Flash News

KRYESORE

Saga e TikTok-ut në Shqipëri, për çfarë shërbeu vendimi i Ramës?

Saga e TikTok-ut në Shqipëri, për çfarë shërbeu

 “TikTok” ka përfunduar “dënimin” e vendosur nga kryeministri Edi Rama. Me vendim të marrë në 3 shkurt në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, është shfuqizuar vendimi nr.151, datë 6.3.2025, i cili parashikonte masa të përkohshme për kufizimin e platformës “TikTok”.

“Vendimi nr.151, datë 6.3.2025, i Këshillit të Ministrave, ‘Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line TikTok’, shfuqizohet”, thuhet në vendimin zyrtar.

TikTok u mbyll dhe u shpall i paligjshëm rreth një vit më parë pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, vetëm disa metra larg shkollës.

Saga e TikTok-ut në Shqipëri, për çfarë shërbeu

Në fakt, TikTok nuk u mbyll asnjëherë plotësisht, pasi përdoruesit e qasën platformën lehtësisht përmes VPN-ve, duke treguar se vendimi i qeverisë ishte thjesht simbolik.

NJOFTIMI I PLOTË

Agjencia për Media dhe Informim sqaron median dhe opinion publik në lidhje me  vendimin e Këshillit të Ministrave datë 03.02.2026 për heqjen e masave të përkohshme për ndalimin e aksesit në platformën online TikTok

Heqja e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën online TikTok është rezultat i një rivlerësimi institucional dhe i adresimit konkret të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.

Masa e miratuar nga Këshilli i Ministrave në mars 2025 u konceptua dhe u zbatua si një ndërhyrje e parandaluese, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe adresimit të shqetësimeve të evidentuara gjatë asaj periudhe. Ajo shërbeu edhe për të hapur një dialog të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me platformën, duke vendosur bazat për mekanizma të rinj sigurie, të cilët më parë nuk ishin të pranishëm. Sot, autoritetet shqiptare janë në partneritet me përfaqësuesit e TikTok, për  filtrat mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrollet e përmbajtjes dhe modalitetet më efikase të raportimit dhe trajtimit të shkeljeve.

Ky vendim shënon kalimin nga masa kufizuese në një fazë monitorimi aktiv, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgjegjësie të përbashkët me platformat digjitale.

Paralelisht, po punohet për hartimin e një plani të mirëfilltë komunikimi dhe ndërgjegjësimi, të fokusuar te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të platformave online. Qëllimi është i qartë dhe i orientuar drejt edukimit digjital, mbrojtjes reale dhe ndërtimi i një kulture sigurie në hapësirën online.

Kjo qasje e balancuar synon të garantojë lirinë e aksesit, duke vendosur njëkohësisht interesin e sigurisë dhe mirëqenies së të rinjve në qendër të politikave publike.

Saga e TikTok-ut në Shqipëri, për çfarë shërbeu

CFARË U THA

6 Mars 2025 / Manastirliu njoftoi mbylljen e TIKTOK

Zyrtarizimi i vendimit u bë i ditur nga ministrja e Arsimit aso kohe, Ogerta Manastirliu, pas mbledhjes së qeverisë të zhvilluar.

Ministrja tha se ky vendim ka në fokus interesin e fëmijëve dhe sigurinë publike në mjedisin digjital.

Ndërprerja e aksesit në TikTok, theksoi Manastirliu, do të realizohet nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike.

Saga e TikTok-ut në Shqipëri, për çfarë shërbeu

“Kemi analizuar efektet që vijnë nga këto platforma, veçanërisht kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve dhe rastet e dhunës fizike. Grupi i punës ka përfshirë të gjithë autoritetet përkatëse, duke marrë parasysh faktet dhe elementet që kanë pasur rëndësi maksimale.

Si rezultat, kemi rekomanduar mbylljen ose kufizimin e aksesit në TikTok për një periudhë 12-mujore që do të na mundësojë marrjen e masave të tjera. Po ashtu, kemi nisur një komunikim me TikTok për të marrë masa të mëtejshme, duke vendosur filtra që ndalojnë promovimin e sjelljeve të padëshirueshme,” tha Manastirliu.

6 Mars 2025 |Reagon Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar disa orë më vonë në lidhje me vendimin e qeverisë për mbylljen e platformës TikTok.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama bëri me dije se vendimi për pezullimin për një vit të aksesit në TikTok është marrë pas një konsultimi të gjerë me 65 mijë prindër.

 “Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTok-ut është, së pari, një vendim i marrë në konsultim të gjerë me 65 mijë prindër e mësues, dhe së dyti, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike, ndërkohë që ne jemi në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të na paraqitur, qoftë një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe, qoftë disa risi në shërbim të mësimeve dhe të studimeve.

Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi,” shkruante Rama në X.

Mbyllja e TikTok, Opozita në protestë

Saga e TikTok-ut në Shqipëri, për çfarë shërbeu

Opozita zhvilloi mbrëmjen e 15 marsit një protestë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kundër mbylljes së platformës sociale TikTok.

Mbështetës të PD  dhe të rinjë iu bashkuan këtij tubimi teksa në duar mbanin pankarta të ndryshme kundër vendimit të qeverisë për mbylljen e “TikTok”.

PD e ka cilësuar si akt censure të fjalës së lirë, një veprim që erdhi në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

Një studente tha se “vendimi për të mbyllur TikTok nuk është asgjë tjetër veçse një precedent i rrezikshëm për lirinë e fjalës, për lirinë e shprehjes, për këtë të drejtë që ne na e ka garantuar Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut”.

