Flash News

KRYESORE

“Pa kimikate s’ka prodhim” / Iluzioni i bukurisë që po helmon ushqimin tonë

Pas pamjes së shëndetshme të tregjeve shqiptare, fshihet përdorimi i pakontrolluar i pesticideve që po ndotin tokën, ujin dhe ushqimin. Ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti paralajmëron për një krizë të sigurisë ushqimore dhe mungesë totale kontrolli shtetëror.

“Pa kimikate s’ka prodhim” / Iluzioni i bukurisë që

Domate të kuqe, trangujt të njomë, specat të mëdhenj, një pamje gati-gati e përsosur që na vjen nga tregjet e fruta-perimeve shqiptare.

Por pas kësaj pamjeje në dukje e shëndetshme, fshihet një realitet që fermerët e dinë më mirë se kushdo. Për të arritur këtë “bukuri”, bimët ushqehen me kimikate  shumë më tepër nga sa duhet.

Fermerë nga zona të ndryshme të vendit pranojnë se pa pesticide, prodhimi bie dhe tregu nuk e pranon mallin.

 “Për pjesën e pesticideve janë fundicidet ato që përdoren për vrugun dhe insekticidet që përdoren për insekte për fluturën e bardhë, për krimat. Pastaj janë plehrat kimik që përdoren për zhvillimin e bimës, për rritjen. Përdorim për kalbëzimin, për vrugun. Pa kimikate nuk ka rendiment,” rrëfen fermeri G. Hëna nga Semani i Fierit, ndërsa përmend disa nga produktet më të përdorura: Laser 48 SC, Karate Zeon 50 CS, Affirm Opti dhe Vertimek.

Në pamje të parë, këto emra duken si pjesë e rutinës bujqësore, por ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i tyre i pakontrolluar po helmon tokën, ujin dhe ushqimin që konsumojmë çdo ditë.

Kimikatet që garantojnë shitje, por jo siguri

Të gjitha këto pesticide kanë një efekt të fuqishëm ndaj insekteve, por edhe pasoja të njohura për ekosistemin.

Sipas të dhënave, shumë prej tyre janë të dëmshme për bletët, peshqit dhe gjitarët.

Në Shqipëri, mungesa e kontrollit teknik dhe edukimit bujqësor ka bërë që fermerët t’i përdorin shpesh në mënyrë empirike  pa udhëzime profesionale, pa respektuar dozën dhe pa pritur kohën që duhet të kalojë nga spërkatja deri në shitje.

Përshembull në faqen bujqesia.gov.a  thuhet se : Laser 48 SC është insekticid me bazë Spinosadi, një lëndë aktive e re e ekstraktuar nga kolonitë bakteriale të Saccharopolyspora spinosa, një bakter që gjendet i pranishëm në natyrë.

Është insekticid me veprim kontakt dhe ngrënie, me veprim parambrojtës dhe kurues, në luftimin e insekteve të klasave Lepidoptera, Diptera, Siphonaptera, Thysanoptera dhe disa Coleoptera në kultura të ndryshme.

Ndikimi në ekosistem:

Mesatarisht helmues për gjitarët.

Mesatarisht helmues për zogjtë.

Helmues për bletët, prandaj nuk duhet të trajtohet në kohën e lulëzimit dhe në orët e mesditës, kur është aktiviteti më i madh i bletës.

Mesatarisht helmues për peshqit.

Helmues për jovertebrorët ujorë.

Mos ndotni ujërat dhe basenet ujore me produktin ose ambalazhin e tij.

Panariti: Ushqimi nuk mund të jetë burim sëmundjeje

Profesori i njohur i sigurisë ushqimore, njëkohësisht dhe ish ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, prej vitesh ka paralajmëruar për pasojat e përdorimit të pakontrolluar të pesticideve në bujqësinë shqiptare.

Ai e sheh situatën aktuale si “tejet shqetësuese” dhe me pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin publik, sigurinë ushqimore dhe reputacionin tregtar të vendit.

Sipas tij, në terren përdorimi i kimikateve është “i pakontrolluar, i pamatshëm dhe i pagjurmueshëm”.

Fermerët, në mungesë të udhëzimeve teknike, shpesh aplikojnë pesticide pa respektuar dozën e rekomanduar, afatin e kadencës dhe pa marrë parasysh efektet afatgjata në tokë, ujë apo organizmin e njeriut.

 “Kjo sjell produkte me mbetje të rrezikshme në treg dhe rritje të sëmundjeve të lidhura me ekspozimin ndaj kimikateve,” — thekson Panariti, duke shtuar se situata ka çuar edhe në humbjen e besimit të konsumatorit.

Një tjetër problem që profesori nënvizon është mungesa e kontrollit shtetëror.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka kapacitete të mjaftueshme për inspektime të rregullta dhe laboratorike. Nuk ekziston një regjistër i centralizuar për llojet e pesticideve të lejuara dhe të ndaluara, dhe mungojnë ndëshkimet efektive për shkelësit,” shprehet ai.

Në këtë kaos të sistemit, hallka më e dobët, sipas tij, është vetë shteti. Fermerët dhe tregtarët operojnë pa orientim teknik, shpesh duke u mbështetur tek praktika empirike dhe tregu informal.

