Flash News

KRYESORE

Nga ndarja e PD-së, te shkarkimi i Metës, ngjarjet politike që pritet të ndodhin gjatë 2022-shit

Nga ndarja e PD-së, te shkarkimi i Metës, ngjarjet politike që

Një vit të ‘zjarrtë’ politik po lëmë pas, e i tillë pritet të nisë edhe 2022-shi.

Përplasjet në Partinë Demokratike shoqëruan muajt e fundit të vitit 2021, e me të njëjtën dinamikë do të nisë edhe ky vit. 

Përpos përplasjeve në PD që pritet të na shoqërojnë që në ditët e para të janarit në kampin blu, vëmendjen e politikës shqiptare pritet ta marrin edhe ngjarje të tjera të pritshme.

Një ngjarje që vlen të theksohet është vendimi për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Po ashtu, këtë vit, kreut të shtetit i mbaron zyrtarisht mandati (në muajin korrik), ndërsa pas këtij ‘kapitulli’ Meta ka paralajmëruar rikthimin dhe marrjen e timonit të LSI-së, partisë që ai themeloi dhe e ia besoi të shoqes, Monika Kryemadhit pas betimit si president.

Politiko.al ka renditur më poshtë disa nga ngjarjet më të rëndësishme që pritet të shënojnë vitin politik në Shqipëri për këtë vit.

2022 nis me dy PD

Nga ndarja e PD-së, te shkarkimi i Metës, ngjarjet politike që

Demokratët janë rreshtuar në dy grupime kundërshtare: njëri me mbështetës të Sali Berishës, ish-liderit historik të PD, të shpallur " non grata” nga qeveria amerikane për "vepra korrupsioni që minojnë demokracinë në Shqipëri” dhe tjetri me mbështetës të liderit aktual, Lulzim Basha.

Si kurrë më parë në historinë 31-vjeçare të PD, në dhjetor u mbajtën dy Kuvende Kombëtare: njëri më 11 dhjetor, i drejtuar nga Berisha, tjetri më 18 dhjetor i drejtuar nga Basha, ku delegatë ishin mbështetësit respektivë të secilit.

Pas vendimit në Kuvendin e 11 dhjetorit dhe referendumit një javë më vonë në të gjithë vendin, Berisha dhe mbështetësit e tij i kërkuan Bashës të respektojë vendimet që të largohet nga zyra e tij brenda datës 5 janar.

Në rast të kundërt sipas tyre do të jetë anëtarësia vetë që do marrë në kontroll selinë. Nga ana e tij kryetari demokrat i cili nuk i njeh veprimet e palës tjetër, deklaroi se PD i ka marrë vendimet e veta e do i qëndrojë atyre deri në fund.

Nga ana tjetër, në 8 janar, Berisha ka paralajmëruar protestën e radhës kombëtare pas asaj të mbajtur para kryeministrisë në 20 dhjetor.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e Metës

Nga ndarja e PD-së, te shkarkimi i Metës, ngjarjet politike që

Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 18 janar për seancën për të shqyrtuar vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Ky njoftim i Gjykatës Kushtetuese vjen pas votimit në Kuvend, kur 104 deputetë u shprehën pro largimit të Ilir Metës nga pozicioni i kreut të shtetit fill pas zgjedhjeve të 25 prillit. Pas shqyrtimit, pritet që vendimi për Metën të shpallet jo më vonë se 30 ditë nga 18 janari.

Në qershor të këtij viti, 104 deputetë nga 140 që ka gjithsej parlamenti i Shqipërisë votuan pro shkarkimit të Presidentit Meta. Maxhoranca socialiste e fajësoi për deklarata publike para dhe gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare 2021, të zhvilluara më 25 prill të këtij viti, të cilat kanë nxitur dhunë dhe kanë shkelur Kushtetutën.

Nga ana tjetër Presidenca ka konfirmuar se presidenti Ilir Meta do të jetë në detyrë deri më 24 korrik të 2022-shit, kohë kur i mbaron edhe mandati i tij.

Hapja e negociatave me BE

Nga ndarja e PD-së, te shkarkimi i Metës, ngjarjet politike që

Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian mbetet ende në udhëkryq si një proces i gjatë që nuk është e qartë sa kohë do të marrë.

Gjatë vitit 2022 Shqipëria pret sërish që në një nga mbledhjet e radhës të Këshillit Europian të marrë datën e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE apo në terminologjinë teknike të BE , datën se kur do të nisë Konferenca e I-rë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe qeverisë së BE që përfaqësohet nga Komisioni Europian. 

Rruga e Shqipërisë drejt BE-së mbahet aktualisht peng nga vetoja e Bullgarisë mbi anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, pasi të dy vendet janë të lidhura në procesin e integrimit.

Shqipëria ngjitet në çatinë e botës

Nga ndarja e PD-së, te shkarkimi i Metës, ngjarjet politike që

Duke filluar nga 1 janari i vitit 2022, Shqipëria do të ulet për dy vjet rresht në një nga pesëmbëdhjetë ulëset e organit të OKB për menaxhimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Shqipëria do të ketë kështu një votë në vendimet që merren nga Këshilli i Sigurimit. Është kjo hera e parë që Shqipëria bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit, që prej anëtarësimit në OKB më 1955. Në votimin e bërë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, Shqipëria mori 170 vota nga 190 vendet që votuan.

Zgjatja e mandateve të vettingut, a do i bashkojë PD votat me PS?

Socialistët kanë kërkuar zgjatjen mandatit të organeve të procesit të verifikimit të figurave zyrtare, pasi më 17 qershor 2022 Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik i përfundon mandati.

Kushtetuta parashikon se kur i përfundon mandati KPK-së dhe komisionerëve publikë, çështjet e papërfunduara të rivlerësimit shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Për të zgjatur afatin e funksionimit të dy organeve të reja të drejtësisë, mazhorancës socialiste i duhen edhe votat e opozitës, pasi nevojiten 94 vota.

Komisioni i Venecias ka mbështetur zgjatjen e afateve të Vettingut deri në dhjetor të vitit 2024, megjithatë, opinioni i Komisionit të Venecias nuk ka karakter detyrues dhe i mbetet deputetëve të parlamentit të votojnë lidhur me zgjatjen ose jo të mandatit për institucionet në fjalë.

Të fundit