Flash News

KRYESORE

Nga lotaria te bashkimi familjar, gazetarja shqiptare në SHBA sqaron cilat viza preken nga vendimi i DASH

Nga lotaria te bashkimi familjar, gazetarja shqiptare në SHBA sqaron cilat

Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për pezullimin e vizave emigratore për 75 vende, përfshirë edhe Shqipërinë, ka krijuar paqartësi dhe shqetësim te mijëra qytetarë shqiptarë që janë në proces emigrimi drejt Shteteve të Bashkuara.

Për të kuptuar se çfarë nënkupton konkretisht kjo masë, cilat kategori preken dhe çfarë duhet të bëjnë aplikantët gjatë kësaj periudhe, Politiko.al ka zhvilluar një intervistë me gazetaren shqiptare në Washington DC, Klementina Cenkollari, e cila ndjek nga afër zhvillimet në SHBA.

Ajo sjell detaje mbi arsyet e vendimit, ndikimin te shqiptarët dhe hapat që duhet të ndjekin aplikantët në pritje të vizës.

Nga lotaria te bashkimi familjar, gazetarja shqiptare në SHBA sqaron cilat

Intervistoi: Suela Gjidede

Si gazetare që ndjek nga afër zhvillimet në SHBA, si ndikon ky vendim te shqiptarët që kanë aplikuar ose janë në proces për viza emigratore drejt SHBA-së?

Vendimi prek shqiptarët që duhet të merrnin vizë emigruese në bazë të lotarisë amerikane, përmes bashkimit familjar, martesave apo kategorive të tjera mbi të cilat përfitohet viza emigruese.

Shqipëria është në mesin e 75 vendeve për të cilat Departamenti i Shtetit ka vendosur pezullimin e vizave, në përputhje me një udhëzues më të gjerë, të lëshuar në muajin nëntor, që forconte rregullat për emigrantët e mundshëm që mund të kthehen në barrë financiare për taksapaguesit amerikanë.

Për të gjithë individët që janë në proces të vizitës emigruese, procesi do të 'ngrijë', derisa Departamenti i Shtetit të përfundojë rishikimin e procedurave të përpunimit të vizave.

Në një memo dërguar konsullatave dhe ambasadave ditën e djeshme, DASH njoftonte se po bën rishikim të plotë të politikave, rregullave dhe udhëzimeve për t’u siguruar që emigrantët të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të mos konsiderohen barrë publike.

“Administrata e Presidentit Trump me këtë vendim i jep fund abuzimit me sistemin amerikan të emigracionit nga ana e atyre që duan të përfitojnë të ardhura në kurriz të popullit amerikan”, thuhej në deklaratën e DASH që njoftonte vendimin për pezullimin e vizave për 75 vende nga 21 janari.

Cilat kategori vizash preken më shumë nga ky vendim?

Pezullimi zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese dhe jo ata që e kanë aktualisht një vizë të tillë. Pra, nuk ka revokim.

Po ashtu, vendimi nuk prek vizat turistike ( që janë viza jo emigruese), vizat e punës, studentëve dhe kategori të tjera jo emigruese.

Duhet të shtoj se të hënën DASH ka dërguar një tjetër udhëzim për ambasadat dhe konsullatat amerikane, ku kërkon që aplikantët për viza jo-emigruese të kontrollohen nëse mund të kërkojnë ndihmë sociale në SHBA. Administrata Trump thotë se synon të parandalojë mashtrimet në programet e ndihmës publike dhe u kërkon zyrtarëve konsullorë të sigurohen që aplikantët janë verifikuar plotësisht përpara lëshimit të vizës.

Nëse zyrtarët konsullorë dyshojnë se një individ mund të aplikojë për ndihmë në SHBA, mund t’i kërkojnë të plotësojë një formular që provon burimet financiare.

Çfarë duhet të bëjnë konkretisht qytetarët shqiptarë që janë aktualisht në pritje të vizës?

Nëse u është caktuar data e intervistës, duhet të paraqiten për intervistë.

DASH ka njoftuar se aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, ndaj dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për këta shtetas gjatë kësaj periudhe pezullimi.

Si është pritur ky vendim nga komuniteti shqiptar në SHBA?

Reagimi ka qenë i përzier. Pjesë e komunitetit që ishte në proces bashkimi familjar e ka pritur me ankth dhe shqetësim.

Anëtarë të komunitetit po ashtu kanë përkahur vendimarrjen e DASH, duke vlerësuar se individët që emigrojnë në SHBA nuk duhet të përfitojnë në kurriz të amerikanëve.

Pse mendoni se është përfshirë Shqipëria në këtë vendim ?

Shqipëria është pjesë e 75 vendeve të listës së pezullimit. Nuk ka hollësi për vendimmarje vetëm për shtete të caktuara.

Në memon e DASH, të cilave iu referohen mediat amerikane, thuhet se “aplikanët nga këto vendet kanë risk më të lartë që të bëhen barrë publike dhe të kërkojnë mbështetje nga burime lokale, shtetërore apo federale.

Ju iu referuat udhëzuesit të nëntorit, çfarë parashikonte ai?

Udhëzimi i nëntorit, mbi të cilin bazohet vendimi i së mërkurës, u kërkon ambasadave dhe konsullatave amerikane të verifikojnë në mënyrë të thelluar aplikantët për viza, për të siguruar se ata nuk do të varen nga ndihmat publike pas hyrjes në SHBA.

Dokumenti zgjeron kriteret ekzistuese, duke kërkuar vlerësim, shëndetit, statusit familjar, gjendjes financiare, arsimit, moshës e të tjerë.

Po ashtu kërkohet vlerësim i njohurive të gjuhës angleze dhe për këtë intervista për vizë mund të kryhet në anglisht./Politiko.al/

 

 

Të fundit