Flash News

KRYESORE

Nga pasues i Ramës në armik, rënia politike e Erion Veliajt

Nga pasues i Ramës në armik, rënia politike e Erion Veliajt

Për më shumë se një dekadë, Erion Veliaj ishte një ndër figurat më dominuese të politikës shqiptare. Kryebashkiaku që ndërtoi imazhin e një administratori energjik, u shndërrua brenda pak muajsh në emrin kryesor të një dosje të gjerë hetimore, që solli arrestimin e tij dhe një krizë të brendshme në Partinë Socialiste.

Nga aktivizmi te pushtimi i Tiranës

Nga pasues i Ramës në armik, rënia politike e Erion Veliajt

Veliaj filloi si drejtues i “Mjaft”-it, një lëvizje që synonte transparencë dhe luftë ndaj korrupsionit. Në 2013 ai u fut në politikë nën logon e Partisë Socialiste dhe dy vite më pas u zgjodh kryetar i Bashkisë së Tiranës. Në tre mandatet e tij, ai u bë një nga figurat më të afërta me kryeministrin Edi Rama dhe një nga njerëzit më të fuqishëm të pushtetit lokal.

Pozicioni i Veliajt në radhët e socialistëve duket se u forcua shumë pas vitit 2018 kur, pas një hetimi italian, rivali i tij potencial Saimir Tahiri, hasi telashe me drejtësinë. Pozicioni i Tahirit u dobësua gradualisht deri sa ai përfundoi në burg i dënuar për abuzim me detyrën, pasi doli i pafajshëm ndaj akuzës më të rëndë për trafik ndërkombëtar droge.

Rivaliteti mes Veliajt dhe Tahirit ishte një sekret i njohur nga të gjithë dhe që shpesh u shfaq në formën e konfliktit të hapur. Karakteri i Veliajt për të nxitur rivalitete, me raste jo fort politikisht të arsyeshme, duket se ishte edhe një faktor që solli në instancë finale, pas disa tentativave të pasuksesshme, rrëzimin e tij.

Përgjatë një dekade në krye të Bashkisë së Tiranës, Veliaj shpëtoi pa u prekur nga disa hetime dhe skandale të mëdha, duke filluar nga vdekja e një punëtori minoren në landfillin e Sharrës në vitin 2016, te skandali i incineratorit të Tiranës vitin e kaluar.

Por ai nuk i mbijetoi dot një hetimi pasuror të hapur pas një emaili të dërguar nga një njeri i panjohur, i fshehur pas një pseudonimi, i cili duket se dispononte informacion shumë të saktë mbi përfitime potencialisht korruptive të Veliajt përmes bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, e cila gjatë viteve të fundit është prezantuar në publik si patrone arti; edhe pse shumë ngritën pikëpyetje gjatë viteve të fundit se nga vinin paratë për disa bamirësi artistike të krijuara pasi Veliaj ishte zgjedhur si kryetar i Bashkisë Tiranë, duke siguruar një trampolinë nga ku supozohej se do të mund të kërcente lehtësisht në postin e kryetarit të Partisë Socialiste për t’u projektuar si kryeministri i ardhshëm i vendit.

Emaili anonim që ndryshoi gjithçka

Nga pasues i Ramës në armik, rënia politike e Erion Veliajt

Në shkurt të vitit 2024, një email anonim i nënshkruar me emrin “Nesti Angoni” mbërriti në SPAK. Informacionet e përfshira çuan në hapjen e një hetimi pasuror për Veliajn dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën.

Pas disa muajsh verifikimesh, BKH kreu kontrolle në banesat e çiftit, në zyrat e bashkisë dhe në disa biznese të lidhura.

 U sekuestruan dokumente, materiale elektronike dhe prova që u bënë bazë për hetimin e gjerë financiar.

Arrestimi në zyrë – 10 shkurt 2025

Nga pasues i Ramës në armik, rënia politike e Erion Veliajt

Në mes të ditës, ndërsa në media transmetoheshin pamje nga një aktivitet i mëparshëm i Veliajt me fëmijë, agjentët e BKH-së ekzekutuan urdhrin e ndalimit në zyrën e tij. Kryebashkiaku u shoqërua drejt Komisariatit nr. 3.

Bashkë me të u arrestuan edhe pesë biznesmenë të lidhur me projekte të rëndësishme publike në kryeqytet.

