Flash News

KRYESORE

PS 'rrëzoi' SPAK për Ballukun, KE reagon për Politiko: Progresi në BE varet nga sundimi i ligjit

PS 'rrëzoi' SPAK për Ballukun, KE reagon për Politiko:

Suela Gjidede

Komisioni Evropian ka reaguar lidhur me vendimin në Kuvendin e Shqipërisë, ku mazhoranca rrëzoi kërkesën e SPAK për autorizimin e masës së arrestit ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në një përgjigje zyrtare për Politiko.al, një zëdhënës i Komisionit Europian thekson se Brukseli po ndjek nga afër zhvillimet, duke vënë theksin te rëndësia e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit.

“BE-ja i vëren rezultatet e votimit në Parlamentin e Shqipërisë. Angazhimi ndaj sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë me rëndësi të madhe për procesin e anëtarësimit në BE.

Sigurimi i një mjedisi të favorshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në reagimin për Politiko.al.

PS 'rrëzoi' SPAK për Ballukun, KE reagon për Politiko:

Si u rrëzua këkesa e SPAK

Teksa mbështetësit e opozitës po protestonin jashtë Kuvendit të enjten e kaluar me thirrje kundër korrupsionit dhe qeverisë, mazhoranca socialiste në sallë, ashtu siç kishte paralajmëruar, doli në mbrojtje të Ballukut duke rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e saj.

Me 82 vota kundër, mes të cilave edhe ajo e kryeministrit Edi Rama që dirigjoi mbrojtjen politike të bashkëpunëtores së tij, kërkesa e SPAK u rrëzua nga Kuvendi pasi ishte zvarritur për gati tre muaj.

Para se Kuvendi të votonte, Ambasada Britanike në Tiranë mbajti një qëndrim publik duke theksuar se “imuniteti parlamentar nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”.  

Ambasada Gjermane dhe disa ambasada të tjera evropiane po ashtu reaguan  pasi mazhoranca rrëzoi kërkesën e SPAK, duke kërkuar që ndjekja penale ndaj korrupsionit në rastet e rangut të lartë të bëhet pa pengesa./Politiko.al/ 

Të fundit