Flash News

KRYESORE

Shqipëria, vendi ku blerja e një shtëpie kushton 15 vite paga dhe kredia është një iluzion

Shqipëria, vendi ku blerja e një shtëpie kushton 15 vite paga dhe

Blerja e një banese në Shqipëri po kthehet në një sfidë të vështirë dhe thuajse të pamundur. Pjesa më e madhe e shqiptarëve, qofshin familje apo individë, përballen me një hendek të thellë mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave.

Një familjeje shqiptare i duhen mesatarisht 15 vite të ardhura për të blerë një banesë, nëse kursen të gjitha të ardhurat vetëm për shtëpinë, pa marrë parasysh shpenzimet e përditshme.

Sipas të dhënave të Numbeo, Shqipëria renditet e para në kontinent për raportin çmim–të ardhura, me një nivel 15:1. Ky nivel e fut vendin në kategorinë ku blerja e një banese është praktikisht e pamundur, për shkak të një tregu të mbingarkuar dhe çmimeve të larta.

Shqipëria, vendi ku blerja e një shtëpie kushton 15 vite paga dhe

E para edhe në rajon

Edhe në Ballkan, Shqipëria lë pas vendet e tjera. Serbia renditet e dyta me 14.8, Mali i Zi me 13.9, Kosova me 13.8 dhe Bosnja me 12.9.

Në kontrast të fortë, vendet e Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar, edhe pse ekonomikisht më të fuqishme, paraqiten me nivele shumë më të ulëta: Belgjika 6.1, Gjermania 7.9, Mbretëria e Bashkuar 8.0 dhe Franca 8.6. Kjo tregon se, përkundër çmimeve më të larta absolute, të ardhurat e qytetarëve në këto shtete mjaftojnë për të përballuar blerjen e një banese.

Kredia e pakapshme

Pamundësia për të blerë një banesë reflektohet edhe te kreditë bankare. Të dhënat tregojnë se kësti mujor për një apartament në Shqipëri arrin mesatarisht 124.6% të të ardhurave, shumë mbi kufijtë e pranueshëm të huadhënies. Kjo e bën praktikisht të pamundur për shumicën e familjeve të përballojnë një kredi banesore.

Shqipëria, vendi ku blerja e një shtëpie kushton 15 vite paga dhe

Përballimi i këtij hendeku mes çmimeve dhe pagave kërkon ndërhyrje. Për të bërë strehimin më të përballueshëm, nevojiten politika që mbështesin të rinjtë dhe familjet e reja, lehtësira për kreditë me norma më të ulëta interesi dhe ndihma për zhvillimin e apartamenteve me çmime të arsyeshme.

Të fundit