Flash News

KRYESORE

Samit për Diasporën apo teatër propagande?

Samit për Diasporën apo teatër propagande?

Samiti i Diasporës në Tiranë po zhvillohet nën hijen e një realiteti krejt ndryshe nga ai që promovohet në skenë. Aty ku duhej të dëgjohej diaspora, po dëgjohet vetëm njëra palë.

Një samit që synon të ofrojë dialog mes shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit dhe institucioneve, është shoqëruar me tensione, përplasje, duke ngritur pikëpyetje mbi realitetin që përfaqëson ky organizim. Dy episode të njëpasnjëshme gjatë paneleve kanë ekspozuar pakënaqësinë e emigrantëve.

Rasti i parë ishte ai i Eva Baçit, një shqiptare nga Bolonja me profesion juriste, e cila i tha sy për sy qeverisë se qëndrojnë shumë larg realitetit që reklamojnë në mitingje, forume dhe fushata elektorale.

Madje, Baçi denoncoi se kishte kërkuar kohën e saj për diskutim, por organizuesit e kishin refuzuar.

“Skenari është shkruar shumë bukur, dëgjojmë narativa, por mungojnë aktorët kryesorë që është Diaspora. Unë doja që të bëja një diskutim dhe nuk mu dha e drejta e fjalës. Unë nuk kam vend ku të flas, dua të shpreh atë që kam, sepse përndryshe ne ngelemi vetëm numra. Unë nuk mund të pres biletën të vij që andej për të qenë një numër. I keni mbyllur dyert, të gjitha personave që janë të përgatitur”, deklaroi Baçi, teksa vuri në dukje braktisjen e Diasporës nga shteti.

Rasti i dytë është minatori nga Bulqiza, emigrant në Itali. Shqetësimi i tij ishte ligji 7501 për pronat dhe statusi i shumëpërfolur i minatorit, premtim i mbetur në sirtarin e qeverisë.

Halli i pazgjidhur dhe servirja e “Paketës së Maleve” nga Balla si ‘ilaç çudibërës’ për hallakatjen e popullit nëpër zyra për të fituar tokën e tyre, çoi në një debat të fortë mes minatorit dhe socialistit.

Ai deklaroi se prej më shumë se 10 vitesh ka bërë kërkesa për tokën e trashëguar, pa marrë përgjigje, dhe kritikoi më tej qeverinë për mosmiratimin e statusit të minatorit. Debati aspak i këndshëm për qeverinë, e detyroi këtë të fundit të urdhërojë që të ndërpritet fjala e minatorit, madje disa herë tentuan t’i rrëmbejnë edhe mikrofonin.

Në një samit ku diaspora duhet të ishte protagoniste, roli i saj u reduktua në spektatore. Sepse kur skenari është i paracaktuar, çdo zë ndryshe prish regjinë. Dhe në fund, mbetet vetëm fasada: një samit për t’u parë, jo për t’u dëgjuar.

Të fundit