Flash News

KRYESORE

Pushteti vendor nën diktatin e Ramës, Afrim Krasniqi për Politiko: Devijim nga demokracia dhe Kushtetuta, institucionet heshtin

Pushteti vendor nën diktatin e Ramës, Afrim Krasniqi për

Nga Kristina Tepexhiku

Një valë dorëheqjesh ka përfshirë bashkitë e vendit, përfshirë drejtorë, nënkryetarë dhe administratorë lokalë, jo si akt i llogaridhënies institucionale, por si pasojë e urdhrit të kryeministrit Rama.

Ajo që po ndodh javët e fundit është një spastrim i pastër politik, një goditje e rëndë që po i bëhet autonomisë së pushtetit vendor dhe përpjekje e Ramës për ta shndërruar në një zgjatim të pushtetit qendror.

Në një intervistë për Politiko.al, drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, e sheh këtë fenomen si akt që bie ndesh me konceptin e shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve. Me tone të forta, ai paralajmëron se po ndodh një devijim nga standardet e një shteti demokratik dhe nënshtrimi i pushtetit vendor ndaj vullnetit politik të kryeministrit.

Shkarkime politike, jo ligjore

Krasniqi thotë se thirrjet e kryeministrit për dorëheqje masive bien ndesh me konceptin e shtetit të së drejtës dhe autonomisë së pushtetit vendor, akte këto të papranueshme për një vend si Shqipëria, që kërkon integrimin në BE.

“Thirrjet e kryeministrit për dorëheqjet masive të punonjësve të drejtorëve të bashkive, nënkryetarëve dhe pastaj të administratorëve, duke u shndërruar në disa raste dhe si urdhër politik janë dukshëm akte që bien në kundërshtim me konceptin e shtetit të së drejtës, me konceptin e ndarjes së pushteteve dhe me standardet e një vendi që ka kushte minimale demokratike”, deklaroi Krasniqi në Politiko.

Kreu i ISP sqaron se nuk ka asnjë ligj që parashikon shkarkimin e një nëpunësi publik me një urdhër të tillë politik, duke theksuar se praktika që po ndiqet nga kryeministri, përbën devijim nga demokracia.

“Nuk ka asnjë ligj që i detyron kryetarët e bashkive për të bërë shkarkime të tilla. Nëpunësit publik, ku përfshihen drejtorët dhe punonjësit e administratës në bashki zgjidhen me konkurs. Japin llogari dhe bëjnë karrierë bazuar mbi ligjin për nëpunësin publik dhe kanë kontrata plotësuese sipas përcaktimeve të Kodit të Punës. Kjo përbën një devijim të madh nga praktika demokratike në Shqipëri”, tha Krasniqi.

Pushteti politik mbi pushtetin vendor dhe heshtja institucionale

Nënshtrimi i qeverisjes vendore ndaj vullnetit politik të kryeministrit dëshmon rrezikun që pushteti vendor të kthehet në një zgjatim të pushtetit qendror.

Krasniqi vë në dukje heshtjen institucionale të cilën e lidh me faktin se disa titullarë janë emëruar nga mazhoranca.

“Kryetarët e bashkive janë të ndërvarur nga vullneti politik dhe deri diku i janë nënshtruar këtij vullneti politik të kryeministrit. Në rastin konkret do të duhet që dikush nga bashkitë t’i adresohet Gjykatës Kushtetuese dhe duhet të kishte raste konkrete nga Shoqatat e Bashkive dhe do të duhet të kishte veprim të DABI-t, Departamentit të Administratës Publike dhe të komisionerëve që mbrojnë nëpunësit publik, civil, të drejtat e njeriut dhe konceptet e shtetit ligjor në Shqipëri. Në fakt asnjë nga këto institucione nuk ka folur ende dhe për shkak se një pjesë janë emëruar nga mazhoranca dhe një pjesë tjetër i ka përfunduar mandati dhe rizgjedhja e tyre është vullnet politik i mazhorancës”, u shpreh Krasniqi në Politiko.

Mungon demokracia vendore

Ndërhyrjet e ekzekutivit qendror tek pushteti lokal minojnë demokracinë vendore, sikurse pohoi edhe Afrim Krasniqi, duke ngritur nevojën për më shumë pavarësi dhe integritet.

Kreu i ISP bëri thirrje që shoqëria civile dhe mediat të denoncojnë ato institucione të cilat nuk i kryejnë konform ligjit funksionet e tyre.

"Shqipëria të mendohet mirë dhe të investojë për të krijuar misione solide të pavarura dhe me integritet të qëndrueshëm dhe të jenë të afta për t’u përballur dhe me presione politike siç është ky rast... Deri atëherë na mbetet ta denoncojmë, të bëjmë punën tonë si media dhe shoqëri civile, por edhe të kritikojmë dhe sugjerojmë ato institucione të cilat nuk po kryejnë mirë funksionet e tyre", shtoi Krasniqi në Politiko.

INTERVISTA E PLOTË E AFRIM KRASNIQIT NË POLITIKO:

Rasti i fundit i ndërhyrjeve të Kryeministrit në disa bashki, a përbën shkelje të parimeve të autonomisë vendore dhe të ndarjes së pushteteve?