SA EFEKTIVE ISHTE MBYLLJA E TIKTOK?

Vetëm përgjatë tre javëve të para të muajit dhjetor 2025 janë regjistruar episode të ndryshme dhune ndërmjet nxënësve në disa qytete kryesore të vendit, ku grupe adoleshentësh janë sulmuar midis njëri-tjetrit fare pranë ambienteve të shkollave në Sarandë, Shkodër dhe Durrës.

Erion Boba humbi jetën pasi u plagos me thikë nga një bashkëmoshatar i tij. Konflikti ndodhi më 25 nëntor të vitit 2025, jashtë shkollës “Dom Nikollë Kaçorri” në Durrës.

Gjatë përplasjes, 14-vjeçari e goditi katër herë me thikë bashkëmoshatarin e tij, 15-vjeçarin Erion Boba, duke e plagosur rëndë në gjoks, pranë zemrës.

Fillimisht ai u dërgua në Spitalin e Durrësit dhe më pas në QSUNT, ku qëndroi në kujdes intensiv për disa ditë, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.

Saga e TikTok-ut në Shqipëri, për çfarë shërbeu

Një sherr mes të miturve në shkollën private 9-vjeçare 'Dea 2001' në lagjen nr.3, Sarandë më 17 dhjetor ka agravuar deri në përdorimin e mjeteve prerëse, mëngjesin e kësaj të mërkure.

Incidenti fatmirësisht pa pasoja fatale është regjistruar në oborrin e shkollës ende pa nisur procesi mësimor. 13-vjeçari, është grindur fillimisht me fjalë me 15-vjeçarin, - me pretendimin se përse i kishte zënë rrugën

Pas grindjes me fjalë 13 vjeçari ka nxjerrë një thikë që e kishte me vete dhe ka goditur në qafë 15 vjeçarin. Pas kësaj ai është larguar menjëherë nga shkolla, teksa i mituri tjetër është transportuar në spital.

Ndërkohë më 12 dhjetor, dy grupe të rinjsh, shumica nxënës të shkollës së Gjuhëve të Huaja “Shejnaze Juka” në Shkodër u përfshinë në një konflikt të dhunshëm  ku shkak u bë një sherr i nisur më herët nga të rinjtë. Fatmirësisht si pasojë e këtij sherri nuk pati pasoja fatale për jetën.

Një tjetër rast është vrasja e 14-vjeçarit Erald Xhejo nga bashkëmoshatari i tij Enedio Guri në fshatin Pirg të Maliqit, më 14 gusht 2025.

Saga e TikTok-ut në Shqipëri, për çfarë shërbeu

SHANTAZHET

Ndërkohë, në kohën kur TikTok duhej të ishte “i dënuar”, emisionet investigative kanë denoncuar disa raste shantazhi të kryera përmes rrjeteve sociale.

Një 22-vjeçare nga Fieri denoncoi se i janë hapur profile false në Instagram dhe TikTok. Vajzës i janë publikuar foto personale dhe numri i telefonit, ndërsa është denigruar figura e saj duke u akuzuar si prostitutë.

“Mua më kanë hedhur në TikTok dhe shkruajnë se unë dal me lekë. Më kanë publikuar fotot dhe çmimet. Kanë vendosur edhe numrin tim të telefonit. Pastaj më kanë shkruar shumë persona për takime”, shprehet ajo.

Gjithashtu, TikTok është përdorur edhe për mashtrime shëndetësore. Rreth 200 mijë dollarë të mbledhura në TikTok dhe GoFundMe për kurimin e një shtetasje të cilat dyshohet se nuk janë përdorur për këtë qëllim.

Denoncimin e bëri Entela Domi, e cila pasi kontribuoi dhe e ndoqi nga afër rastin, zbuloi se fondet nuk përputheshin me realitetin mjekësor.

Pas kërkesës për shpjegime, ajo u përball me sharje, ofendime dhe kërcënime në rrjetet sociale.

VPN, ‘oksigjeni’ i TikTok në Shqipëri

Saga e TikTok-ut në Shqipëri, për çfarë shërbeu

Megjithatë, gjatë 12 muajve të bllokimit, realiteti tregoi se ndalimi formal nuk e ndërpreu përdorimin e platformës nga të rinjtë.

 Një pjesë e madhe e tyre gjetën mënyra alternative për ta aksesuar TikTok-un përmes VPN-ve dhe aplikacioneve të tjera anashkaluese, duke e bërë masën më tepër simbolike sesa efektive.

Sipas të dhënave të kompanisë ByteDance, në fund të vitit 2024, aplikacioni kishte 1.53 milionë përdorues mbi moshën 18 vjeç në një vend me 2.4 milionë banorë.

 Sipas ProtonVPN, përdorimi i shërbimit të tyre u rrit me 1200% në ditën e parë të bllokimit dhe kjo tendencë vijon. Aktualisht, VPN-të janë aplikacioni i tretë më i shkarkuar në App Store për muajin e fundit, pas ChatGPT dhe Temu.

Mbyllja e TikTok-ut për të minimizuar dhunën e të rinjve në shkolla në fakt nuk ishte zgjidhje e problemit, por transferim i përgjegjësisë së të gjithë aktorëve tek teknologjia.

Rihapja e TikTok-ut sot ngre dilema të reja! A shoqërohet ky vendim me masa konkrete sigurie, edukimi dhe mbrojtjeje apo mbyllja njëvjeçare ishte thjesht një reagim politik për të krijuar perceptimin e veprimit pas një ngjarjeje tronditëse?/ POLITIKO.AL

Të fundit