Flash News

KRYESORE

“U arrestova me urdhër të Ballukut” – Semanjaku në Politiko: Blinken me standard të dyfishtë, ndërkombëtarët kanë dështuar

“U arrestova me urdhër të Ballukut” – Semanjaku

Fation Semanjaku ka kritikuar qëndrimin e ish-Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, duke ngritur dyshime për një qasje të pabarabartë në raport me zhvillimet politike në Shqipëri dhe duke vlerësuar se faktori ndërkombëtar “ka dështuar” në menaxhimin e krizave.

Në një intervistë për Politiko.al, Semanjaku thotë se ndërhyrjet e jashtme nuk kanë zgjidhur problemet politike në Shqipëri, por përkundrazi i kanë bërë ato më të ndërlikuara.

Ai argumenton se i është drejtuar publikisht Blinken-it për shkak të rolit të tij në vendimmarrje që, sipas tij, ka ndikuar drejtpërdrejt në realitetin politik shqiptar, përfshirë edhe çështjen e sanksioneve ndaj Sali Berishës.

“Sa herë kemi turbulenca të brendshme, tregojmë papjekurinë, ndoshta edhe paaftësinë për t’i zgjidhur mes nesh dhe në ndihmë thërrasim faktorin ndërkombëtar. Sot mund ta them me plot gojën se edhe ata kanë dështuar. Unë iu drejtova publikisht Antony Blinken sepse ai është një nga aktorët që ka ndikuar drejtpërdrejt në këtë realitet”, tha Semanjaku në Politiko.al.

Qëndrimin e Blinken në raport me Ramën dhe Berishën, Semanjaku e sheh me sy kritik si një qasje të dyfishtë.

“Ai nuk mund t’i përgjigjej asaj pyetjeje, sepse unë isha prova dhe isha aty përpara tij, në të njëjtin institucion. Ai u përgjigj për një pyetje që nuk ia bëra dhe për një vendim që nuk e ka marrë ai. Sepse përgjigjja e vërtetë do ta detyronte të pranonte një standard të dyfishtë. Nga njëra anë, një figurë pa pushtet sanksionohet për të kaluarën. Nga ana tjetër, një kryeministër në detyrë mbështetet dhe quhet ‘lider i shquar’, pavarësisht realitetit në terren”, shprehet Semanjaku.

Për arrestimin e tij para zgjedhjeve të 11 Majit, Semanjaku deklaron me bindje se ai është bërë me urdhër të drejtpërdrejtë të Belinda Ballukut. Ish-kandidati për deputet e sheh politikën si një mision për ekzistencën e Shqipërisë.

“Arrestimi im është bërë me urdhër të drejtpërdrejtë të Belinda Ballukut. Nuk e di nëse, përmes arrestimit, kërkonin të më frikësonin. Por nëse ky ka qenë synimi, sot janë më të bindur se kurrë në dështimin e tyre. Unë isha shumë i informuar për atë që më priste në terren dhe në përballje me “bandën e Belinda Ballukut” në Fier. Ka qenë një vendim jo i lehtë për mua, por e mora, sepse politikën e shoh si mision dhe situata ku ndodhet Shqipëria është shumë e rrezikshme, jo vetëm për të ardhmen, por edhe për ekzistencën e saj”, tha Semanjaku.

I pyetur nga Politiko.al nëse do të rikandidonte, Semanjaku u shpreh: “Do të garoj sepse kam një vizion të qartë dhe tashmë të bërë publik për Qarkun e Fierit. Dhe tashmë nuk jam vetëm që beson në të.”

Përgatiti Kristina Tepexhiku

Të fundit