KRYESORE

Nga Kryemadhi, Ndoka e Duka, humbja e PD përçan Bashën me aleatët

Nga Kryemadhi, Ndoka e Duka, humbja e PD përçan Bashën me

Fitorja e PS një mandat të tretë qeverisës, nuk solli vetëm humbje e opozitës në zgjedhjet e 25 prillit, por kryedemokratit, Lulzim Basha po i kushton edhe një përçarje mes aleatëve.

Ndërsa kreu i opozitës në fjalimin e parë pas rezultatit të zgjedhjeve, ku PS mori 74 mandate, PD 59, LSI 4 dhe PSD 3 kontestoi zgjedhjet, aleatët në reagimet e tyre kanë reflektuar, duke i vënë theksin gabimeve të së shkuarës.

Sipas aleatëve të Bashës, djegia e mandateve, bojkotimi i zgjedhjeve lokale të 2019-ës i kushtuan koalicionit humbjen dhe qëndrimin tashmë edhe për 4 vitet të tjera, 12 në total, në opozitë.  Sipas tyre, kryeministri Rama përfitoi prej strategjisë së gabuar.

Megjithatë, ndryshe nga Basha, aleatët duket se nuk i japin mbështetje në ‘betejën’ e kontestimit të zgjedhjeve, teksa i kanë kërkuar të njohë zgjedhjet.

I fundit në këtë linjë qëndrimi ka qenë kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka. Në një reagim në rrjetet sociale pasi uron PS për fitoren shkruan se Partia Demokratike dhe Lulzim Basha duhet të nxjerrin mësimet e duhura nga kjo humbje dhe të fitojnë në ndeshjen e radhës.

Këto vendime të gabuara na kushtuan shumë. Nuk mund të fajësojmë kundërshtarin politik përse përfitoj nga gabimet tona por përkundrazi, duhet të korrigjohemi për të mos i përsëritur ato në të ardhmen edhe pse unë i kam konsideruar të gabuara ato vendime e jam dakortësuar me ndërgjegje të plotë dhe për këtë fajësoj veten dhe jo të tjerët”, shkruan Duka ndër të tjera.

Një ditë më parë, edhe Nard Ndoka, kreu i ka konfirmuar se nuk do të udhëheqë më Partinë Demokristiane pas shtatorit. Ndoka tha se arsyeja kryesore e këtij vendimi ishte bashkëpunimi me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

“Unë e konsideroj mision të mbyllur, pasi i besova verbërisht Bashës. Edhe nëse opozita do të ishte fituese, prapë do ta bëja. Në shtator-tetor do mblidhet kongresi dhe do të zgjidhet kryetari i ri. I besova të ardhmen e PDK-së Bashës dhe kjo është e pafalshme për mua. Faji është imi, sepse i besova verbërisht Lulzim Bashës“ - është shprehur Ndoka në Top Talk.

Ai ishte i renditur i 8-ti në listën e PD-së në Qarkun e Shkodrës dhe arriti të merrte vetëm 228 vota preferenciale, duke mos arritur të marrë dot një mandat deputeti.

Më herët, edhe LSI, aleati kryesor i PD pati një reflektim pas zgjedhjeve. Kryetarja e LSI, Monika kryemadhi në fjalimin e parë pas zgjedhjeve tha se strategjia e gabuar i çoi drejt humbjes dhe konfirmoi se beteja vazhdon duke pranuar zgjedhjet.

Patëm një strategji të gabuar duke filluar nga djegia e mandateve, mosmarrja pjesë në zgjedhjet lokale, që i dha në dorë pushtetin Edi Ramës. Kjo gjë dhe koha, dhe ky rezultat, tregoi që shqetësimi i Presidentit ishte i drejtë për situatën ku ne ndodhemi sot, prandaj dua që në emër të LSI dhe timin personal, t’i kërkojë falje për këtë veprim dhe qëndrim.

LSI dhe qytetarët ishin përballë këtyre zgjedhjeve, përballë një pabesie të madhe, që e vuri Shqipërinë në një udhëkryq të rrezikshëm. I dha frymë bandave dhe krimit. I dha mundësi lëvizjeje oligarkëve dhe mediave të kapura nga oligarkët. Ne mbetemi të palëkundur në gjithë këtë proces. Jo vetëm që nuk do tërhiqemi, po do e vazhdojmë këtë betejë dhe më tutje”, tha Kryemadhi nga selia e LSI tri ditë më parë.

Të fundit