Thirrjet e kryeministrit për dorëheqjet masive të punonjësve të drejtorëve të bashkive, nënkryetarëve dhe pastaj të administratorëve, duke u shndërruar në disa raste dhe si urdhër politik janë dukshëm akte që bien në kundërshtim me konceptin e shtetit të së drejtës, me konceptin e ndarjes së pushteteve dhe me standardet e një vendi që ka kushte minimale demokratike. Shqipëria është një vend që tenton të hyjë në BE dhe një sjellje e tillë është gati gati e paimagjinueshme të ndodhë në një vend që tenton për të plotësuar standardet e BE. Prandaj kjo lexohet më shumë si një akt që lidhet me politikën e ditës me nevojën për të tërhequr vëmendjen dhe për të larguar përgjegjësitë e veta nga pakënaqësitë publike se sa me konceptin e një reforme apo qasje institucionale apo me një akt që lidhen me Këshillin e Ministrave. Aktet e Z. Rama janë në cilësinë e tij si një kryetar partie dhe si kryeministër.

Cili është ai mekanizëm ligjor ose institucional që i ndalon ndërhyrjet e Kryeministrit në kompetencat e pushtetit vendor?

Nuk është çështja a ka një ligj që e ndalon këtë gjë. Nuk ka asnjë ligj që i detyron kryetarët e bashkive për të bërë shkarkime të tilla. Nëpunësit publik, ku përfshihen drejtorët dhe punonjësit e administratës në bashki zgjidhen me konkurs. Japin llogari dhe bëjnë karrierë bazuar mbi ligjin për nëpunësin publik dhe kanë kontrata plotësuese sipas përcaktimeve të Kodit të Punës. Dhe në dy rastet e legjislacionit nuk parashikohet shkarkimi, ndërprerja e karrierës apo emërimi i tyre nga një komision partiak përzgjedhës siç është vepruar në rastin e Vlorës. Kështu që e gjithë procedura është tërësisht në kundërshtim me ligjin dhe kryetarët e bashkive nuk kanë asnjë detyrim ligjor për të zbatuar vendimin e kryeministrit në kushtet kur është njësuar pushteti vendor me atë qendror dhe kur është bërë e qartë që në 83 vota, mazhoranca ka të gjitha votat e nevojshme për të ndryshuar edhe ligjin organik të qeverisjes vendore, kryetarët e bashkive janë të ndërvarur nga vullneti politik dhe deri diku i janë nënshtruar këtij vullneti politik të kryeministrit. Kjo përbën një devijim të madh nga praktika demokratike në Shqipëri. Në rastin konkret do të duhet që dikush nga bashkitë t’i adresohet Gjykatës Kushtetuese dhe duhet të kishte raste konkrete nga Shoqatat e Bashkive dhe do të duhet të kishte veprim të DABI-t, Departamentit të Administratës Publike dhe të komisionerëve që mbrojnë nëpunësit publik, civil, të drejtat e njeriut dhe konceptet e shtetit ligjor në Shqipëri. Në fakt asnjë nga këto institucione nuk ka folur ende dhe për shkak se një pjesë janë emëruar nga mazhoranca dhe një pjesë tjetër i ka përfunduar mandati dhe rizgjedhja e tyre është vullnet politik i maxhorancës. Do të thotë nuk kërkojnë për të prishur marrëdhëniet personale në raport me mazhorancën aktuale dhe në këto lloj rrethanash hapësira për veprim është jashtëzakonisht e kufizuar.

A mendoni se kemi më demokraci funksionale në nivel vendore, apo vetëm një zgjatim të pushtetit ekzekutiv qendror?

Është një leksion një rast që na tregon se sa i rrezikshëm është rasti kur pushteti i një partie politike dhe i një politikani kapërcen limitet ligjore, kornizën ligjore dhe vendin që i ka dhënë Kushtetuta e Shqipërisë dhe sa e nevojshme është që Shqipëria të mendohet mirë dhe të investojë për të krijuar misione solide të pavarura dhe me integritet të qëndrueshëm dhe të jenë të afta për t’u përballur dhe me presione politike siç është ky rast. Të vetmit që e bëjnë tani janë disa organe të drejtësisë. Ditën që do ta bëjnë edhe bashkitë, ditën që do ta bëjë edhe pushteti vendor, ditën që do ta bëjnë edhe institucione të tjera të cilat nuk janë pjesë ekzekutive do të jetë ditë e mirë për demokracinë, por kjo ditë nuk ka ardhur ende. Deri atëherë na mbetet ta denoncojmë, të bëjmë punën tonë si media dhe shoqëri civile, por edhe të kritikojmë dhe sugjerojmë ato institucione të cilat nuk po kryejnë mirë funksionet e tyre përfshirë edhe ato që unë citova më lart si institucione të pavarura, përfshirë dhe grupe të cilat flasin, investojnë për vite me radhë me miliona euro nga BE për konceptin e qeverisjes vendore dhe fuqizimin e këtyre kapaciteteve.

Të fundit