“Pesticidet shpërndahen pa certifikim dhe pa etiketim të qartë, çka i bën ato të përdoren në mënyrë të pakontrolluar.”

Sa i përket argumentit të shpeshtë të fermerëve se “pa kimikate nuk ka prodhim”, Panariti e quan këtë një mit të rrezikshëm.

Ai thekson se “ekzistojnë metoda të tjera si Integrated Pest Management (IPM), biopesticide dhe teknika agroteknike që mund të mbrojnë bimët pa ndotur produktin”.

“Pa kimikate s’ka prodhim” / Iluzioni i bukurisë që

Sipas tij, tregjet europiane kërkojnë siguri dhe certifikim, jo thjesht pamje të bukur të frutave e perimeve.

Në raport me standardet, profesori kujton se çdo pesticid ka një dozë të lejuar dhe një afat përpara se produkti të dalë në treg. Por në Shqipëri, këto rregulla nuk respektohen.

Nuk ka monitorim të vazhdueshëm të mbetjeve në produktet që dalin në treg, dhe shpesh përdorimi bëhet pa dijeni për kufijtë e sigurisë, duke e kthyer çdo aplikim në potencialisht të rrezikshëm.”

Problemet shtrihen edhe në laboratorë, të cilët sipas tij, janë të pajisur dobët dhe nuk kanë kapacitete për të analizuar të gjitha substancat moderne që qarkullojnë në treg.

“Mungojnë aparatura të avancuara si GC-MS dhe LC-MS. Shumë analiza bëhen vetëm për substanca bazike, ndaj produkti mund të rezultojë ‘i pastër’ edhe kur përmban pesticide që nuk identifikohen dot.”

Në fund, Panariti kërkon një reformë të thellë në sistemin e sigurisë ushqimore: krijimin e një agjencie të pavarur, edukim të detyrueshëm për fermerët, certifikim të tregtarëve dhe transparencë publike për të gjitha analizat.

“Në këtë kontekst, Shqipëria ka nevojë urgjente për një reformë sistemike në sigurinë ushqimore: ngritjen e një Agjencie të Pavarur për Sigurinë Ushqimore, edukim të detyrueshëm për fermerët, certifikim të tregtarëve, laboratorë të pavarur dhe transparencë publike. Pa këto masa, rreziku nuk është vetëm individual, por struktural dhe institucional. Ushqimi nuk mund të jetë burim sëmundjeje — duhet të jetë garanci për jetë.,” përfundon ai.

“Me të thatin, digjet dhe i njomi”

Pas publikimit të rastve të shumta me pesticide në produktet shqiptare, fermerët ndihen në hall të madh.

Shumë prej tyre frikësohen se tregu i konsideron të gjithë prodhuesit si përdorues të kimikateve të ndaluara, edhe pse nuk është gjithmonë e vërtetë.

Prodhimi i mbetur në sera, veçanërisht domatet, po qëndron i pashitur, pasi blerësit tregojnë mosbesim ndaj cilësisë.

“Realisht kemi mbetur keq. Pas ndalimit të disa prodhimeve të cilat kanë qenë me pesticide, na ka marr për poshtë të gjithëve. Sepse me të drejtë dyshojnë se përdorim kimikate mbi normat e lejuara, ngjyresa. Më kanë mbetur domatet në sera, ato që i shes i shes me 40 lekë”, shprehet fermeri K.Hoxha nga Dronovica, Berat.

Teknikisht kur besimi i tregut bie, nuk është vetëm produkti që dëmtohet, por edhe i gjithë zinxhiri i prodhimit vendas.

 Fermerët që ndjekin praktikat e sigurta ndihen të penalizuar, ndërsa problemi mbetet i pazgjidhur.

 Alarmet nga Europa: Shqipëria nën vëzhgim

Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian shoqërohen me protokolle strikte kontrolli për sigurinë ushqimore. BE ka ngritur një sistem alarmi të shpejtë për produktet ushqimore, të njohur si RASFF (Rapid Alert System for Food and Feed).

Në pesë vitet e fundit, ky sistem ka sinjalizuar 194 raste problematike nga Shqipëria  134 produkte importi dhe 60 eksporti.

Sipas statistikave zyrtare, eksportet shqiptare janë rritur me 20% në vitin 2024, gjë që ka sjellë edhe një rritje të lehtë të rasteve me probleme në RASFF: 22 nga 19 një vit më parë.

Produktet e eksportit që kanë rezultuar me probleme janë kryesisht fruta dhe perime, ndërsa ato të importit përfshijnë mish pule, akullore, sallam dhe qumësht pluhur – produkte që përbëjnë gjithashtu grupin me riskun më të lartë për sigurinë ushqimore.

Kjo tregon se tregu shqiptar jo vetëm eksporton rrezik, por edhe importon atë  duke e ekspozuar konsumatorin vendas ndaj dyfishtë rreziku.

Por duhet të kuptojmë një gjë, ushqimi nuk është luks, është garanci për jetë.

Punoi Neta Fero

Të fundit