Flash News

KRYESORE

Tirana më e shtrenjtë se vendet evropiane për raportin paga–shtëpi, eksperti në Politiko: Nevojë urgjente për minimumin jetik

Tirana më e shtrenjtë se vendet evropiane për raportin

Esmeralda Hida

Mirëqenia ekonomike e qytetarëve shqiptarë duket se mbetet gjithnjë e më shumë një iluzion, teksa hendeku mes rritjes së pagave dhe rritjes së çmimeve vazhdon të thellohet. Në një kohë kur pagat rriten gradualisht, kostot e jetesës, nga ushqimet dhe transporti deri te qiratë dhe çmimet e pronave, po rriten me ritme shumë më të shpejta.

Kjo përplasje mes dy treguesve thelbësorë të ekonomisë, që në kushte normale duhet të ndjekin një balancë, po shndërrohet në një “luftë të heshtur” për mbijetesë ekonomike për shumë familje shqiptare.

Qeveria kishte paralajmëruar se nga 1 janari i këtij viti paga minimale në Shqipëri do të rritej në 50 mijë lekë.

Tirana më e shtrenjtë se vendet evropiane për raportin

Vendimi u bë publik edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si pjesë e politikave për përmirësimin e të ardhurave të punonjësve.

Megjithatë, të dhënat e fundit nga Eurostat tregojnë se Shqipëria vijon të mbetet pas vendeve të tjera të rajonit për sa i përket nivelit të pagës minimale. Në krahasim me vendet fqinje si Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, paga minimale në Shqipëri mbetet ndër më të ulëtat.

Tirana më e shtrenjtë se vendet evropiane për raportin

Paradoksi bëhet edhe më i dukshëm kur krahasohen pagat me kostot e jetesës.

Tirana, ndër qytetet më të shtrenjta për raportin mes çmimeve dhe të ardhurave
Sipas raportit më të fundit të Numbeo , databaza më e madhe në botë për koston e jetesës, Shqipëria, dhe veçanërisht Tirana, po përballet me një rritje të ndjeshme të kostove krahasuar me shumë vende të rajonit dhe të Evropës.

Tirana më e shtrenjtë se vendet evropiane për raportin

Të dhënat e publikuara në faqen zyrtare të Numbeo tregojnë se indeksi i çmimeve për ushqimet dhe qiratë në kryeqytetin shqiptar është relativisht i lartë, dy faktorë thelbësorë për çdo individ apo familje që përpiqet të ndërtojë një jetë të qëndrueshme ekonomike.

Raporti vë në dukje gjithashtu rritjen e shpejtë të çmimeve të banesave dhe të qirave në Tiranë. Sipas Numbeo, kryeqyteti shqiptar regjistron një koeficient 17.9 në raportin mes çmimit të pronës dhe të ardhurave vjetore të familjeve.

Ky tregues mat sa herë më i madh është çmimi i një apartamenti krahasuar me të ardhurat vjetore të një familjeje. Sa më i lartë ky raport, aq më e vështirë bëhet blerja e një shtëpie.

Në rastin e Tiranës, kjo do të thotë se një familjeje i duhen pothuajse dy dekada të ardhura të plota për të blerë një apartament. Në renditjen e Numbeo, më keq se Tirana paraqitet vetëm Lisbona me një koeficient 19.4.

Ironia bëhet edhe më e dukshme kur krahasimi bëhet me qytete të mëdha evropiane. Milano, një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike të Italisë, ka një raport 17.8, Roma 14.6, ndërsa Madridi dhe Barcelona lëvizin mes 11.4 dhe 12.4.

Tirana më e shtrenjtë se vendet evropiane për raportin

Pra, qytete me ekonomi shumëfish më të mëdha rezultojnë më të përballueshme për banorët e tyre sesa Tirana.

Tirana më e shtrenjtë se vendet evropiane për raportin

Edhe në rajon diferenca mbetet e dukshme. Shkupi shënon një raport 13.4, ndërsa Zagrebi 11.4. Tirana, ndërkohë, mban një nga nivelet më të larta të shtrenjtësisë në Ballkan, në një kohë kur tregu imobiliar ka përjetuar një rritje të shpejtë vitet e fundit.

Në zonat qendrore të qytetit dhe në projektet e reja rezidenciale, çmimi për metër katror ka kaluar shpesh pragun 2000–3000 euro, një nivel që deri pak vite më parë dukej i paimagjinueshëm për realitetin shqiptar.

Paga modeste përballë kostove në rritje
Problemi nuk qëndron vetëm te çmimet e larta të pronave. Nëse këto do të shoqëroheshin me rritje të ndjeshme të të ardhurave, situata mund të ishte më e përballueshme.

Në realitet, paga mesatare në Shqipëri luhatet mes 600 dhe 750 euro. Kjo do të thotë se për shumicën e familjeve, blerja e një apartamenti kërkon kredi afatgjata bankare dhe angazhime financiare për dekada.

Në fund, tabloja që del është paradoksale: një nga vendet me të ardhurat më të ulëta në Evropë ka një kryeqytet ku çmimet e pronave afrohen me ato të metropoleve shumë më të pasura.

Ndërkohë që në Tiranë ndërtohen kulla dhe projekte luksoze me ritme të shpejta, për shumë qytetarë mundësia për të pasur një shtëpi të tyre po bëhet gjithnjë e më e largët.

