Flash News

KRYESORE

Reanimacioni pa energji, QSUT sqaron për Politiko: Pacientët nuk u rrezikuan, por kemi nisur procedurat ligjore

Reanimacioni pa energji, QSUT sqaron për Politiko: Pacientët nuk u

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar zyrtarisht lidhur me incidentin e ndodhur disa javë më parë, kur Reanimacioni Qendror mbeti pa energji elektrike, një ngjarje që ngriti shqetësime serioze për sigurinë e pacientëve dhe funksionimin e shërbimeve jetike.

Në një përgjigje për Politiko.al, QSUT sqaron se shkak i ndërprerjes së energjisë ka qenë një avari në linjën e tensionit të lartë 110 kV të nënstacionit “Traktora”, nga e cila furnizohet edhe spitali universitar.

Sipas institucionit, megjithëse ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike nga rrjeti kryesor, sistemet rezervë për pajisjet jetëshpëtuese në Reanimacion kanë funksionuar, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit.

"Për shkak të një avarie në linjën e tensionit të lartë 110 kV të nënstacionit Traktora nga e cila furnizohet dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, patëm një ndërprerje të energjisë elektrike.  

Për të gjitha pajisjet jetëshpëtuese që ndodhen në Reanimacionin Qendror ka funksionuar sistemi i backup-it dhe në asnjë moment nuk është cënuar siguria e pacientit”, thuhet në përgjigjen e QSUT për Politiko.al.

Të pyetur nëse ka pasur rrezik real për jetën e pacientëve, spitali mohon një skenar të tillë, duke theksuar se bateritë, UPS-et dhe sistemet rezervë kanë përmbushur funksionin e tyre gjatë incidentit.

"Nuk ka patur rrezik real per jeten e pacienteve pasi sistemet rezerve kane funksionuar", bën me dije QSUT. 

Në përgjigjen e saj, QSUT bën të ditur se po vijon procedurat ligjore dhe teknike për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme, si dhe për të garantuar gjendjen e gatishmërisë së të gjitha sistemeve të furnizimit me energji elektrike.

"QSUT po vijon me procedurat sipas hapve ligjor per mos perseritjen e rasteve te ngjashme  dhe per te siguruar gjendjen e gadishmerise te te gjitha sistemeve te furnizimit me energji elektrike", thuhet në përgjigje. 

Megjithëse zyrtarisht sigurohet se nuk ka pasur rrezik për pacientët, incidenti ngre pikëpyetje se sa i qëndrueshëm është sistemi rezervë në raste emergjencash më të gjata dhe nëse kontrollet teknike janë të mjaftueshme për një spital që mban peshën kryesore të sistemit shëndetësor publik në vend.

Kjo pasi në media u raportua se 30 pacientë, mes tyre 10 të intubuar, u zhvendosën me urgjencë në shërbimin e kardiologjisë deri në rikthimin e energjisë. Dështimi i QSUT me terrin energjitik në spitalin më të madh të vendit, për fat të mirë nuk shkaktoi viktima. /S. Gjidede/

 

 

Të fundit