Flash News

KRYESORE

Përmbytjet si “normalitet”, dështimi që qeveria refuzon ta pranojë

Përmbytjet si “normalitet”, dështimi që qeveria

Përmbytjet që po godasin Shqipërinë pothuajse çdo vit nuk janë më një ngjarje e jashtëzakonshme, por një krizë e paralajmëruar, që dëshmon dështimin e qeverisë në infrastrukturë, parandalim dhe menaxhim emergjencash.

Me të njëjtin skenar të përsëritur, qytetarët përballen me ujë në banesa, dëme të mëdha ekonomike dhe mungesë mbështetjeje reale nga shteti.

Edhe këtë herë, pamjet nga terreni flasin qartë, ndërsa përgjegjësia politike mungon. Në vend që të pranojë dështimin institucional, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ta thjeshtojë situatën.

Në një reagim në platformën X, ai ironizoi akuzat, duke e zhvendosur vëmendjen nga menaxhimi i krizës te debati politik, pa dhënë asnjë përgjigje për problemin thelbësor: pse Shqipëria përmbytet pothuajse çdo vit?

 “Nuk e kuptoj pse nuk po më fajësojnë akoma mua, qeverinë apo qoftë edhe bashkinë e Durrësit, për reshjet mbytëse të këtyre ditëve në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kroaci e me radhë… Çudi e madhe opozitat andej, po të paktën të fajësonin qeveritë e tyre, por hiç, asnjë llaf, s’e kuptojnë që aleanca me shiun të çon në fitore”, shkruan Rama.

Një model i përsëritur dështimi

Përmbytjet janë vetëm maja e ajsbergut. I njëjti model papërgatitjeje shfaqet edhe në kriza të tjera natyrore.

Kur bien zjarret, shteti reagon me vonesë dhe pa mjete të mjaftueshme; kur bien tërmetet, mungojnë masat parandaluese dhe kontrolli mbi ndërtimet. Në çdo rast, institucionet aktivizohen pasi dëmi është bërë.

Kjo tregon se problemi nuk është emergjenca në vetvete, por mungesa e një shteti funksional që parandalon dhe mbron qytetarët e tij.

Përmbytjet nuk janë fat, por pasojë direkte e politikave të gabuara dhe e mungesës së llogaridhënies.

Për sa kohë qeveria do të vazhdojë të reagojë vetëm pas krizës dhe të shmangë përgjegjësinë, përmbytjet do të mbeten lajmi kryesor i çdo sezoni me shi – ndërsa zjarret dhe tërmetet do të vazhdojnë ta plotësojnë panoramën e një dështimi të përsëritur./POLITIKO

Të fundit