Flash News

KRYESORE

Uji i pijshëm i Tiranës, që nuk pihet, (dhe kërcënimi që qytetit i vjen nga fshati)

Uji i pijshëm i Tiranës, që nuk pihet, (dhe kërcënimi

Alfred Lela

Një email i mbërritur në adresën time të hënën do të kishte patur fatin e shumë të ngjashmëve nëse nuk do të ishte një përvojë nga e diela. Gazetarët marrin shumë njoftime për shtyp, shumë kërkesa, po aq ftesa e çkahmosin, dhe u duhet të përzgjedhin mes tyre. Të sakrifikuarit e parë janë njoftimet e partive politike dhe të qeverisë, apo të institucioneve, kryesisht materiale propagandistike, përgatitur nga njerëz të zyrave të shtypit që mendojnë se shefat e tyre kanë shpikur diellin. Të dytët në radhë, fatkeqësisht, janë lajme që, në çdo vend normal do t’i interesonin  qytetarit, por këtu nuk bëjnë jehonë, nuk sjellin klikime, nuk zgjojnë interes.

Edhe pse janë të lidhura me të përditshmen e tyre, informacione për ujin, ndotjen, energjinë, shkollat etj., janë më pak ‘të frekuentuarat’ me mouse-in e kompjuterit apo gishtin e smartphone-it. Edhe kryeredaktorët e lajmeve në televizione, apo drejtuesit e emisioneve në orën e pikut (prime time) mund ta konfirmojnë se temat social-kulturore dhe që kanë të bëjnë me të mirën e komunitetit apo të përbashkëtën tonë nuk ‘shesin’.

Nuk mund ta them nëse e ka çuar media publikun apo publiku median në këtë pikë të mosinteresimit për thelbësoren. Debat i gjatë.

Nën këtë sindromë të shmangies së thelbësores për interesanten, desh ra dëshmor edhe një email i qendrës Res publica në emailin tim. Sikur të mos më kishte feksur përvoja e së dielës dhe ligështimi dhe flligshtia që kisha ndjerë në fshatrat e Tiranës, me përrenjtë dhe lumenjtë që kalojnë përmes tyre për t’u derdhur në rezervuarin e Bovillës…

Pamja që hapet kur zbret nga maja e Rrasës në drejtim të Zall Bastarit dhe fshatrave të tjera të malësisë së Tiranës është spektakolare. Por, kjo shije infektohet kur u ofrohesh shtëpive. Për fshatrat e Tiranës mund të thuhet se janë më të pistat në Shqipëri (duke e ditur edhe se vendi ynë anembanë është një landfill i madh plehrash, kjo vërejtje bëhet edhe më e frikshme). E kam bredhur thuajse gjithë Shqipërinë malore, në Jug dhe Veri, dhe mund të më merrni si dëshmitar të besueshëm të kësaj tradhtie kombëtare që i bëhet atdheut.

Por, Zall Bastari është një kapitull më vete i tmerrit. Nuk ka asnjë kosh, asnjë gropë dhe asnjë mënyrë apo instrument tjetër të grumbullimit të plehrave. Fshatarët, si në shumë zona të tjera, kanë zgjedhur mënyrën më të lehtë (dhe më të papërgjegjshme) për t’i kompostuar apo hequr qafe mbetjet e konsumit të tyre ditor. I hedhin në përroin apo lumin e vogël malor më afër shtëpisë apo lagjes. Në verë këto burime ujore e kanë të pamundur t’i marrin plotësisht me vete ngarkesat e rënda të mbeturinave, kështuqë ato bëhen kapicë nëpër nyje të përrenjve. Aty e presin dimrin për të përfunduar, bashkë me reshjet, në rezervuarin e Bovillës. Por, vera me temperaturat e larta e bën alarmant rrezikun e tyre. Bëhet fjalë për të gjitha llojet: plastikë, konserva, mbetje ushqimore, pampersa dhe deri te rropullitë e kafshëve të therura. Lagështia, i ftohti dhe ujrat e rrëmbyera të dimrit i fshehin këto atentate kundër mjedisit, syrit dhe jetës, por vera me vapën dhe uljen e nivelit të përrenjve i nxjerr në pah me gjithë kutërbimin dhe barbarinë. Mbi të, si mbi çdo gjë të ngordhur e të pakallur, rrinë ushtri me miza.