Sipas të dhënave të Numbeo, rritje të ndjeshme janë shënuar edhe në çmimet e produkteve të shportës bazë, në blerjet e përditshme në supermarket dhe në transport. Në të njëjtën kohë, cilësia e shërbimeve dhe niveli i mirëqenies mbeten dukshëm më të ulëta se në vende si Spanja, Italia apo edhe Serbia, me të cilat Shqipëria po afrohet gjithnjë e më shumë në çmime.

Eksperti: Nevojë urgjente për studimin e minimumit jetik

Në këtë kontekst, ekspertët e ekonomisë theksojnë se Shqipëria ka nevojë për një qasje më të qartë dhe më realiste për të matur nivelin e jetesës.

Politiko.al ka komunikuar me ekspertin e ekonomisë Koço Broka, i cili thekson se një hap i domosdoshëm është realizimi i studimit për minimumin jetik në Shqipëri.

Sipas tij, masat e ndërmarra deri tani nuk japin një zgjidhje të plotë për problemin e rritjes së kostove të jetesës.

Nuk duhet vonuar në asnjë mënyrë studimi i minimumit jetik. Masat e marra nga qeveria për rritjen e pagës minimale apo rritjen e bonusit të pensioneve nuk janë as zgjidhje dhe as nuk mund të zëvendësojnë nevojën për studimin e minimumit jetik.

Kjo lidhet drejtpërdrejt me shqetësimin kryesor që kanë sot qytetarët: shpenzimet për biznese, blerjen e shtëpisë apo qiratë që janë shumë të larta për Shqipërinë dhe veçanërisht për Tiranën. Në këto kushte, kjo bëhet një faktor i fuqishëm shtytës për emigracionin dhe për problemet e mëdha që po krijohen në vend si pasojë e tkurrjes së shpejtë të popullsisë”, thekson Broka.


“Shqipëria ka mbetur 25 vite pas në konceptin e minimumit jetik”

Eksperti thekson se Shqipëria ka mbetur pas edhe në mënyrën se si matet varfëria dhe minimumi i jetesës.

Sipas tij, koncepti i përdorur në fund të viteve ’80 ishte në disa aspekte më i plotë se qasjet e sotme.

“25 vjet më parë është ndërmarrë një VKM për studimin e minimumit jetik. Studimi i vitit 1989 i përmbahej konceptit se minimumi jetik është vlera e një shume mallrash dhe shërbimesh që i nevojiten një familjeje për të përmbushur kërkesat më të domosdoshme për një jetesë normale në nivel modest. Poshtë këtij niveli individi konsiderohej i varfër”, shpjegon ai.

Sipas Brokës, në atë studim përfshiheshin edhe shpenzimet për strehim, blerjen e shtëpisë ose qiranë, së bashku me ushqimin, veshmbathjen dhe orenditë shtëpiake.

“Në studimin e vitit 1989 përfshiheshin katër grupe kryesore shpenzimesh: ushqimi, veshmbathja, orenditë shtëpiake dhe qiraja bashkë me shpenzime të tjera minimale si transporti apo artikujt shtëpiakë”, sqaron ai.

Ndërkohë, sipas ekspertit, në studimin më të fundit të realizuar nga Avokati i Popullit për minimumin jetik nuk përfshihet qartë kostoja e banesës.

“Në studimin e bërë nga Avokati i Popullit nuk përfshihen shpenzimet për banesë, por vetëm kostoja e jetesës për ushqime, veshmbathje dhe disa shpenzime të tjera. Nëse nga llogaritja e minimumit jetik përjashtohet banesa, atëherë pasqyra e varfërisë del e cunguar”, thekson Broka.

Minimumi jetik nuk është premtim shtetëror

Tirana më e shtrenjtë se vendet evropiane për raportin

Eksperti thekson se minimumi jetik nuk duhet keqkuptuar si një detyrim që shteti duhet ta paguajë për çdo qytetar.

Sipas tij, ky tregues shërben kryesisht si një matës realist i kostos së jetesës dhe i aftësisë së qytetarëve për të përballuar shpenzimet bazë.

“Problem tjetër me vete është: si do të përballohen nevojat minimale për jetesë, nga shteti apo nga individi? Natyrisht shteti nuk ka pasur dhe nuk ka mundësi të përballojë njëkohësisht arsim falas, shëndetësi falas, qira simbolike dhe sigurimin e banesës për të gjithë qytetarët. Partitë që premtojnë këtë në Shqipëri bëjnë demagogji”, thekson Broka.

Sipas tij, minimumi jetik duhet parë si një tregues për të kuptuar sa kushton realisht jeta dhe sa mund të përballojnë qytetarët me të ardhurat që kanë, jo si një premtim politik për zgjidhje të menjëhershme.

Në përfundim, tabloja ekonomike mbetet sfiduese: pagat rriten me ritme të ngadalta, ndërsa kostot e jetesës vazhdojnë të rriten me shpejtësi.

Në mungesë të një studimi të plotë për minimumin jetik dhe politikave të qëndrueshme për balancimin e të ardhurave me çmimet, presioni mbi ekonominë familjare rrezikon të bëhet edhe më i madh në vitet në vijim./Politiko.al/

 

Të fundit