Flash News

KRYESORE

Nën hijen e mafies: Si u ngrit narko-shteti shqiptar? Klanet marrin tendera në këmbim të votave

Nën hijen e mafies: Si u ngrit narko-shteti shqiptar? Klanet marrin tendera

Disa e quajnë Shqipërinë një “narko-shtet”. Dhe duke parë dokumentet e hetimeve, dëshmitë e prokurorëve dhe raportet e Europol-it, ky përkufizim nuk duket aspak si ekzagjerim, shkruan “Il Mattino”.

Historia e këtij realiteti të errët nis në fillim të viteve ’90, në kohën e rënies së regjimit komunist, kur mijëra shqiptarë të varfër e të dëshpëruar kaluan detin drejt Italisë. Shumë prej tyre kërkonin një jetë më të mirë. Por të tjerë gjetën “shkollën e krimit” mes rrugëve të Napolit, Romës e Barit — përkrah Camorristëve, anëtarëve të Ndrangheta-s dhe Sacra Corona Unita-s.

Nga bashkëpunëtorë të vegjël, shqiptarët u bënë së pari kontrabandistë dhe trafikantë, më pas vrasës me pagesë dhe në fund baronë të drogës. Ishin të heshtur, të disiplinuar dhe të pamëshirshëm. Në pak dekada, këta “nxënës” të mafias italiane ndërtuan perandoritë e tyre, duke u shndërruar në një fuqi kriminale transnacionale.

Në fillim ishte marihuana, që kultivohej masivisht në Shqipëri dhe eksportohej drejt Italisë. Më pas erdhi heroina, falë lidhjeve me mafian turke. Sot, sipas kryeprokurorit të Napolit, Nicola Gratteri, grupet shqiptare janë kthyer në ndërmjetës ndërkombëtarë të kokainës, me ndikim që shtrihet nga Amerika Latine deri në portet e mëdha të Evropës.

“Ata menaxhojnë një pjesë të madhe të kokainës që shitet në kontinent dhe kontrollojnë pothuajse të gjitha qendrat e shpërndarjes në Londër,” – thekson Gratteri. “Falë aleancës me ‘Ndrangheta-n’, kanë arritur të vendosen edhe në Ekuador, Kolumbi e Brazil.”

Ashtu si klanet kalabreze, klanët shqiptare nuk pendohen. Familja është ligj. Besnikëria është absolute. Çdo gjë tjetër është e zëvendësueshme.

Një ish-anëtar i Ndrangheta-s i përshkruan kështu: “Ata janë të besueshëm, janë të pamëshirshëm, janë seriozë, janë me një fjalë. Janë më të besueshëm se Camorristi. Ky është një tipar themelor. Kur flet me ta, ata nuk janë aq të zhurmshëm sa romakët; ata nuk gjestikulojnë, nuk pozojnë. Oferta e tyre është e gjerë dhe e dobishme. Ata kanë gjithçka: marihuanë, heroinë, kokainë, AK-47, granata dore, Uzi, pushkë, pistoleta.”

Në luftën e përgjakshme të Secondigliano-s, midis viteve 2003 dhe 2005, shqiptarët ishin krah për krah me klanet italiane. Hetuesit e kohës tregojnë se kishin formuar skuadra ekzekutimi që zbatonin urdhra pa asnjë hezitim.

Në dekadat e fundit, ndikimi i këtyre rrjeteve ka kaluar kufijtë e botës së nëndheshme. Në Shqipëri, disa prej “bosëve të rinj” kanë krijuar marrëdhënie me politikanë dhe biznesmenë lokalë, duke siguruar kontrata, leje ndërtimi dhe mbështetje elektorale në këmbim të favoreve.

“Ata blejnë gjithçka: hotele, restorante, klube plazhi. Paraqiten si sipërmarrës të ndershëm, por pas fasadës pastrojnë miliona. Në vendin e tyre, bëjnë çfarë të duan”, dëshmon një ish-anëtar i Ndragheta-s.

Gazetari investigativ italian Nello Trocchia, në librin e tij Invincibili, përmbledh më saktë se kushdo ngritjen e këtij fenomeni: “Nga Ekuadori në Itali, nga Evropa në Dubai, ka një flamur që valëvitet në botën e krimit — dhe është flamuri shqiptar.”

Kjo nuk është thjesht një histori për trafik droge. Është rrëfimi i transformimit të krimit shqiptar në një sistem global, që përzien strukturën e mafies me hijet e shtetit. Një sistem që, siç e përshkruan Trocchia, “nuk kërkon më të fshihet – sepse tashmë është pjesë e realitetit”.

Klanet e Tiranës dinë si të krijojnë aleanca me politikanët për të siguruar kontrata dhe leje në këmbim të votave dhe favoreve: historia kriminale e bosëve shqiptarë, "ngritja e atij lloji të veçantë të mafies na shqetëson të gjithëve. Sepse nga Ekuadori në Itali, nga Evropa në Dubai, ka një flamur që valëvitet në krim, dhe është shqiptar".

Të fundit