Flash News

KRYESORE

Jo vetëm nga opozita, si u refuzua njëherësh komisioni 'Xhafaj' nga SPAK, Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë

Jo vetëm nga opozita, si u refuzua njëherësh komisioni

Ashtu si opozita, SPAK, Gjykata kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk kanë pranuar të jenë pjesë e Komisionit Antikorrupsion i drejtuar nga Fatmir Xhafaj.

Gjykata e Lartë

Në deklaratën zyrtare, Gjykata e Lartë argumentohet se nuk vlerësohet si zgjidhje e përshtatshme në përmbushje të misionit të Komisionit të Posaçëm.

Në një letër drejtuar Xhafajt, kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, thekson se ftesa për pjesëmarrje në këtë komision nuk është në përputhje me funksionin dhe misionin e gjyqtarit.

Gjykata thekson: “Duke marrë parasysh këtë funksion të Gjykatës së Lartë në raport me pushtetet e tjera, vlerësojmë se kërkesa për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të gjyqtarëve të kësaj Gjykate si anëtarë të një nëngrupi teknik, në varësi të Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë të Komisionit të Posaçëm, nuk është në përputhje me misionin e saj. Si e tillë, kjo kërkesë nuk vlerësohet si një zgjidhje e përshtatshme për përmbushjen e detyrave të Komisionit.”

Gjykata e Lartë shpreh gatishmërinë për të ofruar opinione lidhur me projektligjet që prekin funksionin e saj. Ajo ka vlerësuar se praktika e viteve të fundit ka treguar se propozimet për ndryshime në ligjet procedurale, të miratuara nga Kuvendi me kontributin e gjyqtarëve dhe këshilltarëve ligjorë të saj, kanë ndikuar pozitivisht në shpejtësinë dhe cilësinë e gjykimeve.

Në fund, Gjykata e Lartë thekson se është e vetëdijshme për rëndësinë e integrimit evropian të Shqipërisë dhe se, si një institucion i rëndësishëm në shtetin e së drejtës, është e gatshme të kontribuojë në këtë proces, duke ruajtur pavarësinë dhe paanshmërinë e saj.

 Gjykata Kushtetuese

Më herët, Gjykata Kushtetuese i tha “jo” kërkesës së Xhafajt për t’u përfaqësuar në komisionin e posaçëm parlamentar kundër korrupsionit.

Në përgjigje të Kuvendit, Holta Zaçaj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, argumenton se pjesëmarrja është në kundërshtim me rolin dhe funksionimin e GjK-së, i cili është vlerësimi i pajtueshmërisë së ligjeve dhe jo hartimi i tyre.


“Për shkak të funksionit tonë, nuk mund të marrim pjesë në aktivitete që lidhen me procese ligjvënëse, pasi kjo mund të sjellë në të ardhmen konflikt në ushtrimin e funksionit tonë në kontrollin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën”, thekson Holta Zaçaj – Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese.

 Refuzimi i SPAK

Pas gjykatës Kushtetuese edhe SPAK ka refuzuar pjesmarrjen e Komisionin Xhafaj.

Prokuroria e Posaçme, thekson se ky institucion e ka përbushur detyrimin e saj ligjor në marrëdhënien me parlamentin dhe nuk mund të dërgojë ekspertëtë saj në Komision.

SPAK thotë se prokurorët unanimisht kanë vendosur që nuk është e nevojshme pjesëmarrja në nivel ekspertësh.

"Prokurorët e Posaçëm nuk e konsideruan të nevojshme pjesëmarrjen me ekspert në këtë Komision, pasi vlerësuan se tashmë institucioni ynë i ka përmbushur detyrimet ligjore për bërjen publike të problematikave të hasura gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, duke përfshirë këtu dhe nevojat për ndryshime ligjore përkatëse. Ky detyrim ligjor është realizuar përmes publikimit të Raporteve Vjetore të SPAK në faqen zyrtare, si dhe raportimeve periodike përballë KLP-së dhe Kuvendit. Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme cilësoi se është e gatshme për të ofruar kontributin e saj përmes dhënies së mendimeve ligjore sa herë që do të konsiderohet e nevojshme nga ky Komision,” thotë SPAK për mediat.

Kujtojmë se ky komision u ngrit me kërkesë të qeverisë për një erë të re në përballjen me korrupsionin shtetëror. Që nga ngritja e tij, ai është bojkotuar nga opozita. Partia Demokratike e ka cilësuar si një komision që kërkon të rrisë kontrollin mbi organet e drejtësisë dhe veçanërisht mbi strukturën e posaçme, SPAK.

 

Të fundit