Flash News

KRYESORE

‘Kürüm’, perandoria e skandaleve/ Nga akuzat për mbetje toksike te mashtrimi me qindra miliona euro

‘Kürüm’, perandoria e skandaleve/ Nga akuzat për

Zhvillimet e reja që kanë shpërthyer rreth kompanisë “Kürüm” duket se po rikthen në vëmendje një histori të gjatë dyshimesh, aferash dhe akuzash që e kanë ndjekur këtë kompani ndër vite, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj.

33 masa sigurie të lëshuara nga Prokuroria e Durrësit sot, konsiderohet një nga goditjet më të forta ndaj aktivitetit të saj dhe njëkohësisht një sinjal se hetimet po prekin jo vetëm biznesin, por edhe hallka të rëndësishme të administratës shtetërore.

ARRESTIMET

Operacioni i prokurorisë nuk u ndal vetëm te drejtues të kompanisë, por përfshiu edhe zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, punonjës të Doganave dhe persona të përfshirë në transportin dhe menaxhimin e mbetjeve industriale.

Vetë fakti që hetimi shtrihet në disa institucione sugjeron dyshime për një mekanizëm të organizuar që mund të ketë funksionuar për një kohë të gjatë.

Arresti shtëpiak ndaj ish-drejtoreshës së AKM-së, Arta Dollani, e cila konsiderohet si një figurë e afërt me drejtimin politik të ministrisë së Mjedisit, e ka shtuar edhe më shumë peshën politike të çështjes.

‘Kürüm’, perandoria e skandaleve/ Nga akuzat për

Në thelb të hetimit qëndron dyshimi se mbetjet industriale të prodhuara nga aktiviteti metalurgjik i “Kürüm” janë trajtuar dhe transportuar në mënyrë të paligjshme.

Bëhet fjalë për mbetje të klasifikuara si të rrezikshme, të lidhura me hirin e oxhaqeve metalurgjike, materiale që përmbajnë elementë të dëmshëm dhe që kërkojnë trajtim të specializuar sipas standardeve ndërkombëtare.

Dyshohet se këto mbetje janë transportuar përmes kontejnerëve, duke u maskuar ose duke shmangur procedurat ligjore, një praktikë që nëse provohet, përbën rrezik serioz për mjedisin dhe shëndetin publik.

JEHONA E SKANDALIT

Skandali mori dimension ndërkombëtar kur organizata mjedisore amerikane “Basel Action Network” ngriti alarmin për lëvizjen e dy anijeve të linjës “Maersk”, të cilat sipas sinjalizimeve kishin transportuar rreth 100 kontejnerë me mbetje të rrezikshme nga porti i Durrësit drejt Azisë.

Ndërhyrja e autoriteteve portuale në Singapor dhe bllokimi i kontejnerëve i dha çështjes një dimension global dhe shtoi presionin mbi institucionet shqiptare për hetim. Në këtë zinxhir u identifikua si eksportuese kompania “Sokolaj”, ndërsa burimi i mbetjeve rezulton të jetë “Kürüm International”.

Mashtrimi në Turqi

“Kürüm Demir” ishte një ndër kompanitë më të mëdha të prodhimit të hekurit në Turqi. Deri në vitin 2013, kur hekuri prodhohej kryesisht përmes mbledhjes së skrapit, kompania kishte të ardhura të mira dhe nxirrte mjaft fitim. Gjithçka ndryshoi pas vitit 2013, kur kompanive iu duhej që ta nxirrnin hekurin përmes përpunimit të pasurive nëntokësore. Kjo rriti kostot nga njëra anë duke ulur fitimin e kompanive, ndërkohë që nevojiteshin investime të mëdha për të qenë konkurrent në treg.

Siç raporton “Sabah”, ky ishte momenti kur kompania filloi të përballej me humbje, por drejtuesit e saj përdorën bilance fiktive për ta treguar kompaninë me fitime.

Përmes këtyre bilancëve dhe përdorimit të kompanive fantazmë për të treguar në mënyrë të rrejshme se kishte porosi të shumta, “Kürüm Demir” mashtroi bankat duke vijuar të marrë kredi edhe pse ishte në prag të falimentimit.

Më pas kompania aplikoi tek autoritetet e taksave dhe tatimeve për të shtyrë falimentin, ndërsa shiti pronat e saj tek kompanitë e tjera të hapura nën emrin e të afërmve të Haşmet Bedii Kürüm.

Synimi ishte që kur kompania të falimentonte, pronat të ruheshin dhe bankat të mos kishin se çfarë të sekuestronin.

Mashtrimi në Shqipëri

Gazeta turke “Sabah” shkruante se kompania mëmë “Kürüm” ia faturonte një pjesë të humbjeve të sa atje, filialit në Shqipëri “Kürüm International SHA”.

Për të mbuluar këto humbje, “Kürüm International SHA” në Shqipëri aplikoi përmes bilanceve fiktive për kredi tek disa banka shqiptare duke marrë prej tyre diçka më shumë se 210 milion euro kredi prej tyre

“Sabah” shkruan se bëhet fjalë për bankat “IFC”, “Raiffesein”, “Credit Europea”, “Societe Generale (tani OTP) dhe “NBG Bank”.

Drejtuesit e kompanisë akuzohen nga autoritetet turke për vepra të rënda penale si mashtrimi dhe pastrimi i parave.

Mashtrimi i kryer nga “Kürüm Demir” ka shkaktuar një shqetësim të madh në Turqi, në një moment kur sektori bankar është në vështirësi të mëdha për shkak të problemeve të mëdha ekonomike që po kalon vendi, të cilat po shoqërohen me rritje te shpejtë të kredive me probleme.

Mbetet për t’u parë se si do të jetë reflektimi në Shqipëri i këtij mashtrimi, i cili vetëm nga bankat shqiptare ka “përpirë” 210 milion euro.

Të fundit