Dosja e SPAK – 13 akuza për Erion Veliajn, 12 për Ajola Xoxën

Nga pasues i Ramës në armik, rënia politike e Erion Veliajt

Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimi arriti të dokumentojë:

9 raste përfitimesh të parregullta nga bizneset që më pas morën leje ndërtimi ose kontrata publike.

10 transaksione të dyshuara, që kapin vlerën e 110 milion lekëve.

Shpenzime të padeklaruara të Ajola Xoxës në vlerën e 87 milion lekëve, kryesisht online.

 Pagesa të dyshuara nga biznesmenë të hetuar edhe në çështje të tjera të nivelit të lartë.

Avokatët e çiftit pretendojnë se disa prova janë mbledhur pa procedurë të rregullt dhe se pagesat për OJF-të kanë qenë sponsorizime të hapura.

Por, çfarë do të thotë ky hap?

Përfundimi i hetimeve nga SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës dhe bashkëshortes së tij, ka ndezur një debat të nxehtë mbi drejtësinë, transparencën dhe pavarësinë institucionale.

Mes zërave që e shohin SPAK si një institucion që më në fund po guxon të prekë “të paprekshmit”, ka edhe shumë të tjerë që e akuzojnë këtë organ për veprimtari selektive dhe për mungesë transparence.

Rasti Veliaj është ilustrimi më i mirë i kësaj dileme. Hetimi ka qenë i gjatë, i mbyllur dhe i mbushur me pikëpyetje procedurale.

Sekuestrimi i telefonave pa mandat gjyqësor, për shembull, ngre shqetësime serioze për respektimin e të drejtave themelore të individit.

Kanë qenë avokatët e Veliajt, ata të cilët kanë deklaruar publikisht se kontrollet dhe sekuestrimi i telefonave janë kryer pa mandat gjyqësor, duke e cilësuar këtë si shkelje të procedurës ligjore në fuqi

Nëse SPAK përdor metoda që bien ndesh me ligjin, atëherë rrezikon të shndërrohet nga mbrojtës i drejtësisë në instrument të presionit politik.

Përplasja e hapur me kryeministrin Rama

Nga pasues i Ramës në armik, rënia politike e Erion Veliajt

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe kryeministri Edi Rama janë deklaruar tashmë zyrtarisht në një luftë të hapur mes tyre.

Deri para pak kohësh, Veliaj ishte njeriu më i përfolur si pasuesi i Edi Ramës në krye të PS, por sot ata shfaqen hapur si armiq të betuar.

Kështu, në media qarkulloi një dokument i datës 18 Mars, i firmosur nga dora e Veliajt në ambientet e qelisë së paraburgimit të Durrësit, i cili shkarkon nga detyra e kryebashkiaken në detyrë të të besuarës së Ramës, Anuela Ristanit dhe emërimin në vend të saj të të besuarës së tij, Sara Goxhaj.

Sakaq, Goxhaj, njihet edhe si shefe kabineti e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përpara se të emërohej në detyrën e nënkryetares së Bashkisë.

Pas shkreses 'djegëse', Rama pa humbur kohë ka shkruar në Bashkinë e Tiranës dhe i ka kërkuar Ristanit, që të mos e zbatojë vendimin e Veliajt, si dhe ka urdhëruar të mos protokollojë urdhrin e nxjerrë nga Veliaj, për marrjen e detyrave të kryetarit të Bashkisë nga Sara Goxhaj.

Jo vetëm kaq, por Edi Rama i ka kërkuar Ristanit, që të firmosë dhe shkarkimin e Alban Dokushit nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë dhe në vend të saj të emëronte Jonida Halilin.

Asambleja e PS

Nga pasues i Ramës në armik, rënia politike e Erion Veliajt

Kryeministri Edi Rama në hapje në Asamblesë të Partisë Socialiste lajmëroi hapjen e zgjedhjeve për kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë Rama i kërkoi Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës që të vijonë me zbatimin e dokumentacionit për shkarkimin nga detyra të kryetarit aktual, Erion Veliaj.

“Pas 7 muajsh Tirana nuk ka asnjë kryetar bashkie në krye të detyrës, asnjë të dënuar nga drejtësia lidhur me detyrë. Kemi një kryetar të zgjedhur 3 herë, që i është mohuar  drejta e gjykimit në liri. I është bërë një gjyq i gjatë, madje në shkelje hapur të ligjit dhe çdo zakoni, janë nxjerrë nga brenda edhe biseda me familjare nga telefoni i burgut. Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik. Diktatorial jo e jo.

