Flash News

KRYESORE

Nga ‘Flasim’ te ‘Jeta përtej politikës’, ku ndryshojnë dhe ku bashkohen podcast-et e Ramës dhe Berishës

Nga ‘Flasim’ te ‘Jeta përtej politikës’, ku

Çdo prag zgjedhjesh, partitë politike sfidojnë njëra-tjetrën me risi dhe gjetje që të ‘godasin’ sa më në shenjë elektoratin që synojnë.

Në prag të 14 majit, zgjedhjeve lokale, fillimisht kryeministri Edi Rama njoftoi ndjekësit e tij në rrjetet sociale se do të hapë një podcast dhe pjesë e tij thotë se do të jenë njerëz të njohur dhe të panjohur.

Rama e ka quajtur atë “Flasim” dhe shton se të ftuar do të jenë shqiptarë pjesë e skenës publike dhe jo vetëm, madje të huaj dhe kundërshtarë të tij nëse e pranojnë ftesën.

Është një eksperiencë e re për mua dhe ju. “Flasim” është podkasti im menduar për të folur lirshëm në praninë tuaj me njerëz të njohur a të panjohur. Personazhe të skenës publike, politikës, artit, kulturës, medias, shqiptarë, të huaj, miqësorë apo jo ndaj meje, por edhe protagonistë të jetës shqiptare, aty ku nuk hyjnë sytë e vëmendjes publike. Madje edhe kundërshtarë pse jo nëse e pranojnë ndonjëherë ftesën. Kjo është dëshira”, shkruan Rama.

Pak ditë pas tij, një podcast njofton edhe kreu i PD, Sali Berisha të quajtur "Jeta përtej politikës". Berisha vë theksin se kjo rubrikë është nisur prej tij që në dhjetor të vitit që lamë pas, por e ka shtyrë për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur deri tani.

 “Të dashur miq të komunitetit të madh të rrjeteve sociale Facebook, Instagram dhe Tik Tok. Që prej dhjetorit, kam në ‘sirtarin’ tim dixhital të komunikimit me ju, edhe podcast-in tim të përjavshëm. Ngjarjet e kanë shtyrë këtë takim të ri me ju në një format tjetër, por duke filluar nga sot do të shihemi edhe në këtë dritare të re.

Mora vesh se edhe Edi Rama do ketë podcast. Si gjithmonë disa hapa pas meje, por ju e dini se unë kam një pasion të veçantë për teknologjinë dhe risitë e saj.

Kam menduar që komunikimi me ju në podcast të përqendrohet kryesisht në çështje jo politike, në Sali Berishen qe ju nuk e keni njohur dhe këtë e provon edhe ky episod i parë, i regjistruar në dhjetorin e kaluar.

Meqë Rama paska thënë se është gati që të debatojë edhe me kundërshtarin politik, një ftesë që unë ja kam bërë prej kohësh në studiot televizive, ia përsëris tani  publikisht, që ta bëjmë debatin të cilit ai i shmanget. Ku të dojë ai, në podcast-in tim apo të tijin.

Mendoj se politikanët duhet të ballafaqojnë pikëpamjet e tyre. Uroj të gjejë kurajo dhe të pranojë ftesën time. #sb”, shkruan Berisha.

Ku ndryshojnë dhe ku bashkohen

Në podcast-in e kryeministrit, Rama bëri të ditur se do të jenë të ftuar njerëz të njohur dhe të panjohur, madje edhe kundërshtarë të tij.

Nga ana tjetër, Berisha thotë se kjo rubrikë do të shërbejë si një dritare e re komunikimi me qytetarët dhe do të përqendrohet kryesisht në çështje jo politike.

Ajo që i bashkon nismat e dy rivalëve është se podcast-et e tyre do t’i shfrytëzojnë si një arenë të re për t’u përballur edhe me kundërshtarët politikë.

 

Të fundit