Flash News

KRYESORE

Politikanët në rritje dhe ata në rënie gjatë 2025-ës

Politikanët në rritje dhe ata në rënie gjatë

Politikanët në rënie

1.      Belinda Balluku – Prokuroria e Posaçme vuri nën hetim zv.kryeministren e qeverisë Rama, njëherazi minister e Infrastrukturës dhe Energjetikës, për shkelje të barazisë në procedurat e tenderëve publikë – përfshi projektin e tunelit të Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe. Këto hetime lidhen me akuzat për manipulim të tenderëve dhe favorizim kompanish në projekte infrastrukturore me vlera të mëdha monetare. GJKKO vendosi ndaj masën e pezullimit nga detyra dhe ndalimit të daljes jashtë shtetit, masë që u apelua nga Rama në Kushtetuese. Kjo e fundit rrëzoi vendimin. Fill pas kësaj, SPAK i dorëzoi Kuvendit kërkesën për heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e Balluku.

2.      Erion Veliaj – Më 10 shkurt agjentët e BKH-së zbarkuan në ambientet e Bashkisë së Tiranës dhe arrestuan kryebashkiakun Erion Veliaj. SPAK i komunikoi Veliajt akuzat zyrtarisht në qeli për 4 vepra penale kryesore, përkatësisht: korrupsion (në forma të ndryshme); pastrimi i parave të veprës penale; fshehja/ mosdeklarimi i pasurisë dhe futja e sendeve të ndaluara në burg. Me urdhër të Ramës, socialisttë në Këshillin Bashkiak të Tiranës firmosën shkarkimin e menjëhershëm të Veliajt dhe presidenti Begaj shpalli zgjedhjet e parakohshme. Por, Veliaj ankimoi vendimin në Kushtetuese, e cila rrëzoi dekretin e presidentit duke rikthyer në detyrë Veliajn.

3.      Ervin Salianji – Tashmë ish-deputet i Partisë Demokratike, Salianji u lirua nga qelia në muajin korrik të vitit 2025. Salianji e ka të ndaluar të ketë funksion publik për 5 vite, për shkak të masës që i vendosi Apeli. Qysh prej deklaratës dhe intervistave që bëri pas daljes nga qelia, Salianji ka qenë pasiv duke mos u angazhuar në jetën politike deri në muajin Dhjetor kur nisi takimet me demokratët. Kjo lëvizje e tij shihet si një përpjekje për të krijuar një forcë të re, aludim që vetë Salianji e ka mohuar. Ai ka pasur përplasje me eksponentët e PD për shkak të takimeve që ka zhvilluar me demokratët jo në emër të PD.

4.      Ulsi Manja – Në shpalljen e qeverisë së re për mandatin e katërt, Edi Rama i hoqi Ulsi Manjës postin e ministrit të Drejtësisë. Manja zbriti në një post më të ulët atë të drejtuesit të Komisionit të Ligjeve. Prezenca mediatike dhe ndikimi politik janë më të zbehta për Manjën. Edhe pse jo një person nën hetim, ai ka qenë mes përplasjeve SPAK – qeveri, kritikave dhe akuzave ndaj sistemit të drejtësisë.

5.      Edi Rama – Ai ka qenë objekt i vëmendjes jo vetëm i mediave kombëtare, por edhe mediave ndërkombëtare dhe debatit publik jo vetëm për politikë të brendshme, por edhe për disa çështje kontroverse që kanë tërhequr reagime jashtë vendit. Rama ngjalli polemika me vendimin e qeverisë për të ndaluar platformën TikTok për një periudhë njëvjeçare, një masë që shkaktoi debate mbi lirinë e shprehjes dhe qëllimet politike të qeverisë, përfshirë edhe kritika se ishte bërë në një vit zgjedhjesh. Rama reagoi ashpër ndaj investigimeve të emisionit Report të RAI për lidhjet e qeverisë me krimin, duke e cilësuar raportimin si “shpifje” dhe duke kritikuar qasjen italiane ndaj politikave të tij dhe qeverisë shqiptare, një debat që u shfaq edhe në media ndërkombëtare dhe italiane.

Politikanët në rritje

1.      Jorida Tabaku – Siguroi mandatin e deputetes në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 përmes një procesi të votës preferenciale në listën e hapur të Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës, ku vetëm një mandat u shpërnda sipas votave të individëve. PD kishte 13 mandate në Tiranë, por vetëm një prej tyre shkonte për kandidatët që fitonin më shumë vota individuale nga qytetarët, jo vetëm nga renditja e listës së mbyllur. Tabaku mori plot rreth 20,500 vota preferenciale në Qarkun e Tiranës, duke u renditur ndër kandidatët më të votuar në listën e hapur, ndërsa rivalët e tjerë të PD-së — përfshirë Ilir Alimehmetin — mbetën pas saj në numër votash.

2.      Besart Xhaferri – u zgjodh deputet në Kuvend përmes listës proporcionale të Partisë Demokratike në Qarkun e Tiranës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Ai ishte i renditur në listën shumemërore bashkë me emra të njohur si Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi, Belind Këlliçi. Xhaferri ka mbajtur postin e drejtuesit e FRPD.

3.      Jozefina Topalli – dikur kryeparlamentare, u rikthye në Kuvend si deputete e Partisë Demokratike. Topalli vinte pas një periudhe të gjatë shkëputje nga politika, duke u rikthyer si një zë i fortë në radhët e opozitës në Kuvend.

4.      Evis Sala – akademike dhe bashkëthemeluese e universiteteve në vend, u emërua Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në kabinetin e formuar pas zgjedhjeve të vitit 2025. Kjo është një ngritje për të, duke kaluar nga një karrierë akademike e kërkimore në një pozicion të rëndësishëm politik dhe qeveritar.

5.      Andis Salla/ Ervin Demo – Salla, ish‑kryetar i Bashkisë Cërrik, u emërua Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në qeverinë e re në shtator 2025, duke bërë një hap nga politika lokale drejt posteve të larta qendrore. Demo, i cili u zgjodh gjithashtu deputet në Parlamentin e ri të Shqipërisë, mori postin e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor në qeverinë e formuar në shtator 2025

Të fundit