Flash News

KRYESORE

Koloreto Cukali në "Pasvon": Sheikët e Dubait, muzika shqiptare dhe fasada egoiste e Ramës

Koloreto Cukali në "Pasvon": Sheikët e Dubait, muzika

Skenaristi, poeti dhe publicisti Koloreto Cukali, një intervistë për “Pasvon” nga Alfred Lela foli për “sëmundjet” e shoqërisë shqiptare, duke prekur kulturën, muzikën, politikën dhe imazhin e të rinjve.

Cukali kritikon tendencën e artistëve për të krijuar muzikë të varfër në tekst, me qëllim të paturit një sukses ekonomik, më shumë se art e kulturë. Madje, ai u shpreh se varfëria e teksteve vjen si përgjigje për shijet e sheikëve të Dubait, të cilët janë fansa të muzikës shqiptare.

“Kjo vajza, këngëtarja, që bën tekstin sot do sukses ekonomik. Do të dëgjohet në diasporë, në kafenetë dhe resorantet e diasporës. Instiktivisht ti do njeriun që bën lekë. Ata meshkuj që kanë lekë dhe femrat që i shoqërojnë që kanë lekë. Si t’i qasesh këtyre? Me një mesazh sa më të thjeshtë, sa më vulgare. Pra, ky grupi i qejfit që hedh lekë, që mund të paguajë 200 euro- 300 euro një shishe shampanjë... Të gjithë artistët tanë që janë në kërkim nga drejtësia në përgjithësi janë në Dubai. Dhe artëdashësit më të mëdhenj të muzikës bashkëkohore shqiptare janë sheikët e Dubait. Kam dëgjuar që ka një kërkesë të madhe për artistët në Dubai. Prandaj tekstet janë të varfra dhe artistët e pasur.”

Kritik ishte edhe për qasjen që bëjnë mediat ndaj Festivalit të RTSh-së pasi sipas Cukalit, një nga ngjarjet më të mëdha kulturore të Shqipërisë, vijon të injorohet nga televizionet private.

“Festivali është një gjë shumë e bukur. Unë sa herë më thërrasin me lekë, pa lekë, unë shkoj gjithmonë. Është një nga gjërat më të mëdha kulturore, unë gjykoj, që ka Shqipëria. Një gjë që nuk shoh unë, është që nuk shoh fare reagim nga ato që ne quajmë elita televizive, përveçse në RTSH. Më vjen keq që ka një lloj injorimi të qëllimshëm nga enturazhi televiziv shqiptar për Festivalin. E para është injorimi i publikes, kultura që ajo që ndodh në televizionin tjetër nuk është puna jonë. Një televizion privat nuk ka pse të mos përmendë diçka të rëndësishme që ndodh në televizionin publik.”

Një tjetër shqetësim i Cukalit është nevoja e tepruar për të rënë në sy, pra, mania për të krijuar një stil autentik, sidomos nga vajzat.

“Gjëja që më shqetëson në Shqipëri është nevoja për të qenë autentik. Pra, për të rënë në sy si dikush ndryshe. Të gjithë mendojnë ose duan të bëjnë një gjë ndryshe. Në thelb, ne jemi kombi më homogjen në botë, fizikisht dhe mendërisht. Ti sheh vajza që kanë një lloj identiteti femëror dhe shkojnë e bëhen të gjitha njëlloj. Pra, kanë fytyrën njëlloj, hundën njëlloj, vetullat njëlloj, buzët njëlloj. Nuk e di pse ambicia, imazhi që duan të shëmbëllejnë është një i vetëm, gjithmonë në tentativën për të bërë një gjë ndryshe.”

Cukali u ndal edhe te politika, e konkretisht te kryeministri Rama të cilin e sheh si një “fasadë” të mbushur me egoizëm, ves që po pengon edhe Shqipërinë.

“I vetmi njeri që nuk ia ndjen kur e shajnë ose mendon se i rritet vlera është kryeministri. E kam votuar vetëm njëherë Edi Ramën. Në herën e parë kryetar bashkie dhe pas asaj unë nuk kam pasur, falë edhe fatit kur ti ke informacion nga brenda, dhe gjithë vitet prapa që erdhën nuk u hodha më asnjë shpresë te kryeministri. E kam takuar vetëm njëherë, në një tryezë për arsye pune. Nuk më dha asnjë gjë të re thjesht verifikoi gjithë gjënë që unë mendoja për të. Është një fasadë e madhe, për fatin tonë të keq. Është një fasadë që sado që përpiqet ai nuk do krijojë dot thelb për këtë vend. Shqipëria është një vend që i ngjan për fat të keq kryeministrit të vet. Ky zotëria këtu nuk do të heqë dorë nga vetvetja, për të bërë Shqipërinë. Është shumë i mbushur me egoizmin e vetë për të bërë Shqipërinë.”

 

Të fundit