Flash News

KRYESORE

"Pa transparencë dhe metodologji e paqartë", Komiteti Shqiptar i Helsinkit në Politiko: Kodi Penal po hartohet pa konsultim

"Pa transparencë dhe metodologji e paqartë", Komiteti

Suela Gjidede

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar në lidhje me ndryshimet e propozuara për Kodin Penal dhe debatit të krijuar rreth draftit të ri.

Në një reagim për Politiko.al, KShH ka ngritur shqetësimet mbi metodologjinë e ndjekur, nivelin e transparencës dhe ritmin e procesit të hartimit.

Sipas Komitetit Shqiptar i Helsinkit drafti aktual është marrë vetëm përmes burimeve mediatike dhe nuk u është dërguar në mënyrë institucionale nga Ministria e Drejtësisë.

"Theksojmë se ky draft nuk na është përcjellë në mënyrë institucionale nga autoritetet përkatëse, por është marrë vetëm nëpërmjet burimeve mediatike, dhe aktualisht ndodhet në proces shqyrtimi nga ana jonë. Në këtë fazë, mund të ndajmë me ju sugjerimet tona lidhur me metodologjinë e hartimit të Kodit Penal", thekson KShH.

Në përgjigjen zyrtare, drejtoresha ekzekutive Erida Skëndaj konfirmoi në Politiko.al se KShH nuk është përfshirë më në procesin teknik, pas mospërgjigjes së Ministrisë ndaj sugjerimeve të tyre fillestare. 

"Gjithashtu, ju informojmë se pas dorëzimit të reagimit tonë të parë mbi këtë çështje, nuk jemi përfshirë më në asnjë nga proceset teknike që lidhen me hartimin e Kodit, për shkak se Ministria e Drejtësisë nuk ka dhënë asnjë reagim mbi sugjerimet metodologjike që ne kemi paraqitur për organizimin dhe zhvillimin e punës", thuhet në reagim. 

Sugjerimet e KShH për metodologjinë e Kodit të ri Penal

Pas analizimit paraprak të draftit të Kodit të ri Penal dhe pjesëmarrjes së përfaqësuesit të saj në takimin e parë të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit sqaron se ka ndarë disa sugjerime metodologjike me qëllim përmirësimin e procesit të hartimit dhe rritjen e cilësisë së reformës penale.
Në letrën dërguar drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, KShH nënvizon se qasja metodologjike e ndjekur deri tani ka lënë boshllëqe të rëndësishme që duhen adresuar me seriozitet dhe profesionalizëm.
Në vijim, KShH i drejtohet autoriteteve përgjegjëse përmes një komunikimi zyrtar, ku paraqet piketat e sugjerimeve konkrete mbi strukturën, transparencën, përfshirjen dhe teknikën e hartimit të Kodit Penal.

Letra e plotë: 

I nderuar Prof.Rakipi,

Te nderuar Perfaqesues te Ministrise se Drejtesise,

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), është njohur me ftesën e Ministrisë së Drejtësisë për të qenë pjesë e grupit të punës për rishikimin e draftit fillestar të Kodit të ri Penal. Duke mbajtur parasysh rëndësinë që ka për shoqërinë një reformë e tillë, KShH vlerëson faktin e angazhimit të organizatave të shoqërisë civile në këtë fazë të procesit, duke u krijuar edhe mundësitë e një përfshirje aktive në drejtim të dhënies së kontributeve.

Në vijim të njohjes me draftin e Pjesës së Posaçme të Kodit Penal dhe pasi përfaqësuesi ynë ka marrë pjesë në takimin e parë, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, dëshirojmë të ndajmë me ju disa sugjerime mbi metodologjinë e zhvillimit të procesit hartues, si vijon.

Së pari, në komunikimin tuaj rezulton se është finalizuar hartimi i Pjesës së Përgjithshme të Kodit Penal, për të cilën në dijeninë tonë nuk është zhvilluar një proces konsultimi. KShH i sugjeron Ministrisë së Drejtësisë dhe Grupit të Punës, se organizimi i procesit të hartimit të Pjesës së Posaçme të Kodit Penal, të shikohet në lidhje të ngushtë integrale me pjesën e parë, prej nga e cila në vlerësimin tonë duhet të fillojë procesi i konsultimit dhe rishikimit të Kodit Penal. Kjo do të bënte të mundur, hartimin e dispozitave efektive mbi figurat e veprave penale dhe do të ruante kohezionin ligjor ndërmjet pjesëve të vetë kodit, duke rritur cilësinë e normativës  penale dhe duke eleminuar krijimin e vakumeve ligjore.

