Flash News

KRYESORE

Kush i përdor më shumë rrjetet sociale në Shqipëri? Meshkujt për lajme dhe sport, femrat për stil jetese

Kush i përdor më shumë rrjetet sociale në Shqipëri?

Në fillim të vitit 2025, Shqipëria numëronte rreth 1.41 milion identitete përdoruesish të mediave sociale, sipas të dhënave të publikuara nga Data Reportal.

Kjo shifër përfaqëson 50.7% të popullsisë së përgjithshme të vendit dhe 63.4% të shqiptarëve mbi 18 vjeç. Por kush i përdor më shumë rrjetet sociale – meshkujt apo femrat?

Të dhënat tregojnë qartë një epërsi të meshkujve, të cilët përbëjnë 56.2% të përdoruesve të mediave sociale, ndërsa femrat zënë 43.8% të audiencës digjitale.

Facebook dhe Instagram – terren i fortë për meshkujt

Sipas të dhënave të Meta-s, Facebook numëronte 1.20 milion përdorues shqiptarë në janar 2025, duke mbuluar 43.1% të popullsisë së përgjithshme dhe 50.4% të përdoruesve të internetit.

Në këtë platformë, 60.7% e audiencës ishin meshkuj, ndërsa femrat përbënin vetëm 39.3% – një diferencë e ndjeshme që e bën Facebook-un rrjetin më të dominuar nga burrat në Shqipëri.

Edhe në Instagram, ndonëse raporti është më i balancuar, meshkujt sërish janë në avantazh, me 53% të përdoruesve, kundrejt 47% të femrave. Platforma kishte po ashtu 1.20 milion përdorues aktivë, duke ruajtur të njëjtin nivel si në fund të vitit 2024.

TikTok, aplikacioni më gjithëpërfshirës

Në anën tjetër, TikTok është rrjeti më i gjerë për nga mbulimi – me 1.41 milion përdorues të moshës 18 vjeç e lart, që përbëjnë 63.4% të të gjithë të rriturve në Shqipëri.

Edhe këtu, meshkujt mbeten shumicë, me 56.2% të audiencës, ndërsa femrat përfaqësojnë 43.8%.

Por përveç se janë shumicë, meshkujt shqiptarë rezultojnë edhe më aktivë në përdorimin e rrjeteve sociale — jo vetëm për komunikim, por edhe për informim, sport dhe përmbajtje argëtuese.

Femrat janë më të përfshira në ndërveprim shoqëror, krijim përmbajtjeje dhe platforma vizuale si Instagram e TikTok, të cilat përdoren shpesh për modë, udhëtime dhe stil jetese.

Të fundit