kokainës, heroinës, marijuanës dhe hashashit, por dhe në tregje të tjera kriminale si, në trafikimin e mallrave të kontrabanduar dhe kryerja e transaksioneve me anë të mashtrimit kompjuterik (call center).

Itali

Grupet kriminale shqiptare janë aktive thuajse në të gjitha rajonet e Italisë, dhe nga hetimet e kryera në bashkëpunim me agjensitë partnere, gjatë vitit 2023 janë evidentuar aktivitete kriminale, të cilat kryheshin në Puglia, Toskana, Lombardi, Piemonte dhe Friuli-Venecia Giulia.

Beneluks

Edhe gjatë vitit 2023, janë evidentuar aktivitete të grupeve kriminale shqiptare në Belgjikë dhe Holandë. Ajo që vihet re është se, këto grupe kanë lidhje ose janë zgjatues të grupeve kriminale shqiptare, të cilët janë rezident në Amerikën e Jugut dhe i përdorin portet e zonës së Beneluksit për të trafikuar më pas kokainën në BE dhe Britaninë e Madhe. Vihet re gjithashtu se, grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë aktive edhe në rritjen e plantacioneve me kanabis, kryesisht në Belgjikë, në zonat Saint-Josse-Ten-Noode dhe Antwerp. Në Holandë, grupet kriminale shqiptare janë më aktive në Roterdam, për shkak edhe të portit më të madh hyrës në Beneluks.

Francë

Sipas hetimeve të përfunduara në vitin 2023, u evidentua një grup kriminal shqiptar me një strukturë të organizuar dhe të sofistikuar, i cili operonte në territorin e Francës dhe Shqipërisë në trafikimin e mallrave të kontrabanduara dhe pastrimin e parave. Struktura e këtij grupi kriminal tregon se, edhe tregjet kriminale në Francë përbejnë interes për grupet kriminale shqiptare. Vihet re se, territori i shtetit francez është shfrytëzuar gjithashtu si një vend strehimi nga drejtues të organizatave kriminale të rëndësishme, të cilët i janë fshehur ndjekjes penale në Shqipëri.

Spanjë

Një vend tjetër i BE-së, ku grupet shqiptare kanë qenë aktive është edhe Spanja. Gjatë vitit 2023,janë evidentuar grupe shqiptare të përfshira kryesisht në trafikun e kanabisit dhe në fushën e kryerjes së transaksioneve me anë të mashtrimit kompjuterik. Spanja ka shërbyer gjithashtu, si një nga pikat kyçe të lëvizjes së kokainës nga Amerika e Jugut për në tregjet kriminale të BE-së. Kryesisht grupet shqiptare garantojnë sjelljen e sasive të kokainës nga Ekuadori në portet e Spanjës, (p.sh. portin e Algeciras), duke e fshehur atë në ngarkesa produktesh të ndryshme (p.sh. frutash ekzotikë, banane, peshk etj.). Spanja është një ndër vendet, ku gjithashtu, grupet kriminale shqiptare, në bashkëpunim edhe me grupe të tjera kriminale, po investojnë në pastrimin e produkteve kriminale.

Harta/ Ku dominojnë vrasjet, k*kaina dhe pastrimi i parave? Korrupsioni i

Të fundit