Është shkelja më e hapur më brutale në shpërdorim total të detyrës nga ana e tyre që duhet të mbajnë në kontroll materialet hetimore. Askush nuk di ta thotë sa mund të zgjasë kjo histori dhe  asnjë zëvendës kryetar i pavotuar, nuk mund të ketë legjitimitetin për të udhëhequr për një kohë të gjatë, 2 vite Bashkinë e kryeqytetit. Tirana ka punë të mëdha, unë nuk i heq asnjë meritë kryetares në detyrë, përkundrazi e falënderoj.

Sot duhet të marrim vendim politik për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetar në bashkinë e Tiranës. Përfaqësuesit tanë në Këshillin Bashkiak duhet të vendosen në lëvizje mekanizmin e shkarkimit të kryetarit, pavarësisht se kuadri ligjor lë për të dëshiruar në rastin kur kryetari i bashkisë nuk paraqitet në detyrë se është i penguar në paraburgosje. Nuk është një propozim që e bëj me zemër të lehtë, por Tirana nuk mund të gdhihet dhe të ngryset si një trup pa kokë”, tha Edi Rama.

Vendimi i Kushtetueses – kthesa ligjore

Nga pasues i Ramës në armik, rënia politike e Erion Veliajt

Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Vendimi u bë publik nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.

Zaçaj tha se vendimi u mor me shumicë dhe se shumica e gjeti vendimin e Këshillit të Ministrave të papajtueshëm me Kushtetutën.

Zaçaj theksoi se qeveria nuk kishte referuar shkelje të rënda të Kushtetutës që do justifikonin shkarkimin.

“Po kështu, Gjykata, vlerësoi, me shumicë votash, se Këshilli i Ministrave, teksa vendosi shkarkimin e kërkuesit nga detyra sipas nenit 62, shkronja “c”, të ligjit nr. 139/2015, nuk e ka justifikuar shkarkimin me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe të ligjeve, për të cilat ai mund të mbahet përgjegjës. Në këtë pikë, Gjykata theksoi se mbrojtja e interesit publik për të garantuar të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga një organ i zgjedhur drejtpërdrejt nuk mund të justifikojë cenimin e garancive kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Me këtë vendim, i marrë me shumicë votash, Veliaj mbetet kryebashkiak ndërsa anulohet dekreti i Presidentit për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë. Zaçaj bëri me dije se një vendim për pezullimin e këtij dekreti mbetej në fuqi deri në zbardhjen e vendimit të Kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese gjeti gjithashtu se vendimi i Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Veliajt ishte i papajtueshëm me Kushtetutën e vendit. Ndër arsyet kryesore ishte fakti se ishte cenuar e drejta e Veliajt për t’u dëgjuar. “Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se procedura e ndjekur në rastin konkret nga këshilli bashkiak dhe më tej nga Këshilli i Ministrave, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt në aspektet e së drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur”, thuhet në njoftim.

Në Këshill, Veliaj u shkarkua mbi argumentin e “mosparaqitjes në detyrë për një periudhë 3-mujore”, ndërkohë që ai ndodhet në masën e arrestit me burg që prej shkurtit 2025, për shkak të hetimeve të SPAK-ut për korrupsion.

Perfundimi

Nga pasues i Ramës në armik, rënia politike e Erion Veliajt

Çështja Veliaj mbetet sot një nyje e pazgjidhur mes drejtësisë, politikës dhe krizës së brendshme të Partisë Socialiste.

Me dosjen e SPAK ende të hapur, një vendim gjyqësor që ende nuk ka mbërritur dhe një konflikt të ashpër me Edi Ramën që nuk ka të ndalur, e ardhmja politike e Erion Veliajt është më e pasigurt se kurrë.

 Vendimi i Kushtetueses e riktheu formalisht në detyrë, por ai mbetet i izoluar politikisht, i pezulluar praktikisht nga menaxhimi i bashkisë dhe i mbajtur larg skenës publike nga hetimet.

 Ndërsa PS përgatitet për zgjedhje të reja në Tiranë dhe për riorganizim të brendshëm, Veliaj rrezikon të kthehet nga pretendenti kryesor për kreun e partisë në figurën më të kontestuar të saj.

Fati i tij dhe pasojat për vetë PS-në do të përcaktohen nga dy fronte: vendimi final i drejtësisë dhe vullneti politik i Edi Ramës për të mbyllur një epokë dhe hapur një tjetër.

 

Të fundit