Së dyti, KShH vlerëson se në dobi të materializimit dhe strukturimit të punës kodifikuese për hartimin e Pjesës së Posaçme të Kodit Penal, hartimi i një relacioni ligjor, mbi mënyrën se si është shkuar drejt propozimeve konkrete për figurat e veçanta të veprës penale dhe cilat janë modelet që janë marrë reference është i nevojshëm në këtë fazë për anëtarët e GNP-ve që janë duke rishikuar këto grup kapitujsh. Ky relacion, në vlerësimin tonë duhet të reflektojë edhe mangësitë dhe ndryshimet e nevojshme të Kodit Penal aktual, përfshirë dispozitat e reja që propozohen për tu miratuar, gjetje të cilat janë identifikuar nga grupi i parë i punës i ngritur në vitin 2020.

Së treti, KShH sugjeron se pjesë e 6 grupeve të veçanta për Hartimin e Pjesës së Posaçme të Kodit Penal, të cilat organizohen sipas objektit grupor të veprave penale, krahas pjesëmarrjes së përfaqësuesve të institucioneve dhe organizatave jofitimprurëse, të konsiderohet mundësia e gjithpërfshirjes së ekspertëve teknicienë të fushës (si psh në fushën e lëndëve narkotike, ekspertë financiarë, në fushën e doganave, sociologë, ekspertë ambientalistë, etj) të cilët garantojnë njohuri të plota mbi elementët e figurës së veprave penale të cilat po rishikohen, si dhe aspektet teorike dhe praktike mbi zbatimin e deritanishëm të dispozitave të Kodit Penal, nevojave të ndryshimit apo pasurimit të tyre.

Së katërti, KShH sugjeron se teknika legjislative e kodifikimit të figurave të veprave penale duhet të jetë një proces shumë rigoroz  duke shmangur përmbajtjen e dispozitave të paqarta, formulimet e detajuara kur ato nuk janë të nevojshme, karakterin komentar brenda vetë dispozitave, si dhe shmangien e elementëve procedurialë në brendësi të dispozitave materiale. Mangësitë në kodifikimin e figurave të veprës penale mund të ndikojë negativisht në kuptimin e drejtë të tyre nga organi i prokurorisë dhe gjykatat, ose mund të kufizojnë interpretimin e lejueshëm nga këto organe, duke pamundësuar në këtë mënyrë realizimin e individualizimit të drejtë të llojit dhe masës së dënimit për autorët e këtyre veprave penale.

Së fundmi, me metodologjinë që është duke u ndjekur momentalisht, KShH dëshiron t’ju informojë se është në pamundësi objektive për të dhënë kontribute cilësore dhe profesionale, ndaj së pari sugjeron rishikimin e kësaj metodologjie dhe caktimin e afateve të arsyeshme të konsultimit me anëtarët e GNP-ve, me qëllim që reforma në Kodin Penal të mos jetë një reformë e realizuar në kohë të shpejtë, por një reformë e matur ku të gjithë aktorët që ftohen për të dhënë kontribute sa më cilësore, profesionale dhe të studiuara dhe j’u jepet koha e arsyeshme për të realizuar këtë.

Sa më sipër, KShH shpreh interesin për të qenë pjesë e këtyre grupeve të punës, në cilësinë e dëgjuesit, ndërkohë që kontributi lidhur me këto nene do të ofrohet pasi të kemi studiuar me kujdesin e duhur profesional, në kohë dhe afate të arsyeshme, në mënyrë harmonike dhe bazuar në një relacion shoqërues, të gjitha dispozitat e tekstit integral të Kodit Penal, në variantin që disponohet.

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj dhe falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm!

Me konsideratë,

Erida Skëndaj

Drejtore Ekzekutive

/Politiko.al/

 

Të fundit