Kur e sheh Bovillën nga lart në një ditë fundmaji, mes gjelbërimit, nën një tis ujor të smeraldttë, magjepsesh. Pastaj zbret në tre fshatrat apokaliptike që përbëjnë Bastarin, të ngulura njëri mbi tjetrin si tre kërcënime në brinjë të malit, dhe e kupton se, si çdo gjë për së largu, ai vezullim është i gënjeshtërt.

Të gjitha ato mbetje që kanë brenda ndoht, rrezik e sëmundje, që hidhen nga fshatarët me lehtësinë e padijes, përfundojnë në rezervuarin që mban me ujë të pijshëm Tiranën.

Kjo pamje dhe ajo parehati në fund të stomakut, më bëri që të ndalem dhe të mos e fshij emailin që vinte nga Res publica.

Kam një ‘email’ për Bashkinë dhe kryetarin e saj. Nuk është ndërhyrja në Bovillë që e zgjidh problemin ‘e ujit toksik’ që përfundon në shtëpitë e banorëve të kryeqytetit; në mos për pirje, për gatim apo qoftë edhe për dush. Nuk është klori, as sistemet dezinfektuese, edhe pse ato kanë rol. Duhet një sistem operativ dhe operacional i edukimit të fshatarëve, por edhe grumbullimit dhe zhvendosjes së plehrave në periferitë e Tiranës, sidomos në zonat malore ku, si aksesi ashtu edhe edukata mjedisore është e ulët. Asgjë tjetër nuk e ndal ndotjen e ujrave të Bovillës. Ato plehra, të cilat të gjithë ata që kanë pasion alpinizmin (ndër ta shumë të huaj) i shohin përrenjve e lumenjve, nga Jugu në Mes dhe në Veri, nuk rrezikojnë vetëm Bovillën. Nëpër dejet hidrike të Shqipërisë të gjitha mbetjet vijnë e u afrohen qendrave të banuara, ngecen nëpër shpate lumenjsh anash rrugëve kombëtare apo përfundojnë në det. Pra, futen në atë cikël që e hapim ne vetë dhe nuk dalin kurrë prej aty.

Një thirrje e kam edhe për donatorët dhe organizatat e huaja që mbështesin projekte ‘zhvillimore’. Ka ardhur koha që të kalohet nga ‘letra’ në terren. Ka kaluar koha që, paratë e taksapaguesve europianë apo mecenatëve të tjerë, të shkojnë për seminare, konferenca dhe për llogje Kavaje shitur si ‘papers’, stiva e të cilave konkuron vetëm me plehrat që hidhen në përrenjtë dhe lumenjtë e Shqipërisë.

E bëj këtë thirrje edhe nën një shtysë personale. Vjet, bashkë me disa miq të medias dhe alpinizmit, formuluam një projekt i cili parashikonte pikërisht këtë që po trajtoj sot: ‘purifikimin’ e përrenjve dhe lumenjve të Shqipërisë, duke e filluar me një projekt pilot në qarkun Shkodër. Po ta kishim gjetur mbështetjen e kërkuar, ndoshta tani Kiri dhe Cemi me fshatrat përreth do t’ia kishin kursyer Bunës e Drinit ca tonelata mbeturina. Organizata së cilës iu drejtuam, një kooperim zvicerano-sorosian nuk ‘lëvizi’ aq për ta parë në sy problemin.

Sot kemi këtë fakt të trishtë: Gjykata Administrative ka urdhëruar monitorimin e ujit në Tiranë i cili klasifikohet si ‘i papijshëm’. Mos kujtoni se qytetet e tjera janë më mirë. Thjesht atje nuk ka shkuar ende Res publica.

Të fundit