Flash News

KRYESORE

Një muaj pas shembjes në Librazhd–Prrenjas, ARRSH ende pa raport teknik; Ja përgjigja që jep për Politiko

Një muaj pas shembjes në Librazhd–Prrenjas, ARRSH ende pa raport

Suela Gjidede

Një muaj pas shembjes së aksit që bllokoi për ditë me radhë jo vetëm aksin Librazhd–Prrenjas, por edhe zonën e Juglindjes, Autoriteti Rrugor Shqiptar pranon se ende nuk ka përfunduar raportin teknik dhe vlerësimin gjeologjik të zonës.

Më 26 shkurt, Politiko.al iu drejtua zyrtarisht ARRSH-së me një kërkesë për informacion lidhur me shembjen e ndodhur në segmentin Librazhd–Prrenjas, në zonën e njohur si “Arrat e Gurres”.

Në kërkesë u kërkuan raporti teknik mbi shkaqet e shembjes sw rrugës, masat e marra për stabilizimin e aksit, si dhe afati i parashikuar për rihapjen e plotë të qarkullimit.  

Por, pas më shumë se një muaji, ARRSH ka kthyer një përgjigje, në të cilën pranon se dokumentet kryesore të kërkuara nuk janë ende gati.

“Raporti teknik dhe vlerësimi gjeologjik i zonës dhe niveli i rrezikut aktual nuk janë përfunduar, jemi në pritje të dorëzimit të tyre,” thuhet në përgjigjen zyrtare të ARRSH.

Po ashtu, ARRSH konfirmon se qarkullimi në këtë aks është rihapur pas 10 ditësh bllokim, ndërsa gjatë kësaj periudhe trafiku është devijuar përmes akseve alternative.

"Gjithashtu ju informojme se rihapja e trafikut eshte realizuar pas 10 dite bllokim dhe devijimi i trafikut u krye duke sugjeruar drejtuesit e mjeteve perdorimin e akseve rrugore Elbasan - Gramsh - Lozhan - Maliq per autoveturat dhe furgonat dhe Qafe Thane - Bllate - Rruga e Arbrit - Tirane per mjetet e transportit te mallrave", përfundon përgjigja e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërsa nuk sqarohet se kur pritet një raport teknik dhe një raport vlerësimi të plotë gjeologjik pas rihapjes së rrugës.

Po ashtu, mbeten të paqarta shkaqet e shembjes, niveli aktual i rrezikut për përdoruesit e rrugës, si dhe nëse janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar një ngjarje të ngjashme në të ardhmen.

Bllokimi i rrugës prej gati dy javësh shkaktoi pasoja të rënda për ekonominë, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave dhe bizneset në Librazhd dhe jo vetëm.

Ndërkohë, nga dritarja e helikopterit të ushtrisë, të cilin e përdorte për të shkuar në Korçë së bashku me disa sipërmarrës të huaj gjatë ditëve kur aksi ishte i bllokuar, kryeministri Edi Rama zgjodhi të fajësojë natyrën për shembjen e rrugës, ndërsa në vend të fliste për zgjidhje të situatës, tregoi që shembje të tilla ndodhin edhe nëpër botë./Politiko.al/ 

Të fundit